Ndërlidhjet

Kokëçarjet para marrëveshjes Kosovë - Serbi


Pamje nga Mitrovica...
Pamje nga Mitrovica...
Marrëveshja bazë për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, siç thonë analistët, ka ngjallur shumë shpresa të rrejshme në fillim, pasi tani po tregon vërtet se negociatat mes dy vendeve, tek sa kanë filluar.

Interpretimet e njëanshme të këtij dokumenti, si nga Kosova, ashtu edhe Serbia, sipas analistëve politikë në Prishtinë e Beograd, janë shenja se ka ende punë për të bërë, por edhe që njëra palë në pamundësi për të çuar zotimin e saj deri në fund, po mundohet të blejë kohë derisa t’i zgjidh problemet e brendshme.

Njohësit e rrethanave në Kosovë dhe Serbi, pajtohen se perspektiva e dialogut mes dy vendeve është e qartë, por se detajet e mbetura pezull nga 15 parimet bazë, për të cilat kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq vënë inicialet e tyre në dokument, do të marrin edhe më shumë kohë për të saktësuar se çka realisht nënkuptojnë ato parime.

Analisti Ismajl Hasani thotë se takimi i 21 majit në Bruksel, do të nxjerr detyrat specifike për të dy palët, me çka nënshkrimi i planit të zbatimit të marrëveshjes është i pashmangshëm.

Por, kjo sipas tij, nuk do të ndodh po atë ditë, sepse qeveria në Beograd, ende nuk ka zgjidhur problemet e brendshme të saj, dhe nuk ka bindur serbët e veriut.

“Serbia, si zakonisht, ka nevojë të blejë kohë, për faktin se edhe më tutje nuk janë paraqitur forcat ekstreme radikale që janë brenda establishmentit politik institucional të Serbisë, përfshirë partitë politike ekstreme, përfshirë edhe pjesën e radikalizuar të Kosovës veriore të strukturave paralele”.

Përderisa Serbia nuk ka garanci që do të bëjë punë, me pjesën e vet, do të bëjë përpjekje që ta prolongojë. Por po ashtu Serbia është e vetëdijshme se ka një datë për fillimin e dialogut për anëtarësim në BE. Kështu që të dy këto mund ta zhvendosin kohën, por megjithatë në këtë raund, mbase edhe ditëve në vijim është i pashmangshëm nënshkrimi i marrëveshjes për fillim të zbatimit”, tha Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Në Beograd ndërkaq, sipas analistit Predrag Simiq, gjërat shihen më ndryshe.

Blerja e kohës atje, interpretohet si nevojë për të qartësuar 15 parimet, të cilat sipas tij, në fakt paraqesin vetëm një kornizë të gjerë brenda së cilës duhet gjetur modalitetet për çështje shumë të rëndësishme.

“Siç e kemi parë në dy raundet e pasuksesshme të bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes, ekzistojnë dallime të rëndësishme mes palëve për interpretimin e asaj që u nënshkrua në Bruksel. Mendoj që tek po vjen puna serioze, që të vije deri tek një interpretim i përbashkët, dhe me këtë edhe zbatimi i asaj për të cilën janë marr vesh”, tha Simiq për Radion Evropa e Lirë.

Për ta mbështetur këtë që thotë, Simiq krahason marrëveshjen e paqes së Dayton-it, për të cilën ishin të angazhuar dhjeta juristë ndërkombëtarë - dhe atë për normalizimin e raporteve Kosovë - Serbi, e cila sipas tij, tek duhet të nisë së shtjelluari detajet e 15 parimeve.

“Andaj, më duket se kemi pritur shumë nga një marrëveshje bazë, sepse tek pas kësaj marrëveshje mund të hapen shumë çështje të cilat duhet të saktësohen dhe zbatohen”, thotë ai.

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq nënshkruan më 19 prill një dokument bazë me 15 parime, që do të duhej të çojnë drejt normalizimit të raporteve mes dy vendeve, si parakusht për integrim në Bashkimin Evropian.

Një muaj më vonë, palët ende nuk kanë arritur pajtim për një plan që përshkruan kohën dhe detyrat e shtëpisë për zbatimin e asaj që dhanë pëlqimin.

Kohë më parë, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Serbi, Vincent Deger tha se mund të ndodhë që Baronesha Catherine Ashton të bëjë vetë arbitrazh për marrëveshjen, për shkak të interpretimeve të ndryshme që po i bënë palët asaj që nënshkruan në Brukseli.

Por as në Prishtinë dhe as në Beograd, nuk duket se kjo formë do të sjellë gjë të mirë.

“Unë nuk uroj që të dalë arbitrazhi, sepse arbitrazhi nënkupton sanksionimin edhe të palës kosovare. Por më tepër kam shpresa se Serbia do të ndërgjegjësohet, në datën të cilën i ka paralajmëruar zyra e BE-së, dhe do të kalkuloj koston. Nëse Serbia do integrimin në BE, atëherë ka shansin e fundit që edhe më këto prolongime megjithatë, të marr një vendim i cili do të nënkuptonte fillimin e zbatimit të marrëveshjes”, tha për Radion Evropa e Lirë, Ismajl Hasani.

Edhe Predrag Simiq thotë se arbitrimi bartë me vete edhe rreziqe të caktuara.

“Sigurisht se është zgjidhje shumë më e favorshme nëse palët interpretojnë bashkërisht marrëveshjen, në mos të të gjitha [15] parimeve, atëherë atyre më kryesore të cilat do të mund për një kohë të caktuar të zbatohen. Sepse më duket se situata tani për tani, është e papranueshme, thjesht sepse ka shumë çështje të hapura, madje edhe për ato të cilat janë zhvilluar negociata dhe është arritur pajtimi, e që është absolutisht e papranueshme”, tha Simiq për Radion Evropa e Lirë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG