Ndërlidhjet

A duhet të kenë video-lojërat e stilit ushtarak rregulla të luftës?


Kur bëhet fjalë për video-lojërat e stilit ushtarak, ato duken shumë reale.

Në disa nga lojërat më të shitura si “Call of Duty” dhe “Modern Warfare”, lojtarët janë pjesëmarrës virtualë në fushëbeteja që shpesh bazohen në situatat aktuale luftarake.

Në ndjekje të fitores, lojtarët mund të shkatërrojnë fshatra të tërë, të qëllojnë civilë dhe të kryejnë krime të tjera që në jetën reale përbëjnë krime lufte.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se ndjenja false e mosndëshkimit ka potencial të ndikojë atë që ndodh në fushëbetejat reale.

Ai thotë se mungesa e rregullave të luftës në lojëra “krijon ndjenjën se aktet e ndaluara, të tilla si tortura dhe vrasjet jashtëgjyqësore, janë sjellje standarde”.

Grupi shpreson të bindë kompanitë që zhvillojnë video-lojëra të stilit ushtarak që ta bëjnë Ligjin Humanitar Ndërkombëtar pjesë të përvojës së lojtarit.

Është e rëndësishme, thotë zyrtari i Kryqit të Kuq, Francois Senechaud, sepse ushtarakët e tanishëm dhe të ardhshëm janë në mesin e rreth 600 milionë lojtarëve në mbarë botën.

“E dimë se ushtarët, kur argëtohen, lujanë po ashtu lojëra të tilla. Andaj, nuk u drejtohemi vetëm njerëzve që janë civilë dhe jashtë betejave të luftës. Me këto lojëra, u adresohemi luftëtarëve të ardhshëm, vendimmarrësve dhe po ashtu atyre njerëzve që janë në betejat bashkëkohore”, thotë Senechaud.

Zëdhënësi i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Bernard Barrett, thotë se organizata nuk kërkon nga krijuesit e lojërave që të censurojnë prodhimet e tyre, por do që lojërat të respektojnë rregullat themelore të konfliktit të armatosur dhe të përfshijnë dënime për lojtarët që kryejnë krime lufte.

Një gjë e tillë do t’iu përmirësonte njohuritë për rregullat e luftës miliona lojtarëve, të cilët, sipas Kryqit të Kuq, mund të premtojnë respekt më të madh për Ligjin Humanitar Ndërkombëtar në betejast e së nesërmes.

Lidhja midis dhunës virtuale dhe sjelljes njerëzore ka qenë subjekt i studimeve të panumërta dhe së shpejti do të jetë subjekt i seancave dëgjimore në Kongresin amerikan.

Por, ndikimi i video-lojërave në botën reale vazhdon të mbetet çështje e hapur.

“Activision”, kompania që ka bërë lojën e njohur ushtarake “Call of Duty”, nuk i është përgjigjur kërkesës për koment, por prodhuesi ekzekutiv i lojës, Mark Rubin, i ka thënë ueb-faqes “Game Informer” se lojërat janë qartazi jashtë sferës së realitetit.

Shumë gjëra që shfaqim në lojë janë bërë nga dikush, por ato nuk përfaqësojnë atë që bëjnë ushtarakët. Ne vetëm përpiqemi të bëjmë një film tërheqës”, ka thënë Rubin.

Marek Spanel nuk pajtohet. Ai është shef ekzekutiv në video-kompaninë, “Bohemia Interactive”, me qendër në Pragë, dhe thotë se loja më e shitur e kësaj kompanie “Arma” është aq reale, saqë shumë qeveri e përdorin atë për të stërvitur ushtarët.

“Këto lojëra përdoren nga organizata të ndryshme ushtarake në botë, si për shembull në Shtetet e Bashkuara, Australi, Mbretëri të Bashkuar, pothuajse në të gjitha vendet e NATO-s, sepse shihen si metodë shumë efikase për stërvitjen e njerëzve”, thotë Spanel.

Kjo ndoshta është edhe arsyeja përse Kryqi i Kuq i ka kërkuar kompanisë që t’i bashkohet fushatës së tij. Drejtori kreativ, Ivan Buchta, thotë se nuk ka hezituar.

“Kur jemi kontaktuar fillimisht nga Kryqi i Kuq, me ofertën për t’u konsultuar me Ligjin Humanitar Ndërkombëtar, mendimi im i parë ishte: Ua, do të mësojmë diçka të re që mund ta vëmë në lojë dhe ta bëjmë më autentike”, shprehet Buchta.

Kërkesa ka bërë që “Bohemia Interactive” të shohë se si konsumatorët i luajnë këto lojëra dhe Spanel thotë se kanë zbuluar një fakt shqetësues.

“Kemi kuptuar se disa lojtarë futen në lojë, marrin armën dhe qëllojnë gjithçka që lëviz. Kemi menduar se kjo nuk është e drejtë dhe kemi përfshirë një mekanizëm të thjeshtë, por shumë intuitiv. Kështu që, nëse ju e bëni këtë dhe përreth jush ka trupa miqësore, ato do t’ju qëllojnë ju”, shpjegon Spanel.

Fushata e Kryqit të Kuq është ende në fillimet e saj dhe mbetet të shihet nëse më shumë kompani të video-lojërave do t’i bashkohen.

Por, lojtarët që kanë dëgjuar për këto përpjekje, janë skpetikë - gjykuar nga disa komente që kanë postuar në ueb-faqen “Tech Dirt”.

“Këta njerëz kanë nevojë për trajtim të menjëhershëm psikiatrik nëse nuk mund ta dallojnë fantazinë nga realiteti”, ka shkruar një komentues.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG