Ndërlidhjet

Veriu shtyn konstituimin e "Kuvendit"


Mitrovicë...
Mitrovicë...
Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, në mbledhjen e së enjtes, të cilën e kanë mbajtur në Zveçan, kanë marrë vendim që ta shtyjnë për muajin korrik konstituimin e të ashtuquajturit Kuvend i Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë, të cilin e kishin paralajmëruar për datën 6 qershor.

Siç është thënë në fillim të mbledhjes, e cila ka nisur rreth orës 12, arsyet për prolongimin e konstituimit të këtij kuvendi është fakti se Qeveria e Serbisë, ditë më parë, i ka ndërruar 12 kryetarë të komunave paralele në jug të lumit Ibër, si dhe harmonizimi i akteve ligjore.

Këtë vendim e kanë miratuar 59 përfaqësues të serbëve të veriut, nga 84 sa ishin të pranishëm në këtë mbledhje.

Përfaqësuesi i serbëve të veriut, Momqillo Gvozdiq, e ka kumtuar vendimin, i cili është marrë të enjten, për siç thuhet, përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes konstituive të ashtuquajturit Kuvend i përkohshëm të Krahinës Autonome të Kosovës.

“Mbledhja konstituive e Kuvendit të përkohshëm të Krahinës Autonome të Kosovës do të mbahet në javën e parë të muajit korrik të vitit 2013. Në kuadër të delegatëve të këtij kuvendi, delegohen të gjithë delegatët e kuvendeve komunale të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Në kuadër të këtij kuvendi hyjnë edhe përfaqësuesit e deleguar nga vetëqeverisjet tjera lokale nga hapësira e Kosovës”, ka transmetuar Gvozdiq, vendimin e përfaqësuesve serb.

Ai ka thënë se do të formohet këshilli për përgatitjen e mbledhjes konstituive, të cilën e kanë paralajmëruar për korrik dhe se ai do të autorizohet për përgatitjen e masave dhe akteve të nevojshme për këtë mbledhje.

Kundër vendimi kanë qenë përfaqësuesit e serbëve, të cilët i takojnë Partisë Demokratike, e që më herët e kishin lëshuar mbledhjen. Lideri i serbëve të veriut të Kosovës, Marko Jakshiq, kishte këmbëngulur që Kuvendi të konstituohej.

Marko Jakshiq
Marko Jakshiq
“Përgjigja e vërtetë ndaj tradhtisë kombëtare të paparë dhe të padëgjuar, e cila quhet marrëveshje e Brukselit, është që të formojmë Kuvendin e përkohshëm të Kosovës dhe Metohisë, gjë që do të ishte ilaçi më i mirë kundër një marrëveshjeje të tillë”, ka theksuar Jakshiq.

Në mbledhje, përfaqësuesit serb kanë konkluduar se marrëveshja e Brukselit, e 19 prillit ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, është e dëmshme dhe e papranueshme për serbët.

Millan Ivanoviq nga Këshilli Nacional Serb, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se për një konkluzion të tillë ekziston bindje e përgjithshme e përfaqësuesve serbë të veriut.

“Marrëveshja për ne është e papranueshme dhe e është e bazuar në argumente joligjore dhe është kundër kushtetues”, është shprehur Ivanoviq.

Ndryshe, përfaqësuesit e serbëve të veriut kanë miratuar katër konkluzione, përmes së cilave kanë kërkuar që marrëveshja e 19 prillit e cila është përafruar në Bruksel, të mos zbatohet në terren, për shkak se siç thuhet, është marrëveshje e natyrës politike, e dëmshme dhe e papranueshme për popullin serb.

Ata që zbatojnë këtë marrëveshje, sipas konkluzioneve, bëjnë akt të dhunës së hapur dhe joligjore.

Përfaqësuesit serbë kanë miratuar konkluzionin që përfaqësuesit e të gjitha partive politike, organizatave, si dhe individët, të mos marrin pjesë në përgatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve, të cilat, sipas marrëveshjes së Brukselit, do të shpalleshin nga ana e organeve të Republikës së Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG