Ndërlidhjet

Kompania “skandaloze” sponsorizon Eurovizionin


Nga Eurovizioni
Nga Eurovizioni
Pasi këngëtarja suedeze, Loreen, ka fituar Festivalin Evropian të Këngës vitin e kaluar në Baku, ajo është shfaqur si kampione e hapur e të drejtave të njeriut në ish-Bashkimin Sovjetik.

Ajo ka zemëruar vendin nikoqir, Azerbajxhanin, duke thënë se atje ka shkelje të të drejtave të njeriut çdo ditë. Ka kritikuar edhe presidentin bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, për ndëshkimin e familjeve të aktivistëve të burgosur, të tillë si Ales Byalyatski.

“Më thyhet zemra kur një familje e mrekullueshme si kjo, ku djali është në një vend, nëna në një tjetër dhe babai në burg, lufton për gjërat e duhura”, ka thënë Loreen.

Dhe, në kohën kur Sudia përgatitet për finalen e Festivalit Evropian të Këngës, i 58-ti me radhë, disa shpresojnë se vendi liberal i BE-së do të ndjekë shembullin dhe do të përdorë garën për të shtyrë me kujdes të drejtat e njeriut në agjendë.

Suedia është duke u përballur edhe vet me një detyrim ndaj të drejtave, me gjigantin kontrovers të komunikimeve, TeliaSonera, i cili shërben si sponsor kryesor i ngjarjes.

TeliaSonera është nën hetime, pasi ka paguar qindra miliona dollarë ryshfete për regjimin uzbek, në këmbim të qasjes në tregun e telefonave mobilë të këtij vendi.

Ajo po ashtu akuzohet se u ka siguruar qeverive në Azerbajxhan, Bjellorusi, Gjeorgji, Kazakistan, Taxhikistan dhe Uzbekistan qasje të pakufizuar në regjistrimet e telefonave privatë – informacione të cilat janë përdorur për të bastisur dhe njdekur penalisht kundërshtarët politikë.

Joachim Dyfvermark është një gazetar hulumtues. Programi i tij “Uppdrag Granskning”, i cili transmetohet nga televizioni publik i Suedisë SVT, ka raportuar gjerësisht mbi aktivitetet e TeliaSonera-s në ish-Bashkimin Sovjetik.

Ai thotë se kompania, shumica në pronësi shtetërore të Suedisë dhe Finlandës, ka bërë “marrëveshje të neveritshme” për të hyrë në tregun fitimprurës post-sovjetik.

“Ata kanë rrezikuar, duke ditur pjesëmarrjen e tyre në krime kundër të drejtave të njeriut, duke ditur për çmimin që duhet të paguajnë në vendet si Uzbekistani, ku kanë paguar me para regjimin. Ata kanë marrë licencën falë marrëveshjeve me regjimet, duke i dhënë inteligjencës së sigurisë qasje totale në konsumatorët e tyre, 24 orë në 7 ditë”, thotë Dyfvermark.

Një seri e programit “Uppdrad Granskning”, e transmetuar në prill të vitit 2012, ka dokumentuar se si filialet e TeliaSonera-s në ish-Bashkimin Sovjetik kanë siguruar regjistrime të menjëhershme të telefonave dhe të internetit për shërbimet e sigurisë – shpesh me pasoja shkatërruese.

Në Azerbajxhan, të dhënat kanë treguar se Azercell, degë e TeliaSonera-s në këtë vend, ka lejuar përgjimin e telefonit të gazetarit Agil Khalil, pasi ai ka publikuar një shkrim, ku ka treguar se është rrahur nga agjentët qeveritarë për raportimin e tij kritikues.

Në Gjeorgji, bisedat telefonike, të siguruara për autoritetet nga dega Geocell, janë përdorur për të përforcuar një rast spiunazhi më 2011, kundër tre fotoreporterëve, të cilët akuzoheshin se kanë punuar për Rusinë.

Edhe Kcell, Tcell dhe Ucell – degë lokale të TeliaSonera-s në Kazakistan, Taxhikistan dhe Uzbekistan – besohet se kanë siguruar të dhëna për shërbimet e sigurisë. Në këto vende, politikanët opozitarë dhe aktivistët kanë parë shpesh bisedat e tyre private të cituara publikisht në mediat shtetërore.

Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU), i cili mbikëqyr Eurovizionin, i ka dhënë kontratën e sponsorizimit për vitin 2013 TeliaSonera-s, duke cituar “bashkëpunimin e shkëlqyer” të kompanisë në vitin 2007, kur edhe ka sponsorizuar garën në Helsinki.

EBU i ka dhënë të drejtat e sponorizimit edhe Azercell-it – degë e TeliaSonera-s – gjatë festivalit të vitit të kaluar në Azerbajxhan.

Annika Nyberg, drejtore për media në EBU, thotë se kontrata e fundit për TeliaSonera-n është dhënë pas bisedimeve të gjata me operatorin mobil dhe televizionin publik SVT, i cili transmeton garën.

Ajo shprehet e bindur se TeliaSonera do të përgjigjet në mënyrë adekuate ndaj akuzave të ngritura kundër saj. Po ashtu thotë se EBU është e kujdesshme në ruajtjen e vlerave në mesin e 56 vendeve anëtare.

Ne nuk jemi organizatë për të drejtat e njeriut. Jemi organizatë mediatike, që përfaqëson kompani të mediave. Ne i shohim sponsorët bazuar në vlerat tona dhe bazuar në bashkëpunimin me ta. Jemi shumë të kujdesshëm në zgjedhjen e tyre”, thotë Nyberg.

TeliaSonera ka ndërmarrë hapa për të adresuar praktikat e saj kontroverse në vendet post-sovjetike. Shefi i saj ekzekutiv dhe disa anëtarë të bordit kanë dhënë dorëheqje. Kompania ka nënshkruar po ashtu parime të reja udhëzuese, për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe privatësinë.

Por jo të gjithë kanë qenë të impresionuar. Isabel Sommerfeld është aktiviste suedeze e të drejtave të njeriut, e cila udhëton shpesh në Bjellorusi dhe ka parë arrestime brutale të protestuesve opozitarë.

Ajo thotë se TeliaSonera nuk ka bërë asgjë të për të fituar të drejtën e sponsorizimit të Eurovizionit, i cili ka një audiencë prej 125 milionë shikuesish në mbarë botën.

“Mendoj se nuk e ka merituar. TeliaSonera është një kompani joetike në ditët e sotme. Ata vazhdojnë të bashkëpunojnë me regjimet në shtypjen e popullit. Vendet tona nuk duhet të ndihmojnë diktatorin në represionin e tij. Dhe, kjo është pikërisht ajo çfarë bën TeliaSonera”, thotë Sommerfeld.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG