Ndërlidhjet

“Grupi vetëvrasës” i Partisë Republikane


Kritikët i quajnë “anarkistë” dhe i akuzojnë për “terroizëm politik”. Mbështetësit, në anën tjetër, thonë se janë parimorë.

“Ata” janë një grup prej 80 ligjvënësish republikanë në Kongres, agjenda konservatore e të cilëve ka hedhur rërë mbi mekanizmat e qeverisë dhe ka ndezur luftë të hapur brenda partisë së tyre.

Më 30 shtator, ky bllok i fuqishëm ka bërë që republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve të mos miratojnë ligjin për shpenzime të qeverisë, i cili nuk dobësonte programin Obamacare – ligj i vitit 2010, i cili u kërkon të gjithë amerikanëve të blejnë sigurime shëndetësore, por që kundërshtohet nga shumica e republikanëve.

Senatori republikan, John McCain, e ka cilësuar si “të panevojshme” mbylljen e pjesshme të qeverisë. Ashtu ka bërë edhe presidenti Barack Obama.

“Në mesnatën e së martës, për herë të parë në 17 vjet, republikanët në Kongres kanë vendosur të mbyllin qeverinë federale. Më lejoni të jem më specifik: një fraksion i një partie në njërën dhomë të Kongresit ka mbyllur pjesë të mëdha të qeverisë, vetëm pse nuk e ka pëlqyer një ligj”, ka thënë Obama.

William Gallston, ekspert i qeverisjes në Institutin Brookings, tregon se çfarë e ka çuar në këtë vendim grupin parlamentar të Tea Party.

“Ai është një grup i republikanëve shumë konservatorë, që kanë tendencë të jenë shumë armiqësorë ndaj zgjerimit të shpenzimeve qeveritare apo pushtetit të qeverisë, që besojnë se qeveria e kufizuar është e mirë jo vetëm për ekonominë, por edhe për liritë individuale, dhe që besojnë se të gjitha ndryshimet në Qeverinë dhe shoqërinë amerkane, në dekadat e fundit, kanë qenë në drejtim të gabuar”, thotë Gallston.

Përçarja që ka nisur midis dy fraksioneve të republikanëve, nga disa cilësohet si luftë për shpirtin e partisë.

Në njërën anë janë figurat e larta si McCain, i cili ka thënë se ekstremistët e Tea Party janë “zogj të çmendur”, ndërsa në anën tjetër janë ligjvënësit e rinj, si senatori Rand Paul, i cili beson se “Partia Republikane është një enë bosh nëse nuk e mbushim me vlera”.

Shumica e anëtarëve të këtij grupi konservator janë zgjedhur më 2012 ose 2010, me një platformë të ndjekjes së ngurtë të vlerave konservatore sociale dhe politikave antiqeveritare. Pothuajse të gjithë përfaqësojnë shtetet jugore që në zgjedhjet presidenciale të 2012-ës kanë votuar për Mitt Romneyn.

Dhe, si duket nuk ka pasur asnjë çështje më të rëndëishme për ta sesa premtimi për të anuluar programin Obamacare, të cilin e konsiderojnë si kërcënim për liritë individuale.

Revista “The New Yorker” e ka cilësuar këtë grup si “vetëvrasës” për taktikat e pazakonta politike.

Analisti Kyle Kondik, nga Qendra për Politika e Universitetit të Virxhinias, fajëson udhëheqësinë e dobët të Partisë Republikane.

“Udhëheqësia nuk është aq e fuqishme tani. John Boehner, prejse është zgjedhur lider i Dhomës së Përfaqësuesve më 2011, ka pasur vështirësi për të bindur grupin (Tea Party) për të bërë atë që ai donte të bëhej. Ai është ndoshta lideri më i dobët në historinë e fundit”, thotë Kondik.

Edhe pse 12 republikanë kanë votuar kundër mbylljes së qeverisë, të tjerët kanë mbetur sfidues deri në fund.

Kur Andrea Mitchell nga MSNBC ka pyetur ligjvënësin republikan, Jason Chaffetz, për komentet e McCainit se mbyllja nuk do të sjellë asgjë, ai është përgjigjur:

“Nuk më intereson se çfarë mendon McCain. Nuk më intereson”.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG