Ndërlidhjet

Kerry: Vendbanimet jolegjitime, palestinezët të mos reagojnë armiqësisht


John Kerry
John Kerry
Miratimi i ndërtimit të vendbanimit të ri të Izraelit, disa ditë para takimit të negociatorëve palestinezë e izraelitë, nuk paraqet një goditje të shpejtë e të papritur, prandaj palestinezët nuk duhet të “reagojnë me armiqësi”, tha sekretari amerikan i shtetit, John Kerry.

Gjatë vizitës në Kolumbi, Kerry theksoi se lejimi izraelit për ndërtimin e më se njëmijë shtëpive në vendbanim, “deri në një shkallë” ishte gjë e pritur, por “Shtetet e Bashkuara i shohin të gjitha vendbanimet si jolegjitime”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shohin të gjitha vendbanimet si jolegjitime. Kjo është politikë e Shteteve të Bashkuara, dhe ne e kemi komunikuar këtë politikë shumë qartas te miqtë tanë në Izrael, dhe ne kemi punuar për së afërmi me palestinezët, me qëllim që të përpiqemi të jemi të sigurt se çdokush e kupton se çfarë do të jetë rruga që çon përpara. Mendoj se kjo thekson, aktualisht, rëndësinë që të ulemi në tryezë me të shpejtë”, tha John Kerry, në një konferencë për shtyp në Bogota të Kolumbisë.

Të mërkurën, pritet që izraelitët dhe palestinezët t’i kthehen tryezës së negociatave, pasi para dy javësh me ndërmjetësimin e sekretarit John Kerry, i rifilluan negociatat, pasi ishin ndalur për afro tri vjet.

Në vitin 2010, palestinezët ishin të zemëruar me ndërtimin e shtëpive izraelite në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor, kështu që i ndërprenë bisedimet për arritjen e paqes ndërmjet izraelitëve e palestinezëve.

Të dielën, Izraeli shpalli ndërtimin e vendbanimit, ndërsa më tepër se gjysma e shtëpive të reja janë miratuar në Jerusalemin Lindor dhe pjesa tjetër në Bregun Perëndimor, të gjitha këto territore, të cilat pretendohen nga palestinezët, se do të jenë në kuadër të shtetit të tyre të ardhshëm.

Negociatori palestinez, Mohammed Shtayyeh, ka vlerësuar se shpallja për ndërtimin e vendbanimit izraelit është “provë e qartë” se Qeveria e Izraelit nuk “është serioze për bisedime”.

Shefi i ekipit negociator të palestinezëve, Saeb Erakat, tha se palestinezët janë “të përkushtuar” për t’i dhënë “çdo shans që e meriton” përpjekjes së fundit për paqe.

“Kërkoj nga të gjitha palët, që të mos reagojnë armiqësisht ose të provokojnë armiqësi... por ta kuptojnë rëndësinë e momentit që çdokush e ka arritur këtë”, tha Kerry.

Washingtoni ka shqetësime se ndërtimi i më tepër vendbanimeve nga Izraeli, mund t’i çrregullojë bisedimet.

Izraeli të hënën e ka paraqitur listën e 26 personave palestinezë, që mbahen në burgjet izraelite, për të cilët është thënë se do të lirohen para fillimit të bisedimeve të së mërkurës.

Më se 500 mijë izraelitë jetojnë në një duzinë të vendbanimeve të ndërtuara nga Izraeli në tokën e okupuar në vitin 1967, në Luftën e Lindjes së Mesme.

Pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar konsideron se vendbanimet janë jolegjitime.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG