Ndërlidhjet

Aranzhmani special në veri, fleksibilitet i Pakos Ahtisaari


Veri
Veri
Transformimi i strukturave në veri të Kosovës në trupa vetëqeverisëse që përshtaten me juridiksionin e Kosovës, do të hapte rrugë për t’i ofruar veriut një aranzhman special si pjesë e zgjidhjes së përgjithshme.

Kështu është thënë në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, me titull “Serbia dhe Kosova: Rruga drejt normalizimit i publikuar një ditë më parë.

Përfaqësuesi i këtij grupi në Prishtinë, Naim Rashiti shpjegon për Radion Evropa e Lirë se palët duhet të punojnë për transformimin e strukturave ekzistuese në veri dhe të ofrojnë një rajon vetëqeverisës, që i përshtatet rendit juridik të Kosovës.

Megjithatë, ai thotë se të gjitha detajet do të dihen pas ndonjë marrëveshjeje që mund të arrihet në bisedimet Kosovë - Serbi.

Detajet do të përcaktohen nga dialogu, mirëpo, ajo që është e rëndësishme është se ky proces do të flasë shumë më pak për tërheqjen e strukturave dhe institucioneve atje dhe shumë me shumë për transformimin e institucioneve, komunave gjykatave një pjesë e pjesëtareve të policisë dhe përfaqësuesve të tjerë rajonal që i kanë serbet dhe institucioneve vetëqeverisëse”, tha Rashiti.

Ai tha po ashtu se esenca e vetëqeverisjes është në planin e Ahtisarit dhe përmes implementimit fleksibil të pakos, duke i shtuar kompetenca të veçanta që eventualisht të dy qeveritë mund të pajtohen në bisedime mund të krijohet kjo strukturë.

Pako e Ahtisarit parashikon krijimin e një asambleje të komunave. Dhe asambleja mund të emërojë edhe një këshill të veçantë. Nuk është e paraparë në këshill se kush do të emërohet – mund të jenë edhe njerëz edhe nga jashtë strukturat e këshillit. E rëndësishme është që ai këshill të përfaqësojë interesat e komuniteti serbë në veri. Se çfarë forme finale do të ketë është herët të themi se do të marrë”, deklaroi Rashiti.

Për më tepër, ka shtuar Rashiti, zbatimi fleksibil dhe i zgjeruar a i pakos nuk e dëmton aspak bazën e planit të Ahtisarit, bazë kjo mbi të cilën është formuar edhe shteti i Kosovës.

Nuk e cenon aspak. Zbatimi fleksibil nënkupton më shumë përshtatjen e planit për situatën e krijuar apo atë faktike në veri, aspak duke mos dëmtuar bazën kushtetuese dhe legale të Kosovës”, tha ai.

Por, ndryshe mendon Rangjell Nojkiq, politikan serb nga Kosova Qendrore.

Ai vlerëson se çështja e veriut të Kosovës dhe vetë serbe, nuk duhet të zgjidhet pjesë – pjesë, por siç thotë ai si një tërësi.

Kjo është arsyeja pse ne, vazhdimisht insistojmë që problemi i serbëve të Kosovës duhet të trajtohet si një e tërë dhe jo pak nga pak në veri, e jug...kështu që çdo zgjidhje e tillë bart me vete një rrezik të caktuar, që për t’i dhënë disa privilegje shtesë një pjese të Kosovës në krahasim me një pjesë tjetër".

"Prandaj, ne i bëjmë thirrje Beogradit që të mos negociojë për një bashkësi komunash, e të harrohen serbët në anën jugore të lumit Ibër”, tha Nojkiq për të shtuar se rrugët për t’i ofruar veriut një aranzhman special si pjesë e zgjidhjes së përgjithshme në veri, do të jetë një rrezik i madh, dhe siç tha ai, shpreson që nuk do të ndodhë ashtu.

Ndryshe, Prishtina zyrtare kundërshton fuqishëm idetë e qeverisë serbe për ndonjë status special për veriun, ndërsa këmbëngulu në tërësinë territoriale të vendit.

Përmes mbajtjes së zgjedhjeve lokale në zonat veriore të vendit, autoritete kosovare synojnë shtrirjen e autoritetit në atë pjesë të Kosovës.

Realizimi i një qëllimi të tillë, mbetet, megjithatë në ecurinë e bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe vullnetit të serbëve lokalë të veriut për t’i dëgjuar urdhrat e udhëheqësve të të dyja vendeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG