Ndërlidhjet

Ndalohet duhani: Kosova merr frymë lirshëm


Merr frymë lirshëm, është mesazhi që u jepet kosovarëve nga sot, me rastin e hyrjes në fuqi të Ligjit për kontrollin e duhanit, që e ndalon tymosjen 100 për qind në hapësirat publike.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, në një konferencë për media ka bërë të ditur se nga data 22 maj 2013, do të fillojë zbatimi i plotë i ligjit për kontrollin duhanit.

"Dua të shfrytëzoj rasti që të falënderoj të gjithë partnerët tonë vendorë e ndërkombëtarë që e kanë ndihmuar Ministrinë e Shëndetësisë në procesin e elaborimit dhe miratimit të këtij Ligji tejet me rëndësi për vendin tonë".

"Në radhë të parë OBSH-në, UNICEF-in, agjencitë tjera të UN-it, por edhe anëtarët e koalicionit anti-duhan që kanë bërë një punë të shkëlqyer për sensibilizimin e opinionit për nevojën e ndalimit të plotë të konsumimit të duhanit në vendet publike, dhe po ashtu për sensibilizimin e opinionit për ndalimin e reklamimit të duhanit në vendet e shitjes", tha Agani.

Ndërkaq, Ibrahim Tërshnjaku, inspektor sanitar, ka thënë se në ditët e para nuk mund të pritet që ligji të zbatohet 100 për qind, por siç tha ai, që nga sot do të fillojë të inspektimi i objekteve afariste dhe informimi i tyre lidhur me ligjin në fjalë.

"Pasi që kemi të bëjmë me një ligj shumë specifik, nuk presim që ta ndërrojmë gjithë kulturën dhe mentalitetin e qytetarëve për mos duhanpirje. Por, inspektorati sanitar duke i mbledhur përvojat më të mira e vendeve të rajonit, kemi përgatitur një plan të veprimit me të cilin do t'i informojmë qytetarët dhe objektet afariste se ligji ka hyrë në fuqi, dhe do të jemi këmbëngulës që zbatimin e ligjit ta fillojmë që sot, për të arritur efikasitetin e plotë", u shpreh Tërshnjaku.

Udhëheqësi i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skender Syla, ka bërë të ditur se Ligji për kontrollin e duhanit duhet të fillojë të zbatohet që nga 22 maji, dhe se siç theksoi zoti Syla, nuk ka asnjë arsye që të ky ligj të mos zbatohet.

"22 maji paraqet një datë historike për shëndetësinë publike të Kosovës. ligji për kontrollin e duhanit koha dhe e ardhmja e afërt do ta dëshmojë se sa përfitime do të kenë qytetarët e Kosovës si rezultat i zbatimit të këtij ligji. Do të kenë së pari dobi shëndetësore, ekonomike të mjedisit dhe sociale".

"Kjo do ta dëshmojë me faktin që do të shpëtohen me mijëra jeta të njerëzve, me mijëra sëmundje dhe do të kursehet buxheti i limituar i ministrisë së shëndetësisë për trajtimin e këtyre sëmundjeve , sepse dihet që vdekjet e parakohshme që ndodhin në Kosovë janë e këtyre stileve. Andaj nuk ka asnjë arsye të vetme që ligji të mos zbatohet në Kosovë", theksoi Syla.

Derisa Shkumbin Spahiu, nga organizata KADC, njëherësh anëtar i grupit punues të ligjit për kontrollin e duhanit, ka deklaruar se pret nga qytetarët që të bashkëpunojnë dhe njëherësh të respektojnë ligjin, sepse është obligim i secilit.

"Ligji për kontrollin e duhanit, mendoj se është një ndryshim kulturor për qytetarët, jo vetëm për një stil jetese më të shëndetshme por edhe një kulturë e vetë njerëzve që e respektojnë ligjin. Andaj, ligji për kontrollin e duhanit duhet respektuar që nga sot”, deklaroi Spahiu.

Gjoba për persona fizikë, të cilët tymosin duhan në vendet publike, është 50 euro, ndërsa për subjekte të ndryshme afariste, varësisht nga shkalla e shkeljes së ligjit, pasojnë edhe gjobat, të cilat fillojnë nga 500 deri në 20 mijë euro, kanë bërë të ditur zyrtarë kompetentë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG