Ndërlidhjet

Çfarë dimë për Al Kaidën në Siri?


Një luftëtar turk i grupit xhihadist Al-Nusra Front, duke mbajtur flamurin e Al-Kaidës në xhaketën e tij (në mes), mban pozicion me shokë në afërsi të Aleppos, Siri.
Një luftëtar turk i grupit xhihadist Al-Nusra Front, duke mbajtur flamurin e Al-Kaidës në xhaketën e tij (në mes), mban pozicion me shokë në afërsi të Aleppos, Siri.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, u ka thënë ligjvënësve amerikanë se sulmet e kufizuara ushtarake kundër caqeve të regjimit sirian nuk do të forcojnë militantët e Al Kaidës në Siri. Kerry ka thënë se opozita siriane është bërë gjithnjë e më e moderuar. Por, presidenti rus, Vladimir Putin, e ka quajtur atë gënjeshtar, i cili “e di se po gënjen”.

Përse forca e Al Kaidës brenda opozitës siriane është bërë çështje e rëndësishme?

Ligjvënësit amerikanë janë duke debatuar nëse duhet kryer sulme ushtarake kundër regjimit të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, në përgjigje të sulmit kimik, në periferi të Damaskut. Një argument kundër sulmeve amerikane është pretendimi se Al Kaida do të jetë përfituesi kryesor dhe do të rrisë forcën brenda opozitës siriane. Ky argument është dhënë nga regjimi i Assadit, i cili thotë se luftëtarët opozitarë kanë qenë gjithmonë “terroristë”. Zyrtarët rusë kanë mbështetur këtë pretendim, duke thënë se opozita e Sirisë është një lëvizje e dominuar nga Al Kaida.

Çfarë thotë administrata e presidentit Barack Obama për balancën midis Al Kaidës dhe të moderuarve në opozitën siriane?

Uashingtoni nuk jep numra specifikë për militantët e Al Kaidës që mendohet të jenë pjesë e opozitës siriane. Por, në një dëshmi para Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Amerikan, sekretari i i shtetit, John Kerry, ka thënë se është jokorrekte të thuhet se opozita e Sirisë është duke u bërë gjithnjë e më shumë e infiltruar nga militantët e Al Kaidës.

Kerry u ka thënë ligjvënësve se “ekstremistët” përbëjnë 15 deri në 25 për qind të të gjithë luftëtarëve anti-regjim në Siri. Ai ka thënë se numri total i kryengritësve opozitarë është “dhjetëra-mijëra”.

“Opozita po përcaktohet gjithnjë e më shumë nga moderimi i saj, nga aderimi në procesin demokratik dhe gjithëpërfshirës”, ka thënë Kerry.

Çfarë dimë për praninë e Al Kaidës në Siri?

Janë dy fraksione kryesore të Al Kaidës që luftojnë në Siri. Njëri është Al Kaida në Irak, e cila udhëhiqet nga Abu Bakr al-Baghdadi. Muajin e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar se Baghdadi ka lëvizur bazën e tij të operacioneve në Siri.

Fraksion tjetër i Al Kaidës në Siri është Fronti Al-Nusra. Ai është formuar në fillim të vitit 2012 me ndihmën e Al Kaidës në Irak. Fronti Al-Nusra tani udhëhiqet nga Mohammad al-Golani, shtetas sirian, i cili fillimisht ka minimizuar lidhjet e grupit me Al Kaidën. Al-Nusra tani deklarohet hapur për besnikërinë ndaj udhëheqësit egjiptian të Al Kaidës, Ayman Zawahiri, i cili mendohet se fshihet në Pakistan.

Pavarësisht liderëve të ndryshëm, dy fraksionet e Al Kaidës në Siri bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të luftuar regjimin e Assadit. Ato, po ashtu, kanë arritur të rekrutojnë militantë sunitë si vullnetarë të huaj në Siri.

Çfarë thonë ekspertët perëndimorë për fuqinë e Al Kaidës brenda opozitës siriane?

Shiraz Maher, ekspert i ekstremizmit islamik në Kolegjin Mbretëror të Londrës, thotë se xhihadistët e lidhur me Al Kaidën, të cilët duan sundimin islamik, janë në njërën anë të grupeve opozitare. Në anën tjetër, sipas tij, janë sirianët laikë, të cilët thjesht luftojnë për lirinë e tyre dhe përbëjnë shumicën e opozitës.

Por, Maher tërheq vërejtjen se militantët e Al Kaidës në Siri janë fuqizuar relativisht, sepse kanë qasje te burrat, të hollat dhe municionet - qasje që të moderuarit nuk e kanë. Ai thotë se situata forcon arsyen për ndërhyrje më të madhe të Perëndimit, për të forcuar në këtë mënyrë elementet më të moderuara të opozitës siriane.

Bruce Riedel, drejtor i Projektit të Inteligjencës në Institutin Brookings, thotë se çdo ndërhyrje ushtarake që sulmon forcat e Assadit dhe degradon aftësitë e tyre do të ndikojë pashmangshëm në balancën e pushtetit. Riedel i përshkruan fraksionet e Al Kaidës në Siri si të forta dhe në rritje. Ai konstaton se Kongresi amerikan duhet të miratojë një përpjekje të fuqishme për të shpërbërë dhe mposhtur fraksionet e Al Kaidës, përpara se ato të bëhen kërcënim edhe më i madh.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka quajtur gënjeshtar sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, duke thënë se Kerry ka mohuar para ligjvënësve amerikanë se Al Kaida operon në Siri. Çfarë ka thënë saktësisht Putin për dëshminë e Kerryt?

Putin ka pohuar se Kerry ka dëshmuar para Kongresit amerikan se në Siri nuk ka ndonjë luftëtar të Al Kaidës.

“Kam parë debatet në Kongresin amerikan. Një kongresist ka pyetur Kerryn: ‘A ekziston Al Kaida atje? Ka zëra se ajo po forcohet gjithnjë e më shumë’. Kerry është përgjigjur: ‘Jo, ju them se nuk ka asnjë atje’. Fakt i vërtetë është se në Siri vepron e ashtuquajtura Al-Nusra, e cila është njësi e Al Kaidës. Ata e dinë këtë. Ai po thoshte një gënjeshtër, duke e ditur se po gënjen. Kjo është keq”, ka thënë Putin.

Çfarë iu kanë thënë ligjvënësve amerikanë dhe publikut amerikan Kerry dhe administrata Obama në lidhje me kërcënimin që vjen nga luftëtarët e Al Kaidës në Siri?

Kerry dhe presidenti Barack Obama kanë shfaqur shqetësimin se armët kimike të regjimit të Assadit mund të bien në duart e luftëtarëve të Al Kaidës dhe më vonë të përdoren kundër Shteteve të Bashkuara apo aleatëve të tyre. Kerry u ka thënë ligjvënësve amerikanë se kjo është një nga arsyet përse duhet të kryhen sulme ushtarake kundër regjimit të Assadit - për të degraduar arsenalin e tij bërthamor.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG