Ndërlidhjet

Maqedoni: Zbulohen të dyshuarit për vrasjen e pesëfishtë


Pamje nga aksioni i policisë së Maqedonisë për kapjen e të dyshuarve për vrasjet në Smillkovc. Shkup, 1 maj 2012.
Pamje nga aksioni i policisë së Maqedonisë për kapjen e të dyshuarve për vrasjet në Smillkovc. Shkup, 1 maj 2012.
Ministria e Punëve të Brendshme gjatë një aksioni policor të quajtur “Monstrum”, që e realizoi në orët e hershme të mëngjesit në disa Lagje të Shkupit, ka arrestuar mbi 20 të dyshuar lidhur me vrasjen e pesëfishtë, pranë liqenit të Hekuranës, në fshatin Smillkovc, në afërsi të Shkupit.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, në një konferencë për shtyp.

"Këto janë grupe radikale islame, janë persona të rrezikshëm dhe për ta do të ngrihen padi penale për terrorizëm“, ka deklaruar Jankullovska.

Ajo theksoi se në shumë lagje të Shkupit, të martën janë bastisur disa shtëpi, ku janë gjetur armë të kalibrave të ndryshëm, por hetimet do të dëshmojnë se ato armë janë përdorur ose jo gjate vrasjes së pesëfishtë në afërsi të fshatit Smillkovc.

Në mesin e 20 të arrestuarve, ka persona të cilët drejtpërdrejtë janë të ndërlidhur me vrasjen makabre në liqenin e Hekuranës, pranë fshatit Smillkovc. Por, ka dhe të tillë për të cilët nuk kemi të dhëna konkrete se a janë të përfshirë drejtpërdrejtë në këtë vrasje. Ata po merren në pyetje për momentin, dhe pasi të realizohen hetimet, do të dalim me të dhëna tjera“, ka deklaruar ministrja e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska.

Bëhet fjalë për qytetarë të Maqedonisë, nga Shkupi, të cilët janë pjesëtarë të grupeve radikale islamike, të cilët paraqesin kërcënim si për të krishterët, ashtu dhe për myslimanët. Këta grupe, si motiv kanë pasur ndjelljen e frikës dhe pasigurisë në mesi e qytetarëve", tha ajo.

Ndryshe, më 13 prill, në bregun e liqenit të Hekuranës, afër Smillkovcit, u vranë Kire Triçkovski, Aleksandar Naqeski, Filip Sllavkovski dhe Cvetanço Acevski, të moshës prej 18 deri 20 vjeç, si dhe Borçe Stefanovski (45) nga fshati Creshevë.

Pesë personat, sipas informatave të deritanishme të policisë, janë vrarë me armë automatike në afërsi të drejtpërdrejtë.

Një ditë më vonë, 10 kilometra nga vendi i masakrës, është gjetur automobili "opel omega", për të cilin më vonë është konfirmuar se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe është përdorë nga vrasësit.


Aksioni i Policisë së Maqedonisë

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG