Ndërlidhjet

Maqedoni: Përpjekje të reja pajtimi


Komisioni i pavarur anketues për zbardhjen e incidentit në Kuvend, i propozuar nga presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov, ka gjasa reale të dështojë për shkak të refuzimit që i bëri nismën opozita maqedonase e cila edhe bojkoton Kuvendin, për shkak të dëbimit me dhunë të deputetëve të saj në seancën e 24 dhjetorit.

Nga opozita kanë përsëritur qëndrimin që fillimisht e kishin prezantuar përmes një komunikate se formimi i një komisioni të tillë do të ishte tentim për ikje nga përgjegjësia, pasi, sipas LSDM-së, për ngjarjet në Kuvend tashmë ka mësuar jo vetëm opinioni i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar dhe se pamjet e transmetuar edhe nga mediat prestigjioze botërore, flasin qartë, se kush ka dhunuar demokracinë në Maqedoni.

Të gjithë e kanë të qartë, edhe në Maqedoni, edhe jashtë saj, se më 24 dhjetor, të hënën e zezë, ishte shkelur demokracia dhe kushtetuta e vendit, se deputetët e opozitës dhe gazetarët me dhunë ishin larguar nga Kuvendi".

"Prandaj, çdo iniciativë për formimin e ndonjë komisioni për përcaktimin e fakteve nuk paraqet asgjë tjetër, pos tentim për ikje nga përgjegjësia të atyre që që urdhëruan dhe zbatuan dhunën në Kuvend. Përgjegjësi duhet të ketë dhe në kemi ngritur padi penale kundër kryeparlamentarit Trajko Veljanovski”, ka deklaruar Igor Ivanovski nga LSDM-ja.

Por, derisa opozita refuzon komisionin anketues, i njëjti, ka marrë përgjigje pozitive nga kryetari i Kuvendit dhe kryeministri Nikolla Gruevski, përkundër vërejtjeve që ka lidhur me përbërjen e komisionit.

Ivanov kërkon që dy nga tre anëtarët e komisionit të pavarur të propozohen nga ana e opozitës si dhe në përbërjen e tij të ketë edhe përfaqësues ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, lidhur me formimin e një komisioni të tillë anketues për ngjarjet në Kuvend, mendime të ndryshme kanë shprehur edhe ekspertët juridik dhe njohësit e zhvillime politike.

Analisti Xhelal Neziri, thotë se përvoja e deritanishme tregon se komisionet e tilla asnjëherë nuk kanë dhënë rezultatet e pritura.

Komisionet në Maqedoni që janë formuar pas çdo incidenti nuk kanë pasur pasoja për përgjegjësit e këtyre incidenteve. Mendoj se iniciativa e presidentit Ivanov është një lloj hapje e dyerve për opozitën që ti rikthehet punës së Kuvendit".

"Besoj se këtë nuk do ta pranoj LSDM-ja, e cila, është e vendosur që të bojkotoj zgjedhjet. Por, ky bojkot nuk bazohet në interesat shtetërore apo në funksionimin më të mirë të institucioneve, por kryesisht bazohet në interesa të ngushta partiake si dhe kalkulimet dhe projektimet e ndryshme të kësaj partie”, thotë analisti, Xhelal Neziri.

Por, ndryshe nga Neziri, ekspertja për çështje juridike, Tanja Karakamisheva, thotë se opozita duhet të marrë pjesë në këtë komision dhe nëse këtë nuk e bënë, atëherë sipas saj, opozita dëshmon se ka frikë nga zbardhja e rastit.

Opozita përfundimisht duhet të kthehet në Kuvend dhe në mënyrë institucionale të vazhdojë luftën e saj kundër pushtetit. Por, vlerësoj se ajo nuk i përgjigjet pozitivisht kërkesës për komisionin pasi me zbardhjen e rastit do të binte në ujë ky cirk që tani po ndodhë në rrugë sikur që do të binte poshtë edhe kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, deklaroi Tanja Karakamisheva, eksperte për çështje juridike.

Ndërkohë, nisma e presidentit Ivanov është mbështetur edhe nga Komisioni Evropian.

Ne vlerësojmë se puna e këtij komisioni duhet të jetë e pavarur dhe e bazuar në standardet evropiane. Është me rëndësi se rekomandimet dhe konkluzionet e punës së këtij komisioni do të merren parasysh nga Komisioni Evropian në raportin e pranverës për Maqedoninë. Kjo do të thotë se rezultatet e punës së këtij grupi të ekspertëve nuk do të përfundojnë nën tepih”, transmetojnë mediat një deklaratë të zëdhënësit të Komisionit Evropian, Petar Stano.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG