Ndërlidhjet

Banac: Statusi evropian për veriun, Preshevën dhe Sanxhakun


Ivo Banac
Ivo Banac
Definimi i veriut si një rajon evropian, do të ishte zgjidhja më e mirë për momentin që mund të arrihet në bisedimet Prishtinë – Beograd, thotë profesori nga Yale University, Ivo Banac.

Njëherësh, ai beson se një zgjidhje e tillë do ta obligonte më pas edhe Serbinë që t’u ofronte statusin e njëjtë edhe Luiginës së Preshevës dhe Sanxhakut.


RADIO EVROPA E LIRË
Profesor Banac, Kosova dhe Serbia pas bisedimeve teknike, vitin e kaluar kanë nisur edhe dialogun politik të udhëhequr nga dy kryeministrat nën lehtësimin e Bashkimit Evropian. Si e shihini ju këtë proces që po zhvillohet në Bruksel?

IVO BANAC
Kjo ishte e pashmangshme, por më duhet të them se në fillim nuk isha i sigurt se a do ta pranonte një nismë të tillë Beogradi. Megjithatë duket se kanë vazhduar tutje, por nuk jam i sigurt për një përfundim aq optimist çfarë mund ta dëshironte Brukseli.

Por, dialogu ka filluar dhe në fund vetëm një zgjidhje politike mund të sjell deri te normalizimi i marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

RADIO EVROPA E LIRË
Kompetencat e asociacionit të komunave serbe duket se kanë ngadalësuar ecurinë e këtij dialogu. Prishtina kundërshton krijimin e Republikës Serbe dhe nuk ofron kompetenca ekzekutive, përderisa Beogradi insiston në këto kompetenca. Si e shihni ju zgjidhjen këtu?

IVO BANAC
Para së gjithash mendoj se termi, asociacion apo bashkësia e komunave serbe, të cilin për fat të keq e përdorë pala kosovare dhe e ka përdorur edhe kryeministri Thaçi, nuk është i drejtë. Nuk mund të ekzistojë njëfarë bashkësie e komunave serbe, ngase nuk ka kurrfarë komunash serbe në veri të Kosovës.

Eventualisht mund të jetë ajo, që me sa unë e di, qëndron në tekstin e marrëveshjes që baronesha Ashton e ka propozuar dhe është rajoni evropian në veri të Kosovës. Kjo mund të jetë zgjidhje dhe është një emër neutral. Nëse kjo është përmbajtja, atëherë nuk do të kishte dallime të mëdha nga disa situata të ngjashme të krahinave që ekzistojnë, si për shembull në Kroaci.

Kështu edhe Istra është përcaktuar në kuadër të kartës evropiane për vetëqeverisje lokale. Mendoj se kjo do të ishte e përkryer dhe e pranueshme për Kosovën. Por, a do të jetë e pranueshme për Serbinë? Kam frikë se jo. Të paktën jo sipas disa deklaratave të përfaqësuesve serbë që i kam dëgjuar këto ditë.

Për shembull, presidenti Nikolliq ka thënë se kjo çon në zgjidhje përbrenda administrimit të Prishtinës, çka është e vërtetë. Por mendoj se nuk mund të pritet asgjë më e mirë. Dhe, kjo mendoj se është mënyra e vetme për të zgjidhur këtë çështje nëse me të vërtetë nuk dëshirohet të arrihet deri te një zgjidhje e ngjashme me Republikën Serbe, e cila mendoj se nuk është qëllimi i Brukselit dhe sidomos nuk është qëllim i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë shkallë të kompetencave do të kishte një rajon i tillë?

IVO BANAC
Do të mund të kishte një varg kompetencash, përfshi edhe disa që mendoj se qëndrojnë në propozim marrëveshje ku mund t’i lejohen edhe kontakte të caktuara ndërkombëtare për çështje të caktuara, ta zëmë edhe tej kufitare.

Por kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton se do të krijohej një korpus i ndarë e që do të ishte në fakt një dorë e zgjatur e Serbisë siç ishte deri më tani dhe vazhdon të jetë edhe sot.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa besoni që një rajon i tillë do të mund të funksiononte sipas legjislacionit të Kosovës?

IVO BANAC
Mendoj se kjo është rruga e vetme dhe kur do të arrihej kjo, atëherë këtu do t’i kishim të gjitha zgjidhjet e parapara me kartën evropiane për rajonalizim. Për shembull, kur shkoni në Istri ju do të shihni se në ndërtesat e shërbimeve publike përdoret dy gjuhësia – kroatishtja dhe italishtja.

Atje valon flamuri italian, ka dygjuhësi, madje edhe jashtë shërbimeve publike, por natyrisht që nuk ka asnjë lidhje shtetërore me Italinë. Kjo do të ishte e pakuptimtë dhe nuk mund të pritet të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në çdo rast, duket se të dyja palët duhet t’i bëjnë disa kompromise, lëshime. Cili konsideroni se do të ishte maksimumi me të cilin Serbia do të pajtohej?

IVO BANAC
Është vështirë të thuhet. Nga ajo që kam dëgjuar, sidomos nga disa politikanëve serbë, së fundit edhe nga Dragan Markoviq Palme, i cili tha se ka frikë që Serbia nuk do të pranojë një zgjidhje të tillë, përkatësisht draft-propozimin që baronesha Ashton ka ofruar.

Kështu që ndodhemi në një gjendje në të cilën ishim edhe më parë. Ju mund të kujtoni Rambujenë dhe e dini saktë se në çka aludoj. Por, ndoshta në Serbi do të vihen gjërat në peshore dhe do të merren edhe disa dobi që do t’i kishte ky aranzhman. Serbia, ta zëmë, do ta fitonte datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, çka Kosova nuk do ta fitojë.

Ky është një disbalans që është në kundërshtim me interesat e Kosovës. Sikur do të kishte një trajtim të barabartë edhe për Kosovën, kur flitet për integrimet evropiane, atëherë gjendja do të ishte më e mirë dhe e pranueshme si për njërën ashtu edhe palën tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa u jep mundësi atëherë Brukseli si Kosovës ashtu edhe Sebrisë që të përafërohen me BE-në?

IVO BANAC
Edhe kjo është diskutabile. Natyrisht që në këtë moment krize në Evropë, çdo zgjerim e bën problematik dhe mbase edhe më të gjatë në kohë. Kështu që mendoj se nëse nuk arrihet një vendim në Beograd që të mbështetet ky kompromis për shkak të fillimit të bisedimeve rreth integrimit evropian, këto bisedime do të stërzgjaten dhe do të vazhdonin në kontinuitet me hapa të vegjël drejt ndonjë kompromisi të mundshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni rolin e angazhimit të faktorit ndërkombëtar në këtë dialog?

IVO BANAC
Mendoj se ata po mundohen. Se sa është kjo nismë e Bashkimit Evropian, e sa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në fakt motori që qëndron pas propozim – marrëveshjes është vështirë të vlerësohet. Ky është një rast me shumë pikëpyetje.

Por, është si është dhe mendoj se kjo ende është e pamjaftueshme, ngase këtë çështje duhet zgjidhur shpejt, ngase gjendja e tërësishme në Gadishullin Ballkanik në këtë moment është shumë, shumë e tensionuar dhe gjithçka që shtyhet për të arritur deri te zgjidhjet më të mira, mund të qoj deri te synimet për arritjen përmes konflikteve.

E këto konflikte nuk do të mund të mbaheshin vetëm përbrenda një vendi të rajonit, dhe dyshoj se një fenomen i tillë do të ishte shumë më i gjerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri Daçiq kohë pas kohe përmend opsionin e ndarjes. Cilat do të ishin pasojat e një zhvillimi të tillë?

IVO BANAC
Mendoj se do të kishte pasoja fatale për rajonin dhe këtë ua përmenda në disa raste. Natyrisht që përderisa po flasim për çështjen e Kosovës nuk duhet të harrojmë që edhe Bosnja e Hercegovina paraqet një krizë absolute. Pikërisht tani atje po bisedohet për reformimin e federatës, për një kombinatorikë më të mirë për të ardhmen e Bosnjës dhe kjo nuk mund të shihet ndaras nga ajo që do të nënkuptonte, ta zëmë, ndarja e Kosovës.

Mes tjerash edhe ky propozim për një rajon evropian për veriun e Kosovës ka ndikime, jo për Bosnjën, por për Serbinë. Mendoj se kur kjo të arrihej, pastaj pika tjetër e rendit të ditës do të ishte kërkesa për statusin e njëjtë edhe për Preshevën dhe eventualisht për popullatën e Sanxhakut.

Kështu që gjithmonë, kur u jepni dikujt, duhet t’u jepni edhe të tjerëve dhe se ky është një ligj që është bërë i paevitueshëm. Natyrisht që kur kemi parasysh që BE-ja, por edhe SHBA-ja nuk besojnë në forcimin e shteteve të fuqishme në këtë pjesë të botës, ndoshta një zgjidhje e tillë do të ishte e qëndrueshme, të paktën në këto rrethana.

Përgatiti: Zijadin Gashi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG