Ndërlidhjet

Ligji për kontrollin e duhanit - i plotfuqishëm


Ilustrim
Ilustrim
Me 71 vota për, 2 abstenime dhe asnjë votë kundër, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Ligjin për kontrollin e duhanit më 4 prill të këtij viti.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë këshilltari i presidentes Atifete Jahjaga, Arbër Vllahiu, ka njoftuar se Ligji për kontrollin e duhanit është nënshkruar nga presidentja.

"Presidentja e Republikës së Kosovës ka marrë parasysh vendimin e Kuvendit të Kosovës, por edhe ka vlerësuar kërkesat e grupeve të interesit dhe në bazë të analizave të përgjithshme ka vendosur që ta nënshkruajë ligjin për duhanin".

"Shëndeti publik është vlerësuar të jetë me interes të rëndësisë vitale dhe ligji për duhanin në përgjithësi nuk cenon të drejtat kushtetuese dhe interesat legjitime të Republikës së Kosovës. Ky ligj është në përputhje edhe me standardet dhe normat evropiane",
ka thënë Vllahiu.

Ditë më parë kanë reaguar kompanitë që merren me shitjen me pakicë dhe shumicë të duhanit.

Ata kanë kërkuar që Neni 9, pika 2, e këtij ligji të ndryshohet, meqë sipas tyre, iu sjell shumë probleme shitësve të duhanit.

“Produktet e duhanit nuk lejohen të vendosen apo të jenë të dukshme në asnjë vend të shitjes, përveçse të jenë të dukshëm në momentin e transaksionit të shitjes dhe nuk duhet të jenë të shfaqur për qëllime komerciale në asnjë vend tjetër”, thuhet në Nenin 9, Pika 2 në Ligjin për duhanin.

Hasim Vitija, kryetar i shoqatës së bizneseve të vogla të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se meqë ligji për kontrollin e duhanit është nënshkruar, atëherë shoqata në fjalë do të bëjë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

"Kemi protestuar për nenin 9, pika 2, i cili e ndalon ekspozimin e duhanit dhe kemi kërkuar nga presidentja ta kthejë në parlament. Ne do të bëjmë ankesë në Gjykatën Kushtetuese dhe po presim se çka do të ndodhë", u shpreh Vitija.

Derisa Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë se grupi punues i ligjit, ka qenë shumë vigjilent, duke arritur të nxjerrë në sipërfaqe një nen, i cili nuk po zbatohet dhe e ka fuqizuar pikërisht nenin 9, pikën 2, me disa paragrafë të tjerë.

Sipas tij, kjo u ka ndihmuar institucioneve, duke ju dhënë një mekanizëm më të mirë për zbatimin e ligjit.

"Grupe të caktuara po kërkojnë që të mos zbatohet ligji, sepse edhe në ligjin e kaluar që ka qenë në fuqi para ligjit tëri për kontrollin e duhanit, ekspozimi i duhanit jashtë pikave të shitjes ka qenë i ndaluar. Unë mendoj se është një protestë e paarsyeshme, në kuptimin që ligji nuk është bërë për grupe të caktuara, por është një ligj që është miratuar dhe është në favor të mbrojtjes së shëndetit publik, përfshirë edhe atyre që po e pengojnë", tha Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, zyra në Kosovë, përkrah plotësisht dispozitat ligjore që janë paraparë në ligjin aktual për kontrollin e duhanit, në mënyrë që të jetë i plotfuqishëm.

Skender Syla udhëheqës i zyrës së OBSH-së, jep hollësi të tjera.

"Sa i përket protestave të subjekteve të ndryshme, shitësve me pakicë apo shumicë të duhanit, ata e vlerësojnë në mënyrën e tyre, por ne mendojmë që parandalimi i reklamimit të duhanit është njëra nga mënyrat më të mira për të parandaluar të rinjtë dhe fëmijët që të fillojnë të pinë duhan. Andaj, ky nen, qëllimi kryesor i tij është që të parandalohet reklamimi, dhe ajo nuk është për shitje por për t'u reklamuar duhani dhe për t'u joshur sa më shumë të rinjtë".

Edhe qytetarët japin mendimet e tyre rreth asaj se a do të respektohet ligji për kontrollin e duhanit.

Njëri nga ta është edhe Besnik Llugaxhiu, i cili thotë ta ketë mirëpritur Ligjin për kontrollin e duhanit, në mënyrë që të mbrohet shëndeti i popullatës.

Por, sipas tij, kjo varet edhe nga inspektorët, pasi që tashmë ligji është në fuqi.

"Kjo varet nga inspektorët, megjithatë nuk mendoj se do të respektohet 100 për qind. Kohëve të fundit edhe Oda Ekonomike ka reaguar dhe nuk mendoj se do të gjejë përkrahje. Ne po e shohim që në çdo vend ku hyn, ka tym duhani. Përndryshe, unë e kam mirëpritur Ligjin kundër duhanit, sepse duhani dëmton shëndetin", shprehet Besniku.

Sidoqoftë hulumtimet e bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, del se rreth 500 mijë njerëz në Kosovë e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG