Ndërlidhjet

Fuele optimist për MSA-në


Shtefan Fyle
Shtefan Fyle
Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle, ka shprehur optimizmin e tij se shtetet anëtare të BE-së, do të përfillin kërkesën e Komisionit Evropian dhe të miratojnë vendimin për të autorizuar nisjen e negociatave për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

Fyle e ka thënë këtë në Bruksel, duke folur në një konferencë të përbashkët për gazetarë me ministren për Integrime Evropiane të Kosovës, Vlora Çitaku, pas takimeve që ai pati me këtë ministre dhe me ministren për Zhvillim Ekonomik, Mimoza Kusari - Lila.

Fyle ka thënë se marrëveshja e fundit e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka qenë historike dhe ka shënuar një kthesë, e cila do të ndihmojë edhe Kosovën edhe Serbinë të ecin në rrugën e tyre evropiane.

Mirëpo, i pyetur nga gazetarët se a do të paraqesin pengesë Spanja apo ndonjë tjetër shtet që nuk e ka njohur Kosovën, pasi që kryeministri i Spanjës, Rahoi, të mërkurën ka thënë se Spanja nuk do ta njohë Kosovën pavarësisht marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Fyle ka theksuar se të gjitha shqetësimet e të gjitha shteteve anëtare janë marrë parasysh gjatë përpilimit të mendimit të KE-së. Kështu, Fyle është optimist se shtetet anëtare do të mendojnë në mënyrë pozitive dhe do të miratojnë vendimin për të miratuar vendimin për t’i autorizuar negociatat.

Optimiste për këtë është shprehur edhe Vlora Çitaku, ministre për Integrime Evropiane e Kosovës. Ajo ka thënë se nuk sheh asnjë arsye për Spanjën për të bllokuar nisjen e negociatave me Kosovën për marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit dhe për njohjen e shtetit të Kosovës.

Marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës e Serbisë, Çitaku e ka quajtur të rëndësishme, ndërsa sa i përket negociatave të Stabilizim-Asociimit, ajo ka theksuar se pret që kjo do të jetë një rrugë e gjatë, por e këndshme për vendin, dhe ka shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për t’i përmbushur kërkesat që dalin nga ky proces.

"Ky është një lajm shumë i mirë për Kosovën, dhe jemi shumë optimistë se vendimi i shteteve anëtare për fillimin e negociatave të MSA-së, në qershor të këtij viti, do të jetë një vendim pozitiv. Kjo e përmbush një premtim të vjetër, premtimin për një perspektivë evropiane për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj".

"Mirëpo, ne e dimë që ky është vetëm një fillim dhe mbetet shumë për të bërë dhe na duhen reforma, por duke e parë përgatitjen dhe punën tonë për të përbushur kriteret afatshkurtra në muajt e fundit, unë mbetem jashtëzakonisht optimiste. Sidoqoftë edhe një herë dua të theksoj se unë si Ministre e Integrimit Evropian, jam shumë e gëzuar tani që do të mund t'i fokusojmë energjitë tona në zbatimin e reformave", është shprehur Çitaku.

Ajo ka theksuar se Kosova është e gatshme që të gjenden formula të ndryshme gjatë këtij procesi, mirëpo siç është shprehur ajo, Kosova nuk do që të ketë kompromis në qëllimin final, e ai është anëtarësimi i plotë i Kosovës në BE.

Gjatë bisedimeve që kanë pasur në Bruksel pjesëtarët e Qeverisë së Kosovës, ku pos ministres së Integrimeve Çitaku, dhe asaj për Zhvillimit Ekonomik, Kusari – Lila, ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, është folur edhe për procesin e liberalizimin e vizave sikurse dhe për raportet tregtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së.(a.palokaj)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG