Ndërlidhjet

Për dhe kundër vellos myslimane në Britani


Ilsutrim
Ilsutrim
Qeveria e kryeministrit britanik, David Cameron, ka tentuar të mos përfshihet në debatet për gratë myslimane, të cilat mbulojnë fytyrën në publik ose në institucionet shtetërore, si shkollat apo gjykatat.

Por, një gjykatë në Londër ka rindezur debatin në Britani në nivele të papara qysh në vitin 2006, kur kryeministri i atëhershëm, Tony Blair, i ka cilësuar vellot si “shenja ndarëse”.

Gjykatësi Peter Murphy ka vendosur të hënën që një myslimaneje 22-vjeçare nga Londra, e akuzuar për frikësimin e një dëshmitari në një rast tjetër, t’i lejohet veshja e vellos në sallën e gjyqit. Por, ka kërkuar që ta heqë atë gjatë dhënies së dëshmisë, në mënyrë që gjykatësit, juria dhe avokatët të shohin fytyrën e saj dhe të vlerësojnë dëshminë.

Gruaja, e cila nuk mund të emërohet për shkaqe ligjore, ka thënë se zbulimi i fytyrës para burrave që nuk janë anëtarë të familjes së saj të ngushtë, është kundër besimeve të saj fetare.

Në përpjekje për të zbutur situatën, Murphy ka thënë se e pandehura mund të bllokohet me një perde, në mënyrë që të mos shihet nga publiku i gjerë gjatë kohës sa dëshmon.

Megjithatë, gjykatësi ka thënë se “asnjë praktikë apo traditë, qoftë fetare apo tjetër, nuk mund të pretendojë një pozicion aq të privilegjuar, sa të sakrifikojë sundimin e ligjit”.

Vendimi i Murphyt tani shërben si precedent ligjor për gjyqe të tjera. Murphy ka shfaqur shpresën se Parlamenti britanik ose një gjykatë më e lartë do të lëshojë një vendim definitiv për çështjen.

Polemika për veshjen islamike në Evropë ka çuar në argumente përçarëse politike. Disa vende, si Franca dhe Belgjika, madje kanë miratuar ligje, që ndalojnë mbulimin e plotë të fytyrës në publik.

Është një debat që sjell argumente për masat antiterroriste. Ai po ashtu vë përballë mbështetësit e lirisë fetare dhe të lirisë së zgjedhjes me ata që e shohin vellon islamike si simbol të shtypjes kulturore të grave.

Ministri britanik për parandalimin e krimit dhe reduktimin e sjelljes antisociale, Jeremy Browne, thotë se qeveria duhet të mendojë ndalimin e vellos, në mënyrë që të mbrojë disa gra të reja myslimane, të cilat detyrohen ta veshin atë kundër vullnetit të tyre.

Browne, liberal-demokrat, i ka thënë britanikes “Daily Telegraph” se ndalimi i vellos “është temë e mirë për debat kombëtar”.

Sarah Wollaston, anëtare e parlamentit nga Partia Konservatore, e cila është në koalicion qeverisës me liberal-demokratët, ka kërkuar ndalimin e vellos në shkolla dhe kolegje. Wollaston i ka thënë agjencisë Reuteres, pas vendimit të së hënës, se ajo e konsideron vellon islamike si simptomë të “qëndrimeve regresive” kundër grave.

“Mendoj se është koha për gratë që të bëjnë një deklaratë të qartë… Në fakt, fuqizimi i vërtetë i grave vjen nga të qenët në gjendje për të komunikuar plotësisht me publikun”, ka thënë Wollaston.

Por, zëvendëskryeministri Nick Clegg, udhëheqës i liberal-demokratëve, ka thënë se ai nuk pajtohet me kodet e veshjes, të miratuara nga shteti.

“Nuk mendoj se duhet të ndalojmë vellon. Nuk mendoj se duhet të bëjmë atë që bëjnë vendet e tjera… Së shpejti, njerëzit do të nisin të na thonë se duhet të ndalojmë mbajtjen e kryqit në qafë. Ne jemi vend i lirë, ku njerëzit janë të lirë për t’u shprehur ashtu si janë, për të shprehur identitetin e tyre, besimin dhe përkatësinë”, ka thënë Clegg.

Mohammed Shafiq kryeson Fondacionin Ramadahan në Britani - një organizatë që synon të ndihmojë të rinjtë myslimanë në këtë vend dhe të nxisë dialogun ndërfetar. Ai thotë se e drejta për të veshur vellon duhet të konsiderohet si liri fetare.

“Nëse besoni në liberalizim, nëse besoni në lirinë individuale, atëherë duhet të besoni se të gjithë njerëzit, pavarësisht nga besimi i tyre, pavarësisht nga gjinia e tyre, duhet të jenë të lirë për të ushtruar besimin e tyre dhe për të zgjedhur veshjen”, thotë Shafiq.

Por, Shalina Litt, një myslimane nga Londra, e cila mbulon plotësisht fytyrën në publik, thotë se vendimi i së hënës është i drejtë.

“Mendoj se është i mirë. Është i drejtë. Është i balancuar sepse ai ka ruajtur lirinë e saj të zgjedhjes. Rasti ku duhet të heqë vellon po ashtu është shqyrtuar”, thotë Litt, e cila, megjithatë, është e shqetësuar me idenë e një debati kombëtar në Britani, lidhur me këtë çështje.

“Është për keqardhje që njerëzit synojnë vetëm gruan myslimane dhe vellon e saj, thuajse vetëm gratë myslimane janë ato që praktikojnë këtë aspekt të Islamit”, shprehet ajo.

Një zëdhënës i kryeministrit Cameron ka thënë se Qeveria e Britanisë mbështet të drejtën e institucioneve, të tilla si shkollat, për të vendosur politikat e tyre rreth uniformave dhe kodeve të veshjes, brenda kornizës së ligjeve anti-diskriminuese.(v.tela)
XS
SM
MD
LG