Ndërlidhjet

S'ka marrëveshje


Thaçi - Ashton - Daçiq
Thaçi - Ashton - Daçiq
Prishtina dhe Beogradi kanë përfunduar pa marrëveshje edhe rrethin e tetë të bisedimeve, që kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Bisedimet kanë zgjatur për më shumë se 12 orë, janë karakterizuar me disa ndërprerje dhe ngritje zëri.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila është ndërmjetësuese e procesit, ka lëshuar një komunikatë për opinion, në të cilën ka thënë se “kjo është hera e fundit që takohemi formalisht”.

“Një numër propozimesh janë hedhur në tryezë. Hendeku mes palëve është shumë i ngushtë, por i thellë. Ato do të shkojnë për këshillime në kryeqytetet e tyre dhe do më njoftojnë për vendimet gjatë disa ditëve të ardhshme”, thuhet në deklaratën e baroneshës Ashton.

Kompetencat që do t’i kishte asociacioni i komunave serbe në Kosovë thuhet se kanë qenë pengesa kryesore për palët që të arrijnë pajtim.

Prishtina kundërshton që ky mekanizëm, i paraparë për vënien e normalitetit në veri, të ketë përgjegjësi ekzekutive, ndërsa Beogradi do që ai të mbajë kontrollin e gjyqësisë, policisë dhe të planifikimit hapësinor.

“Ritheksoj se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë mandat ekzekutv, legjislativ dhe të pushtetit të tretë. Gjithçka do të jetë sipas Kushtetutës së Kosovës, ligjeve të Kosovës dhe standardeve evropiane”, ka thënë për gazetarët në Bruksel kryeministri i Kosvës, Hashim Thaçi.

Sipas tij, Kosova ka qenë e gatshme për marrëveshje me shtetin serb, por ka qenë ky i fundit ai që ka hezituar.

"Ne kemi ardhur me vullnetin më të mirë për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve... Kemi prezantuar qëllimin dhe pozicionin tonë në përputhshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës... Fatkeqësisht, nga Serbia ka ende hezitim si dhe një qëndrim joparimor”, ka thënë Thaçi.

Homologu i tij nga Serbia, Ivica Daçiq, u është drejtuar po ashtu gazetarëve në Bruksel, duke thënë se vazhdon të ketë dallime në qëndrime, kur bëhet fjalë për përgjegjësitë e asociacionit të komunave serbe, që në Beograd njihet si “bashkësi”.

“Me gjithë këto bisedime të gjata që kemi pasur disa herë, aktualisht nuk kemi marrëveshje. Kemi edhe ca kohë për të ardhur deri te zgjidhja... Disa qëndrime janë ende larg, kur bëhet fjalë për përgjegjësitë e ‘bashkësisë’ së ardhshme të komunave serbe, për gjyqësinë dhe policinë, por, megjithatë, ka pasur mjaft përparim në bisedime”, ka thënë Daçiq.

Procesi i së martës nuk ka qenë fare i lehtë, kanë thënë të dy kryeministrat. Ai është shoqëruar edhe me ngritje tonesh rreth çështjeve të caktuara, çfarë ka bërë që baronesha Ashton të ndërpresë takimin trepalësh, të konsultohet me delegacionet veç e veç dhe të rikthehet sërish në takim të përbashkët me to.

“Nuk ka qenë takim i lehtë. Ka pasur disa që kanë ardhur pë herë të parë dhe nuk kanë qenë të përgatitur emocionalisht për t’u ballafaquar me rrethanat dhe realitetin e ri të Kosovës sovrane dhe të pavarur. U është dashur kohë që të adaptohen me dialogun dhe tavolinën dhe të kuptojnë se duhet të shkëputen nga realiteti i politikës së vjetër”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Për herë të parë në tryezën e bisedimeve Kosovë-Serbi, të martën ka qenë i pranishëm zëvendëskryeministri i parë serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai shihet si politikani më me ndikim në skenën politike të Serbisë.

“Marrëveshja duhet të arrihet. Serbia nuk ka kohë që të presë edhe një vit, apo edhe pesë vjet, në konflikt të ngrirë. Kush do të presë? Njerëzit nuk kanë durim”, ka thënë Vuçiq, para takimit të së martës.

Edhe Thaçi, edhe Daçiq kanë deklaruar se mund të kthehen në tryezën e diskutimeve javën e ardhshme, por nuk kanë përmendur datë të caktuar.

Rezultatet nga ky proces janë bazë esenciale si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian.

Serbia aktualisht “lufton” për datën e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova për atë të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG