Ndërlidhjet

Në pritje të ekstradimit


Maqedoni - foto nga arkivi
Maqedoni - foto nga arkivi
Pas konfirmimit se personat që u arrestuan të dielën në Kosovë janë Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të dyshuar gjegjësisht të akuzuar për vrasjen e pesëfishtë afër Liqenit të Smillkovës, kanë filluar procedurat për ekstradimin e tyre në Maqedoni.

Procedura e ekstradimit është në rrjedhë, jemi në kontakt permanent me autoritetet e Kosovës, por më shumë hollësi nuk mund të japim, sepse kompetente për ekstradimin është dikasteri i drejtësisë”, ka deklaruar shkurt zëdhënësi i dikasterit të policisë, Ivo Kotevski.

Ndryshe, për mediat e Maqedonisë gjatë ditës së hënë, ministrja e punëve të brendshme Gordana Jankullovska, ka njoftuar se “gjatë bastisjes së banesave ku janë arrestuar Demiri dhe Ismailoviq është gjetur edhe një sasi e caktuar e armëve e cila në mënyrë plotësuese do të jetë lëndë e ekspertizës".

Ajo ka shtuar se Ismailoviqit dhe Demirit u është caktuar paraburgim 48 orësh në Kosovë, gjatë të cilës periudhë duhet të kompletohen të gjitha dokumentet të cilat janë të domosdoshme për fillim të procedurës për ekstradim.

Ndryshe, për vrasjen e pesëfishtë te liqeni i Smillkovës, më 11 prill të vitit të kaluar, të akuzuar nga prokuroria janë: Fejzi Haziri, Haki Haziri, Agim Ismailoviq, Rami Sejdi që për momentin ndodhet në paraburgim në Prilep dhe Manastir, si dhe Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri të cilët priten të ekstradohen nga Kosova.

Të akuzuarit u arrestuan më 1 maj gjatë aksionit “Monstra” së bashku me 15 persona të tjerë, të cilët pasi u etiketuan se janë terroristë islamikë, u lanë të lirë për mungesë provash.

Ndërkohë, pala mbrojtëse, prej disa muajsh ofron prova se bëhet fjalë për proces të montuar pasi prokuroria aktakuzën e ka ngritur në bazë të përgjimit të telefonave celularë.

Madje, të martën ka reaguar dhe avokati mbrojtës sepse seanca gjyqësore është mbajtur pas dyerve të mbyllura, pa praninë e mediave.

Këtë gjykata e ka arsyetuar me faktin se bëhet fjalë për dëshmi të ndjeshme. Por, me këtë nuk është pajtuar aspak pala mbrojtëse, e cila as të martën nuk ka pasur qasje në bisedat telefonika të cilat janë marrë si dëshmi.

Osman Kadriu, ekspert juridik, me këtë rast thotë se aksioni "Monstra" është politizuar në atë masë, që vështirë se mund të zhvillohet një proces gjyqësor i drejtë dhe i paanshëm.

Jam i mendimit se deri më tani, ashtu siç zhvillohet procedura gjyqësore për rastin 'Monstra' duket se shumë pak ka rrethana dhe fakte relevante në bazë të të cilave mund të dëshmohet vepra në fjalë, sidomos për dorasit që tani paraqiten si të akuzuar, më saktësisht dyshohen për veprën në fjalë”, shprehet Kadriu.

Ai thekson se ky rast duhet trajtuar me shumë kujdes nga të gjitha organet kompetente, sepse drejtpërdrejtë ndikon në përkeqësimin e raporteve ndëretnike.

Unë personalisht, duke u bazuar në disa deklarime, përfshi këtu dhe deklaratën e ish prokurorit shtetëror i cili ende pa filluar gjykimi, ai u shpreh se si prokuror ndjek lëndën dhe aktakuza është e tij në fjalën përfundimtare, do të propozojë burg të përjetshëm".

"Një deklarim i këtillë jo vetëm se është një përgjegjësi shumë e rëndë, njhërësh një kualifikim i këtillë assesi nuk duhet të dalë në sipërfaqe pa përfunduar procesi gjyqësor. Kështu që të gjitha këto që e përcjellin procesin gjyqësor bëjnë që të kemi dyshime të theksuara se edhe ky proces mund të jetë proces i montuar për qëllime politike”, vlerëson Osman Kadriu.

Nga ana tjetër, partia politike shqiptare BDI, ka dhënë garanci për një proces të drejtë dhe të paanshëm gjyqësor lidhur me rastin në fjalë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG