Konsideroj se kjo është mënyra e vetme se si ne mund të jemi më të suksesshëm në këtë proces, gjegjësisht të punojmë bashkë në temën e integrimeve evropiane dhe sfidën më të madhe në këtë proces, siç është zgjidhja e çështjes së emrit, si temë e hapur ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, dhe këto tema të mos shfrytëzohen si marketing i politikës ditore, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Fatmir Besimi.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Besimi, si e komentoni kërkesën e deputetit Antonio Milloshovski, nga VMRO DPMNE-ja, partneri juaj qeveritar, që ju të mendoni për dorëheqje nga posti që keni, si pasojë e dështimeve të Maqedonisë në procesin integrues pas samitit të Brukselit?
FATMIR BESIMI
Unë tërësisht jam i angazhuar në agjendën e integrimeve evropiane të vendit dhe nuk kam menduar për një prononcim të këtillë që bën zoti Milloshovski për mediat. Ndërkaq, sa i përket këtij procesi, gjithsesi se është një angazhim dhe detyrë e jona që të vazhdojmë me këtë proces.
Më duhet të theksoj se ai, me siguri nuk e ka përcjellë këtë periudhë dhe s`i ka ndjekur sa duhet mesazhet dhe qëndrimet publike nga takimet e realizuara në Bruksel dhe vendet e tjera evropiane, si dhe parlamentin e vendit, lidhur me këto tema.
Gjithsesi, qëndrimi im edhe tani është parimor, i hapur dhe transparent dhe realist, si me institucionet e vendit, ashtu edhe me diplomatët, si në Bruksel dhe vendet tjera evropiane që t`i ndihmojmë procesit. Po edhe në këtë rast, i bëj një ftesë publike jo vetëm atij (deputetit Antonio Milloshovski), por edhe të tjerëve që çdo kush nga ne, të japë kontributin e vet për këtë proces aq të rëndësishëm.
Konsideroj se kjo është mënyra e vetme se si ne mund të jemi më të suksesshëm në këtë proces, gjegjësisht të punojmë bashkë në temën e integrimeve evropiane dhe sfidën më të madhe në këtë proces, siç është zgjidhja e çështjes së emrit, si temë e hapur ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, dhe këto tema të mos shfrytëzohen si marketing i politikës ditore.
Këto janë tema në interes shtetëror në planin afatgjatë dhe të gjithë qytetarët kanë interes që vendi ynë sa më parë të jetë anëtar i BE-së, gjegjësisht strukturave euroatlantike. Ndërsa, ajo që ndodhi në samitin e qershorit të BE-së për ne nuk është befasi, për ne është diçka e pritur, sepse konkluzat e dhjetorit akoma nuk janë përmbushur, tema e cila është sfida më e madhe e vendit, çështja e emrit, ende nuk ka marrë zgjidhje.
Megjithatë, takimin e KE-së të qershorit, unë e shoh si proces pozitiv në kuptimin e zgjerimit evropian në Ballkanin Perëndimor, sepse mund të them kemi lajme të mira siç është anëtarësimi i Kroacisë në BE, rekomandimi i BE-së për caktimin e datës për fillimin e bisedimeve me Serbinë dhe fillimi i procesit për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me Kosovën. Në këtë drejtim dhe mund të them se këto janë lajme shumë të mira që kanë të bëjnë me euro-optimizmin në rajon dhe ne, si shtet, do të vazhdojmë të punojmë me një entuziazëm gjithashtu të fuqishëm për reformat që vijnë, duke vendosur si një nga prioritet më kryesore zgjidhjen e kontestit për çështjen e emrit që ka Maqedonia me Greqinë.
RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, në prononcimin tuaj kësaj radhe ishit mjaft konciz, se Maqedonia pos kontestit për çështjen emrit që ka me Greqinë, Maqedonia çalon sa i përket procesit të integrimit, ngase disa institucione të vendit nuk kanë përmbushur në nivelin e duhur obligimet e përcaktuara me konkluzat e dhjetorit të KE-së. Mund të precizoni se për cilat institucione bëhet fjalë dhe në cilat detyrime Maqedonia ngec, sa i përket realizimit të reformave përcaktuar nga komuniteti ndërkombëtar?
FATMIR BESIMI
Sa i përket agjendës evropiane, gjithsesi përveç që janë temat e hapura me fqinjët, ne kemi edhe agjendën e reformave në kuadër të dialogut në nivel të lartë për qasje në BE dhe këto tema vazhdimisht bisedohen.
Një nga sfidat kryesore të kësaj periudhe, siç është vendosja e dialogut politik, gjegjësisht marrëveshja politike, e cila u arrit në mars të këtij viti, pas disa muajsh ngecje në këtë proces, pastaj pasojë vonesa me formimin e komisionit anketues.
Mirëpo, është lajm i mirë që përbërja e këtij komisioni u vendos dhe priten konkluzat që do të dalin nga ky komision, me qëllim që Maqedonia të tregojë kapacitete politike të institucioneve, sipas standardeve evropiane të ashtuquajtura kritere politike të Kopenhagës.
Në këtë drejtim ne do të vazhdojmë në të ardhmen që të tregojmë progres në të gjitha sferat, me qëllim që në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian, këto tema t’i kemi tejkaluar si sfida. Gjithashtu, do të vazhdojmë dhe me reformat tjera, të cilat janë paraparë në të gjitha dikasteret e përcaktuara si prioritet për Republikën e Maqedonisë.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti zëvendëskryeministër, çka pas kësaj, mendoj dështimit të Maqedonisë në këtë samit të BE - mbase është krijuar një rregull i pashkruar të kërkohet organizimi i zgjedhjeve të parakohshme? Edhe kjo çarje e qëndrimeve që keni me partnerin tuaj qeverisës mund të lexohet si parapërgatitje që çon vendin në zgjedhje të parakohshme?
FATMIR BESIMI
Në këtë rast, më duhet të theksoj se agjenda evropiane, ajo e integrimeve euro-atlantike në përgjithësi nuk paraqesin agjendë për kusuritje të politikës ditore. Për këtë kemi dhe qëndrim zyrtar të qeverisë, të gjithë koalicionit qeveritar se integrimet evropiane janë interes parësor i vendit dhe interes strategjik, duke qenë një nga pesë prioritetet që kemi miratuar si parlament dhe këtu nuk ka dilema se është interes i përbashkët yni.
Në kuadër të dikastereve që drejtojmë dhe në kuadër të ndikimit politik që mund të kemi ne, si zyrtarë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, si dhe takimet diplomatike që i bën zoti Ali Ahmeti si lider i BDI-së, të gjitha këto janë në kuadër të kontributit tonë plotësues që mund të japim brenda këtij procesi, me qëllim që sa më parë të ecim në këtë drejtim të integrimit euro-atlantik të vendit. Vlerësojmë se kjo është në të mirë të të gjithë qytetarëve që është dhe pjesë programit tonë politik, i bërë publik si gjatë fushatës zgjedhore, ashtu edhe në programin e Qeverisë.
Më duhet të theksoj se nuk bëhet fjalë për kurrfarë taktizimi për momentin ose ajo që ka të bëjë me KE-në.
E theksoj se samiti i KE-së në Bruksel dhe temat në të, për ne nuk janë befasi, e vlerësoj pozitivisht progresin që është arritur në vendet tjera të rajonit dhe ne tani edhe më tutje do të vazhdojmë të punojmë në agjendën evropiane për periudhën që vjen me një fokus gjithashtu të veçantë edhe sa i përket prioriteteve në këtë drejtim, siç është një nga sfidat kryesore zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë.
RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi te kontesti për çështjen e emrit, mbase ishte shume qartë porosia e zotit Filip Riker gjatë qëndrimit në Shkup se për zgjidhjen e këtij kontesti, Maqedonisë i nevojitet një qasje e re, e cila do t`u hapë rrugë debateve publike për atë se çka në fakt negociohet ndërmjet dy vendeve. Gjatë kësaj periudhe, sa ka kaluar, nuk shihet kurrfarë lëvizje nga ana e qeverisë në këtë drejtim. Dhe, ka një linjë të kuqe deri kur mund të presë BDI-s që ju e përfaqësoni në Qeveri sa i përket zhbllokimit të procesit integrues, sepse duket se qytetarët shqiptarë gjithnjë e më shumë po humbasin durimin lidhur me këtë çështje?
FATMIR BESIMI
Qëndrimi ynë si parti, pra, qëndrimi i BDI-së, është bërë publik nga lideri i partisë, zoti Ali Ahmeti dhe qëndrimet zyrtare që kanë dalë nga zyrat e BDI-së në këtë drejtim vetëm do të kisha shtuar se është një kontribut i drejtpërdrejtë në interes të të gjithë qytetarëve dhe ne do të vazhdojmë t’i kontribuojmë këtij procesi, pasi është i rëndësishëm për të ardhmen e këtij vendi. Ajo që ne duam dhe që shumica e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë presin, është integrimi i vendit në BE dhe NATO.