Ndërlidhjet

Sërish shpërthim në Mitrovicë


Mitrovicë, shkurt 2013
Mitrovicë, shkurt 2013
Persona të panjohur kanë sulmuar mbrëmë me mjet shpërthyes banesën e një familjeje boshnjake në afërsi të vendit të quajtur Tre Rrokaqiejt, në pjesën veriore të Mitrovicës, njofton Policia e Kosovës.

Zëvendës-drejtori rajonal i Policisë në Mitrovicë, Ergin Mediq, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se përveç dëmeve materiale, nuk ka të lënduar, ndërsa hetimet janë në vazhdim e sipër.

Bëhet e ditur se kjo banesë është në pronësi të Tahir Memoviq, punonjës në Zyrën Administrative të Qeverisë së Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës.

Sipas Mediqit, ky është sulmi i 19-të me radhë në veri të Mitrovicës, që nga 1 janari i këtij viti.

“Sulmet janë heterogjene. Personat e sulmuar, janë pjesëtarë të institucioneve të ndryshme... ”, ka thënë Mediq.

Objektiv i sulmeve të mëparshme kanë qenë familje të përkatësisë etnike shqiptare, boshnjake dhe serbe, si dhe institucione serbe në veri.

Adrijana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative në Mitrovicë me anë të një deklarate me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ka dënuar ashpër veprimet e tilla, pasi që sipas saj, qytetarët janë të shqetësuar.

“Në muajt e fundit, kanë ndodhur sulme të rrezikshme ndaj qytetarëve të pjesës veriore të Mitrovicës të kryera nga persona të panjohur. Shpresoj që organet kompetente do të arrijnë të zbulojnë autorët e këtyre veprimeve kriminale që janë duke krijuar një pasiguri për qytetarët e kësaj pjesë”, ka thënë Hoxhiq.

Në fillim të kësaj jave, persona të panjohur kanë hedhur mjete shpërthyese edhe në ballkonin e banesës së një punëtori tjetër të Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës. Nga sulmi nuk pati viktima, kurse banesa në tërësi ishte shkatërruar. (a.z.)

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG