Ndërlidhjet

Shqipëri: Aflatoksina "misterioze"


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit nuk e deklaroi asnjëherë nivelin e aflatoksinës të konstatuar në disa produkte të qumështit të tregtuara në Shqipëri, apo edhe të destinuara për eksport.

Analizat u kryen jashtë vendit, në një laborator të specializuar dhe vërtetuan se niveli i aflatoksinës ishte dy apo tre herë më i lartë sesa norma që ka vendosur Bashkimi Evropian.

Zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë thanë se megjithatë produktet janë të sigurta dhe se kjo normë në të gjitha rastet është deri në 8 herë më e ulët se ajo që zbatohet në SHBA për të njëjtën sasi qumështi.

Kjo deklaratë për kreun e shoqatës së konsumatorëve, Altin Goxhaj, nuk është aspak garanci për të qetësuar publikun, përkundrazi.

"Kemi një problem me transparencën e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit që nuk ka bërë asnjë lloj prezantimi të fletës së analizave të marrë në Itali. Unë kur të shoh atë formular do të jem i qetë, pa e parë atë, janë vetëm fjalë zyrtarësh", thotë Goxhaj.

Por, drejtori i AKU-së, Artan Gjergji, pohon se ndjeshmëria e lartë mbi çështjen e bën autoritetin të mbajë të censuruar informacionin mbi nivelin e aflakoksinës.

"Nuk dua të hyj në detaje që kanë lidhje me çështjen e qumështit, është shumë sensitive", shprehet Gjergji.

Por, niveli i aflatoksinës në qumësht nuk është i vetmi problem.

Opozita në disa dalje publike deklaroi se qeveria duhet të japë garanci edhe për nënproduktet e qumështit, nëse ato janë apo jo të rrezikshme për shëndetin.

Drejtori i AKU-së thotë se edhe për këto produkte ka nisur një inspektim i gjerë, dhe vetëm në Tiranë gjatë këtyre ditëve janë ushtruar të paktën 200 kontrolle.

"Është ngritur një grup pune nga ana e ministrit të Bujqësisë, që ka shqyrtuar gjithë opsionet e mundshme se nga vjen një element i tillë(aflatoksina). Po punohet, janë identifikuar disa lloj produktesh për të cilat është marrë masë, janë bllokuar", bën të ditur Artan Gjergji.

Nga ana tjetër, kryetari i shoqatës së konsumatorit, Altin Goxhaj, thotë se Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit ka lënë jashtë rrezes së inspektimit, burimin nga gjeneron problematika me ushqimin, fermat.

"Shumë fermerë edhe nga injoranca i bëjnë produktet shumë të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve, nga ana tjetër etja për fitim është një nga arsyet kryesore. Por ndërkohë, çfarë bën komuna, çfarë bën Qarku, Ministria e Bujqësisë, AKU? Nuk bëjnë asgjë! Nuk ka një program informimi dhe trajnimi të fermerit shqiptar, që t’i detyrojë ata të plotësojnë standardet e sigurisë ushqimore", thekson Goxhaj.

Pas problemit të evidentuar me disa produkte të qumështit, Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit u akuzua dhe për mungesë të kapaciteteve të vlerësimit të riskut.

Kjo nënkupton hartimin e një baze të dhënash të plota për subjektet që abuzojnë duke tregtuar ushqime të dëmshme për shëndetin.

Drejtori i AKU-së thotë se ky projekt do të përfundojë shumë shpejt por pa dhënë ndonjë afat.

"Ne jemi në fazën e dytë të zbatimit të projektit të BE-së, pra jemi duke hedhur të dhënat e tre viteve presim që deri nga vjeshta e këtij viti kjo fazë të mbarojë në mënyrë për të kaluar tek pjesa e përgatitjes së raporteve lidhur me analizën e riskut", shprehet Gjergji.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG