Ndërlidhjet

Debati për Tribunalin: Përpjekje për të rishkruar historinë


Tomisllav Nikolliq
Tomisllav Nikolliq
Fjalori që ka përdorur presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, në debatin për Tribunalin e Hagës të kujton fjalimet politike të viteve ’90. Është ky vlerësimi që japin shumë analistë, por jo vetëm, pas paraqitjes së Nikolliqit në selinë e Kombeve të Bashkuara.

Presidenti serb, në këtë debat, ka shkuar aq larg saqë ka krahasuar Tribunalin për Krime në ish-Jugosllavi me inkuizicion.

“Kontributi i Hagës në disa raste ishte i dukshëm, por hije të rëndë dhe serioze në punën e gjithë gjykatës hedh fakti se liderët politikë të vetëm një pale - të asaj serbe - në Hagë kanë ardhur si të akuzuar, ndërsa nga ajo janë larguar si fajtorë”, ka thënë Nikolliq.

Por, këto komente cilësohen si të pavërteta dhe nxitëse.

“Qëllimi themelor ishte të rishkruhet historia traumatike e luftërave ballkanike në vitet 1990, sepse komentet e Jeremiqit dhe të Nikolliqit ishin ndezëse. Sipas tyre, Tribunali është krijuar për të ndjekur serbët; atë e kanë krahasuar me inkuizicion dhe kanë thënë se torturon të akuzuarit. Kanë qenë komente shtrembëruese jo vetëm për historinë e Tribunalit, por edhe për tmerret që u kanë ndodhur qindra mijëra civilëve të pafajshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë Richard Dicker, drejtor i Programit për Drejtësinë Ndërkombëtare në Organizatën "Human Rights Watch".

Debati i së mërkurës “Roli i drejtësisë ndërkombëtare në arritjen e pajtimit” është organizuar nga kryesuesi i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuk Jeremiq, dikur ministër i Jashtëm i Serbisë.

“Jeremiqi ka abuzuar autoritetin e tij si president i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke organizuar një takim të njëanshëm që synon avancimin e agjendës politike të Beogradit”, thotë Dicker.

Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe disa vende të tjera kanë bojkotuar debatin, duke e cilësuar si “të pabalancuar” dhe “përçarës”. Vendet evropiane, ndërkaq, kanë qenë të përfaqësuara me zyrtarë të rangut më të ulët.

Jeremiq thuhet se ka refuzuar pjesëmarrjen e grupit "Nënat e Srebrenicës", i cili përfaqëson familjet e afro 8 mijë djemve dhe burrave myslimanë, të vrarë nga forcat serbe, më 1995.

Kanë qenë autoritetet e Bosnjës ato që kanë reaguar ashpër edhe ndaj fjalimit të Nikolliqit. Mospërfillja e viktimave të luftës vetëm se mund të përkeqësojë marrëdhëniet, edhe ashtu të tendosura, të Sarajevës me Beogradin, kanë thënë ato.

Geraldine Mattioli-Zeltener, nga "Human Rights Watch", shpjegon arsyet se përse gjykata nuk ka arritur të sjellë pajtim ndërmjet vendeve dhe grupeve të ndryshme, të përfshira në luftërat e Ballkanit më 1990.

“Mandati i Tribunalit, në fund të ditës, është të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për krimet më serioze, si dhe të vërtetën për krimet dhe të gjitha ato që kanë ndodhur. Pajtimi është një nocion i gjerë që përfshin emocione përtej asaj që mund të trajtojë Tribunali i Hagës për Krimet në ish-Jugosllavi. Nëse shohim të kaluarën në Evropë dhe gjetkë, pajtimi merr shumë kohë”, thotë Mattioli Zeltener për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Serbisë, Nikolliq, jo rrallëherë, ka shpërfillur viktimat e luftës. Në Kosovë, ka bërë përpjekje “të barazojë krimet”, ndërsa në Srebrenicë ka thënë se nuk ka ndodhur gjenocid, por krim i rëndë lufte.

Në mesin e serbëve që po përballen me drejtësinë në Hagë, janë Ratko Mlladiq, ish-komandant i ushtrisë serbe në Bosnjë, dhe Radovan Karaxhiq, ish-lider politik i serbëve në këtë vend.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG