Ndërlidhjet

Plani parandalues për sigurinë në veri


Ura kryesore mbi lumin Ibër, Mitrovicë...
Ura kryesore mbi lumin Ibër, Mitrovicë...
Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar që Serbia t'i largojë strukturat e saj të sigurisë nga veriu dhe përderisa të mos zëvendësohet kjo super-strukturë e sigurisë së Kosovës në veri, atë ta plotësojnë paqeruajtësit e NATO-s dhe misioni i EULEX-it.

Janë kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, atë që kanë bërë këtë ujdi, gjatë bisedave të zhvilluara në Bruksel nën ombrellën e shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton, thotë për Radion Evropa e Lirë, koordinatori i Prishtinës zyrtare në dialogun politik, Blerim Shala.

“...me muaj, më së shumti me muaj, mund të llogaritet periudha kohore e zhbërjes së strukturave serbe të sigurisë. Por, po ashtu po shpresoj që me muaj duhet të llogaritet edhe aftësia jonë, potenciali ynë organizativ, për t’i zëvendësuar këto struktura me strukturat kosovare të sigurisë. Ndërkohë, llogaritet në një përkrahje të fuqishme të EULEX-it dhe KFOR-it, sepse ekziston një vullnet parimor, i Prishtinës dhe Beogradit, që faktori ndërkombëtar ta luaj një rol të rëndësishëm në tranzicionin e veriut të Kosovës”, thotë Shala.

Shefat e dy qeverive në Prishtinë e Beograd, janë takuar të mërkurën në Bruksel për të pestën herë që kur baronesha Catherine Ashton nisi diskutimet e thella për veriun e Kosovës. Pas takimit, zyra e saj për media ka sqaruar se ka pasur përparim thelbësor gjatë dy ditësh bisedime.

Kryeministri serb, Ivica Daçiq, ka thënë për opinion serb se Beogradi nuk do të lejojë shpërbërje të strukturave të veta në veri të Kosovës, pa qenë i sigurt se kush do t’i zëvendësojë ato.

Blerim Shala
Blerim Shala
Bashkërenduesi i palës kosovare, Blerim Shala, thotë për Radion Evropa e Lirë se vakum të sigurisë nuk do të ketë në veri të Kosovës, pas largimit të forcave të sigurisë së Serbisë.

“Ne e kemi një polici të Kosovës në veri. I dimë të gjitha të metat. E dimë që lojaliteti i tyre, i policëve serbë, fatkeqësisht lë shumë për të dëshiruar. Por, ne mendojmë po ashtu, që mund të inkuadrojmë edhe policë serbë të pjesëve tjera të Kosovës në këtë periudhën e parë të boshllëkut, ashtu që të mbulohet vakuumi i sigurisë”, shpjegon Shala.

Shefi i Qeverisë në Prishtinë, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se në takimin e radhës, më 4 mars në Bruksel, do të dihen shumica e detajeve rreth periudhës kalimtare të nevojshme për masat e reja të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.
Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare vazhdon të shprehë përkrahje për palën kosovare që brenda këtij viti të zhvillohen zgjedhje të reja në katër komunat matanë Ibrit.

Një klimë e tillë, besohet se do të ndihmonte në relaksimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe veriut, e që për garantues do të kishte edhe Beogradin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG