Ndërlidhjet

Çfarë mund të prodhojë vizita e Kerryt në Moskë?


John Kerry
John Kerry
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, arrin sot në Moskë për të biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe zyrtarë të tjerë.

Bisedimet do të fokusohen në konfliktin e Sirisë dhe luftën kundër terrorizmit.

Kërcënimet bërthamore nga Irani dhe Koreja e Veriut, pastaj Afganistani, tregtia dhe çështjet e të drejtave të njeriut do të diskutohen po ashtu.

Kerry do të qëndrojë dy ditë në Moskë dhe do të takojë edhe shoqërinë civile të Rusisë.

Kjo është vizita e parë e tij në Federatën Ruse prejse është bërë kryediplomat i Shteteve të Bashkuara, në muajin shkurt.

Ajo ndodh në kohën kur administrata e presidentit Barack Obama po bën përpjekje për t’i dhënë hov “rivendosjes” së marrëdhënieve me Rusinë, të cilat kanë pësuar një tundje me rizgjedhjen e Vladimir Putin president, vitin e kaluar.

Duke bërë publik udhëtimin më 30 prill, Kerry e ka quajtur atë “të vonuar”.

Do të udhëtoj në Rusi javën e ardhshme, por vizita, sipas gjykimit tim, është e vonuar. Do të trajtojmë një gamë çështjesh që duhen diskutuar, nga Siria deri te Irani”, ka thënë Kerry.

Në takimet me Putinin dhe ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, Kerry pritet të përsërisë thirrjet e Shteteve të Bashkuara që Moska të ndryshojë qëndrimin në mbështetje të presidentit sirian, Bashar al-Assad.

I nxitur edhe nga pohimet e inteligjencës amerikane për përdorimin e armëve kimike në Siri, Kerry pritet të argumentojë se dritarja për zgjidhje diplomatike të krizës është duke u mbyllur.

Për më shumë se një vit, përpjekjet amerikane për të bindur Rusinë për Sirinë kanë rënë kryesisht në vesh të shuërdhër, pasi Kremlini ka dënuar çdo hap që ka parë si pararendës për ndërhyrje të huaj.

Rusia dhe Kina kanë bllokuar rezolutat e Kombeve të Bashkuara për aksione më të forta kundër Damaskut. Moska ka vazhduar të furnizojë regjimin me armë, edhe pse numri i të vrarëve në konflikt ka kaluar 70,000.

Mark Katz, ekspert për politikën e jashtme ruse në Universitetin George Mason, thotë se shanset për ndonjë rrugëdalje gjatë vizitës së Kerryt, janë minimale.

Pres që ajo, çfarë mund të arrijë Kerry më së shumti, është që rusët të mos jenë aq të zëshëm ndaj amerikanëve dhe aleatëve të tyre nëse ndërmarrin aksione. Ndoshta, ajo, për çfarë Shtetet e Bashkuara duhet të shpresojnë, është që Rusia të mos bëjë asgjë për të ndihmuar Assadin kundër ndonjë intervenimi amerikan apo perëndimor. Edhe pse rusët nuk presin që Assadi të mbijetojë, ata nuk duan të shihen si dikush që minimizon dikë që ka pasur aleat. Nëse do të ketë rrëmujë në Siri, për këtë duhet të fajësohet Perëndimi”, thotë Katz.

Vizita e Kerryt po ashtu ndodh pak javë pas sulmeve të 15 prillit në Maratonën e Bostonit. Zbulimi se dy imigrantë çeçenë janë autorët e dyshuar, ka çuar në një fokus të rinovuar për bashkëpunimin anti-terrorist.

Analistët thonë se mosbesimi dhe burokracitë në të dyja anët kanë kufizuar shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës në të kaluarën.

Kërcënimet e vazhdueshme të Koresë së Veriut dhe aktiviteti i vazhdueshëm bërthamor i Iranit do të diskutohen po ashtu.

Uashingtoni ka bërë përpjekje të sigurojë Moskën se planet e tij për mbrojtjen raketore kanë për qëllim që t’iu kundërvihen këtyre kërcënimeve dhe jo Rusisë.

Muajin e kaluar, presidenti Barack Obama ka dërguar këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare, Thomas Donillon, në kryeqytetin rus, për t’i dorëzuar një letër presidentit Vladimir Putin. Kremlini ka thënë se letra ka përmbajtur “masa konkrete” për mbrojtjen raketore, tregtinë dhe çështje të tjera.

Lavrov u ka thënë gazetarëve se përgjigjja e Rusisë do të varet pjesërisht nga rezultatet e vizitës së Kerryt në Rusi.

Kerry do të takojë edhe anëtarët e shoqërisë civile të Rusisë në shtëpinë e ambasadorit amerikan, Michael McFaul.

Vizita e tij do të ndihmojë edhe në përgatitjen e terrenit për bisedimet e ardhshme midis Obamës dhe Putinit, të parapara për në margjinat e Samitit të G8-ës në muajin qershor, në Irlandën e Veriut.(v.tela)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG