Ndërlidhjet

Edhe Vuçiq në tryezën negociuese midis Prishtinës e Beogradit


Aleksandër Vuçiq
Aleksandër Vuçiq
Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka bërë të ditur se në takimin e së martës në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, do të shkojë edhe zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kjo, sipas Nikolliqit, tregon për unitetin e udhëheqjes më të lartë shtetërore të Serbisë në bisedimet me Kosovën.

Nikolliq i ka bërë këto komente në një konferencë për gazetarë në Beograd, e cila nuk ka përfshirë pyetje të gazetarëve dhe nuk është transmetuar nga asnjë televizion.

Ajo është zhvilluar në kohën kur zyrtarët e tjerë serbë, përfshirë kryeministrin Ivica Daçiq, zëvendëskryeministren Suzana Grubjeshiq dhe ministrin e Jashtëm, Ivan Mërkiq, kanë vazhuar takimin në lidhje me dialogun e nesërm.

“Kam propozuar që në delegacionin negociues të jetë edhe Vuçiqi, sepse ky është rasti që të tregojmë unitetin tonë”, ka thënë Nikolliq.

Sipas tij, Serbia nuk kërkon idealen, porse “ajo që kërkon Prishtina nuk do të jetë kurrë e mundur”.

Në mesin e çështjeve të hapura në bisedimet Thaçi-Daçiq, janë kompetencat që do t’i kishte asociacioni i komunave serbe në Kosovë.

Beogradi do kontrollin e gjyqësisë, policisë dhe planifikimit hapësinor, por Prishtina kundërshton fuqishëm.

Presidenti i Serbisë ka theksuar se vendi i tij nuk do të paraqesë ultimatume, që do të përbënin respektimin e Kushtetutës dhe të ligjeve të Serbisë, por as nuk do të pranojë të tilla.

“Nëse merret vendim, i cili nuk është në interes të qytetarëve tanë dhe qytetarët tanë nuk janë të kënaqur me të, unë nuk do të jem më president i Serbisë. Nëse pyetem unë, Serbia kurrë nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës. Nëse pyetem unë, të gjithë ata që jetojnë në Kosovë duhet të jetojnë më mirë, më qetë dhe më sigurt. Nëse pyetem unë, Serbia duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, ka thënë Nikolliq.

Takimi i nesërm në Bruksel është i teti me radhë në nivel kryeministrash. Edhe Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i procesit, edhe Shtetet e Bashkuara, si mbështetëse, kanë shfaqur dëshirën që zëvendëskryeministri serb, Vuçiq, të jetë i pranishëm në bisedimet e së martës.

Vuçiq thuhet se është politikani më me ndikim në skenën politike të Serbisë. Disa media në Beograd po ashtu kanë raportuar se Daçiq, gjatë takimit të fundit me Thaçin, ka qenë në kontakt të pandërprerë me zëvendësin e tij.
XS
SM
MD
LG