Ndërlidhjet

Serbia kërkon rrjetin e gjykatave, veriu kundërshton


Qeveria e Serbisë
Qeveria e Serbisë
Përderisa raundet e reja të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, synojnë mbylljen e strukturave paralele të sigurisë dhe të drejtësisë në veri, si dhe ri-integrimin e qytetarëve serb në institucionet e Kosovës të këtyre fushave, zyrtarët e qeverisë serbe tashmë kanë theksuar se Qeveria e Kosovës duhet ta vendos rrjetin e gjykatave në veri të vendit, deri në fillim të muajit shtator.

Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin ka deklaruar se në vendbanimet me shumicë serbe duhet të ekzistojnë gjykatat themelore, si dhe gjyqi i apelit në Mitrovicë.

Sipas tij, këto gjykata duhet të përcillen edhe me rrjetin përgjegjës të prokurorisë.

“Afati është deri më 1 shtator. Shteti serb i ka përmbushur të gjitha përgjegjësitë e veta dhe përveç kësaj, ka pushuar të marrë raste të reja që nga 15 korriku. Do të ishte logjike që edhe Prishtina t’i kryej obligimet. Obligim i saj është që më së largu deri më 1 shtator të mundësojë procesin e integrimit, sepse nuk do të mund të ketë proces të integrimit, pa vendosjen e rrjetit të ri të gjykatave”, ka thënë Vulin.

Në anën tjetër, liderët e serbëve të veriut ende vazhdojnë t’i kundërshtojnë marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe këto kundërshtime përkojnë edhe lidhur me shpërbërjen e strukturave të sigurisë dhe drejtësisë në veri.

Njëri prej këtyre liderëve, Marko Jakshiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se qeveria serbe me veprimet e saj karshi veriut po e shkel Kushtetutën e Serbisë dhe se veprimet e tilla janë të papranueshme për serbët e veriut.

“Duke parë disponimin e serbëve në veri të Kosovës, mendoj se ata janë tërësisht kundër këtyre planeve dhe kundër të gjitha këtyre veprimeve të Beogradit. Fatkeqësisht, nuk kanë mundësi që t’i ndalojnë ato. Munden vetëm që t’i mohojnë ato e ndonjëherë në mënyrë edhe më të zëshme”, ka thënë Jakshiq.

Megjithatë, sipas tij, serbët që kanë punuar në strukturat e sigurisë dhe në gjyqësi, vazhdojnë ende të marrin pagat nga shteti i Serbisë.

Në anën tjetër, Vulin ka theksuar se gjykatat në veri edhe pas 1 shtatorit do të funksionojnë ashtu siç kanë funksionuar deri më sot.

“Gjykatat do të funksionojnë ashtu siç kanë funksionuar deri më sot. Ne popullin tonë nuk do ta lëmë pa ligj dhe pa drejtësi. Ndërkaq, për pasojat, duhet të mendoj bashkësi ndërkombëtare”, ka thenë Vulin.

Por, Jakshiq ka theksuar se as Beogradi dhe as Prishtina nuk do të gjejnë gjykatës serbë në veri të Kosovës që do të punojnë sipas ligjeve të shtetit të Kosovës.

“Asnjë gjykatës në sistemin gjyqësor të shtetit të Serbisë nuk do të pranojë institucionin e ri dhe të kaloj nga një shtet në shtetin tjetër. Këtë nuk do ta bënte asnjë njeri normal".

"Në anën tjetër, asnjërin prej atyre njerëzve, Beogradi nuk ka të drejtë t’i urdhëroj. Të gjithë ata njerëz marrin pagat duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e shtetit të Serbisë dhe kjo nuk guxon të anashkalohet”, ka thënë Jakshiq.

Ndryshe, zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri, ka thënë se deri më 1 shtator duhet të ndodhë mbyllja e plotë e të gjitha strukturave ilegale të drejtësisë ndërsa deri më 30 shtator duhet të ndodhë integrimi dhe komplet zhbërja e çfarëdo strukture ilegale që ekziston në fushën e sigurisë.

Sipas saj, ekzistojnë kritere për riintegrim, ndërkohë që kriteret për punësim në institucionet e Kosovës në veri, do të bëhet në bazë të kornizave ligjore dhe mundësive që kanë institucionet e Kosovës

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG