Ndërlidhjet

Reformat e shpejtojnë rrugën e Kosovës për MSA-në


Miratimi i propozimit të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit paraqet hapin e parë konkret në rrugën e gjatë të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, thonë deputetë dhe njohës të proceseve integruese.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri vlerëson se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe nënshkrimit të marrëveshjeve kontraktuale tashmë është qartësuar.

Por, ai vë theksin sidomos në nevojën e zbatimit të reformave demokratike në mënyrë që rruga e Kosovës deri te nënshkrimi i MSA-së të jetë sa më e shkurtër.

Mes tjerash, këto reforma përfshijnë sundimin e ligjit, administratën publike, reformën zgjedhore, kujdesin ndaj pakicave dhe tregtinë.

“Sfida kryesore në këtë proces do të mbetet edhe më tutje funksionimi i shtetit ligjor dhe sundimi i ligjit në përgjithësi, që prioritet kryesor e ka luftën kundër krimeve, korrupsionit, trafikimeve dhe trafiqeve të ndryshme që ndodhin në Kosovë, qoftë edhe si shtet transit, dhe i cili do të gjeneronte probleme dhe shqetëson familjen e madhe evropiane”, ka thënë Haziri.

Ndërkohë, njohësi i proceseve integruese, Shenoll Muharremi thotë se rekomandimi i Komisionit Evropian shënon hapin e parë të hyrjes së Kosovës në marrëdhënie kontraktuale me BE-në.

Pas përfundimit të negociatave, pa dyshim që do të pasojë edhe nënshkrimi i marrëveshjes, thotë Muharremi.

Kjo marrëveshje i ka dy dimensione të rëndësishme për Kosovën; e para është ajo politike ku të dyja palët shprehin aspiratat e përbashkëta që Kosova të bëhet anëtare e BE-së dhe e dyta është më shumë e karakterit ekonomik e tregtar, ku për marrëveshje tregtare të dyja palët dakordohen se çfarë mallra mund të shkëmbejnë”, ka thënë Muharremi.

Ai tërheq vërejtjen se përfitimet e Kosovës nga ky rast do të jenë të mundshme vetëm nëse ajo i zbaton reformat e kërkuara.

“Tash është me rëndësi që Kosova ta përdorë këtë moment. Qeveria e Kosovës të fillojë dhe të jetë më serioze në zbatimin e reformave, ngase pavarësisht se çfarë perspektive hapet, nëse reformat evropiane nuk zbatohen qytetarët e Kosovës dhe bizneset nuk do të mund të përfitojnë nga ky proces”, ka vlerësuar Muharremi.

Në anën tjetër, deputeti Lutfi Haziri thotë se në këtë fazë nuk mund të parashihet se sa kohë do t’i nevojitet Kosovës deri te nënshkrimi i marrëveshjes me Bashkimin Evropian.

Ai thotë po ashtu se dinamika e procesit varet nga hapat që do të ndërmerr qeveria e Kosovës.

“Nëse e marrim përvojën e vendeve në rajon, atëherë mund të themi që Kosova nuk ka mundësi ta ketë rekordin e shteteve që i kanë përmbyllë për gjashtë muaj këto negociata, por as ta ketë rekordin për gjatësi siç ka bërë Shqipëria për 3 vjet. Paralelisht ne duhet të negociojmë marrëveshjen dhe të aplikojmë për status".

"Pak është e besueshme që kjo qeveria ka kapacitet që t’i përmbushë vet këto angazhime. Opozita i ka dhënë konsensusin dhe kryen një pjesë të madhe të angazhimeve, por procesi është në duar të ekzekutivit”, është shprehur Haziri.

Komisioni Evropian, miratoi të hënën propozimin që Kosova të nis negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit e njohur si MSA.

Një propozim i tillë, pasoi marrëveshjen që Prishtina arriti në dialogun me Beogradin.

Komisionari për zgjerim i BE-së, Stefan Fule ka bërë me dije se gjatë kësaj jave pritet që palët në dialog, Prishtina dhe Beogradi, të paraqesin edhe planin për implementimin e marrëveshjes së 19 prillit.

Varësisht përparimeve në zbatimin e kësaj marrëveshje më pas Brukseli do të diskutojë për vendimin përfundimtar që pritet të merret gjatë qershorit në lidhje me datën e Serbisë për negociatat e anëtarësimit në BE dhe datën e nisjes së negociatave për MSA, për Kosovën.
XS
SM
MD
LG