Ndërlidhjet

Projektligji për amnistinë - politik


Projektligji për amnisti, i cili veç tjerash ka ardhur si rezultat i marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pritet që shumë shpejt të kalojë në shqyrtimin e parë nga legjislativi.

Tashmë, për ketë çështje, komisioni për legjislacion ia ka dhenë dritën jeshile. Me gjithë kundërshtimet dhe kritikat që i kanë pasur anëtaret e komisionit lidhur me përmbajtjen e projektligjit, ata kanë thënë se fillimisht ai duhet të dalë në leximin e parë para legjislativit.

Nënkryetari i komisionit Behar Selimi, i cili ka kryesuar mbledhjen, theksoi se veç tjerash duhet pranuar se ky ligj është edhe politik.

Ky projektligj është ashtu siç është, dhe përveç atij karakterit human për një numër të qytetareve të përkatësisë kombëtare shqiptare që janë në vuajtje të dënimit, adresohet edhe në ata që u kanë takuar strukturave ilegale të cilët kanë drojë nga shpërbërja prej ndjekjes penale".

"Në bisedime është marr një obligim dhe ky projektligj i përfshin edhe ata. Ne duhet të themi se ky projektligj ka karakter human, social, por, ka edhe karakter politik”, ka shpjeguar Selimi, dhe ka shtuar se projektligj në kuvend ka ardhur në mënyrë të përshpejtuar si vullnet i liderëve të tri subjekteve më të mëdha politike.

Nga ana tjetër, subjekti politik Vetëvendosje e ka kundërshtuar fuqishëm projektligjin duke thënë se nëpërmjet tij do të instalohet brenda strukturës së legjislacionit të Kosovës një mekanizëm i tmerrshëm i drejtësisë selektive.

Albulena Haxhiu, anëtare e komisionit nga Vetëvendosje tha se amnistia e vërtetë që po kërkohet këtu është për pjesëtarët e MUP-it, dhe e organeve tjera të aparatit represiv të shtetit të Serbisë të instaluara në territorin e Kosovës, të cilat i kanë kryer të gjitha krimet ndaj shtetit dhe ndaj popullatës së Kosovës.

“Po amnistohen serbet ende pa nisur procedura e hetimi, identifikimi i krimit, të kriminelit, dënimi i kriminelit e më pastaj amnistia pas një kohe të vuajtjes së dënimit. Pra, me këtë projektligj po amnistohen krimet që janë kryer ndaj Kosovës dhe rendit kushtetues. Po amnistohen ata të cilët tashmë janë duke u hetuar, e kam fjalën për strukturat ilegale të Serbisë. Tash po kërkohet që për interesat e Daqiçit që ata të amnistohen”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha po ashtu se këtë projektligj po synohet vendosja institucionale e padrejtësisë në Kosovë, e kjo padrejtësi, siç tha ajo, do të jetë në vazhdimësi.

“Po amnistohen ata që tashmë e kanë marrë denimin, jo vetëm kriminelet, por edhe ata të korruptuarit në momentin e shpalljes së dënimit do të kenë të drejtën që të aplikojnë për amnisti. Kur thotë zoti Kuçi që ky ligj ka të bëjë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe jo vetëm për një etni, sigurisht që e ka fjalën për kriminelët e korruptuar", tha Haxhiu.

Ajo shtoi se mbledhja e caktuar për ditën e hënë ka ra ndesh me rregulloren e punës së Kuvendit, pasi që sipas saj, në nenin 64 paragrafi 4 të Rregullores së Punës, thuhet që anëtarët e komisionit njoftohen jo më vonë se katër ditë pune para se të mbahet mbledhja, e jo ashtu siç ka ndodhur.

Kurse ish-ministri i drejtësisë, tani anëtar i komisionit për legjislacion, Haki Demolli, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e kritikoi projektligjin dhe vlerësoi se me këtë projektligj kryesisht synohet të amnistohen kryesit e komunitetit serb.

“Nga dispozita e këtij projektligji shihet se ky ligj ka për qëllim të amnistojë kryerësit e komunitetit serb të cilët me vite të tëra, kanë rrezikuar dhe cenuar rendin kushtetues të Kosovës, kanë dëmtuar dhe rrezikuar pasurinë e qytetarëve të vendit tonë".

"Kanë nxitur urrejtje dhe përqarje nacionale fetare dhe etnike, kanë cenuar rendin dhe sigurinë, kanë cenuar dhe rrezikuar ekonominë e vendit dhe kanë kryer vepra të tjera penale si në dëm të individëve, ashtu edhe në dëm të vendit tonë”, tha Demolli dhe shtoi se një gjë e tillë tentohet të kamuflohet me dispozita e nenit tre të projektligjit.

Klikoni këtu për të lexuar nenin tre të projektligjit

Ndryshe, të burgosurit në Burgun e Dubravës, të cilët tash e sa ditë kanë hyrë në grevë kërkojnë që ky projektligj të ndryshojë.

Ushtruesi i detyrës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, Shemsi Hajrizi tha për Radion Evropa e Lirë se të burgosurit janë në grevë, por gjendja është e qetë.

“Për momentin numri ka rënë në 477, kështu që ka ndryshime të kohëpaskohëshme”, tha Hajrizi.

Ky ligj thuhet se rregullon kushtet dhe procedurën me të cilën jepet amnisti për personat të cilën janë dënuar për një vepër penale, personat të cilët janë nën ndjekje penale për vepra penale, apo personat të cilët mund të jenë objekt i ndjekjes penale për veprat penale të kryera para 20 qershorit 2013 brenda territorit që tani përbën Republikën e Kosovës.
XS
SM
MD
LG