Ndërlidhjet

Përmbyllet fushata - fillon heshtja


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka vlerësuar si të rregullt fushatën parazgjedhore të subjekteve politike, të cilat marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Për tridhjetë ditë me radhë 103 subjekte politike kanë zhvilluar fushatat e tyre duke paraqitur para votuesve programet elektorale.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se për aq ditë sa partitë politike kanë zhvilluar aktivitete, puna e tyre kryesisht ka qenë dinjitoze.

“Fushata ka qenë e qetë, pa incidente, pa ndonjë ngritje të nivelit të fushatave, siç jemi mësuar më parë. Pra, mund të them se fushata ka qenë megjithatë dinjitoze dhe shpresoj se edhe dita e zgjedhjeve do të jetë e tillë”, është shprehur Daka.

Siç ka bërë të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në garën për t’u zgjedhur kryetarët janë 224 kandidatë, kurse për asamblistë komunalë garojnë 7,704 kandidatë.

Daka ka theksuar se KQZ-ja, ka përfunduar të gjitha punët sa i takon përgatitjeve për zgjedhjet lokale dhe se siç është shprehur ajo, tashmë nuk ka asnjë çështje të hapur për diskutim rreth zgjedhjeve.

“KQZ-ja ka përfunduar të gjitha përgatitjet. Tashmë pothuajse çdo veprim, i cili është paraparë me planin operacional, ka përfunduar. Është në finalizim e sipër vetëm çështja e dorëzimit të materialit josensitiv dhe sensitiv, dhe kjo deri në ditën e zgjedhjeve do të përfundojë dhe pastaj na mbetet vetëm dita e zgjedhjeve”, ka bërë të ditur Daka.

Nga ana tjetër, lidhur me fushatën zgjedhore në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë deponuar 193 parashtresa.

Kryeshefi i Sekretariatit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mul Desku, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shumica e ankesave janë shqyrtuar.

Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa deri më tash janë paraqitur 193 parashtresa, prej tyre 35 apele dhe 158 ankesa. Prej ankesave të miratuara janë 53 ankesa, e 42 janë refuzuar. Katër ankesa janë hedhur si të palejuara, katër janë hedhur si të parregullta dhe si e pas-afatshme është një ankesë. Dy ankesa janë adresuar në PZAP, por që kanë pasur të bëjnë me Komisionin e Pavarur të Mediave. Kështu që prej këtyre ankesave, 52 janë tërhequr nga subjektet politike”, ka theksuar Desku.

Bëhet e ditur se subjekti politik, i cili më së shumti ka paraqitur ankesa është Vetëvendosje, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe iniciativat e caktuara qytetare.

Zyrtarët e Sekretariatit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa thanë se për dallim nga herëte e kaluara që nuk ka qenë praktikë e ankesave nga ana e komunave, gjatë kësaj fushate ankesa të ndryshme ka pasur nga komuna e Graçanicës. Kjo komunë është ankuar për vendosjen e posterëve në vendet ku nuk lejohen.

Ndryshe, lista përfundimtare e votuesve për zgjedhjet për Kuvendet Komunale dhe për kryetarët e komunave është bazuar në Ekstraktin e Regjistrit Civil.

Ky ekstrakt është përpiluar nga Agjencia e Regjistrimit Civil, gjegjësisht Departamenti i Prodhimit të Dokumenteve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Valdete Daka
Valdete Daka
Megjithatë, zyrtarët e subjekteve politike, kanë pasur vërejtje lidhur me atë se në këtë listë ekzistojnë ende emrat e personave, të cilët nuk jetojmë më.

Lidhur me këtë çështje, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se pastrimi i listave nuk varet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Kjo është një çështje që nuk varet vetëm nga KQZ-ja. Kjo varet edhe nga vetë qytetarët, pastaj nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa ne vetëm e marrim ekstraktin, çfarëdo qoftë ai, me emra apo pa emrat e të vdekurve”, ka deklaruar Daka.

Lista përfundimtare e votuesve 2013 përmban 1, 779 357 emra të votuesve të ndarë në tridhjetë e tetë komuna, me një rritje prej 191, 103 apo 11.72% në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG