Ndërlidhjet

Dokumente pa efekt për Kosovën


Qeveria e Serbisë
Qeveria e Serbisë
Beogradi zyrtar me miratimin e dy dokumenteve për Kosovën e ka ndryshuar strategjinë për dialog politik dhe e ka bërë publike politikën e tij të mëparshme.

Kështu vlerëson drejtori i Institutit KIPRED, Ilir Deda, duke shtuar se ato dokumente nuk mund të ndikojnë shumë në dialogun e paralajmëruar politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Deda thekson se këto veprime nga ana e Serbisë po bëhen, pasi që ata do të mundohen që të nxjerrin një status sa më autonom për serbët e Kosovës, në të njëjtën kohë duke mos u fokusuar në statusin e Kosovës.

Ky është një ndryshim i pozitës së mëhershme të Serbisë të cilën e kemi parë në vitet e fundit, por nëse ata do të fokusohen në një segment të tillë çfarë është autonomia për serbët në veri apo në të gjithë Kosovën, kjo mund të sjell deri në pengesa për mbërritjen e kushteve nga ana e BE-së. E kushtet e BE-së në këtë dialog, integrimi i veriut në sistemin unik institucional të Kosovës si dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura siç janë energjia, telekomunikacioni e çështja e të pagjeturve etj.”, tha Deda.

Rezoluta e cila do të votohet në Kuvendin e Serbisë është mjaft e hapur, ndërsa platforma e cila nuk do të bëhet publike është ajo pjesa problematike e gjithë kësaj, thotë zoti Deda.

Sipas tij, nëse Qeveria e Serbisë i përmbahet rezolutës e cila ka mundësi të shumta interpretimi, atëherë mund të mos ketë problem, por nëse i përmbahet platformës së tyre politike mund të këtë problem në dialog.

Kosova dhe Serbia duhet të flasin vetëm për ato çështje të cilat çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Atë vetëm për çështjet e fqinjësisë së mirë atë se si e kërkon BE-ja. Dhe këtu të pritet në që BE-ja të jete me e fortë në qëndrimet e saj se çka do të thotë normalizimi”, u shpreh Deda.

Rezoluta e miratuar nga Qeveria e Serbisë, nuk e njeh Kosovën. Në të thuhet po ashtu se qëllimi i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është krijimi i parakushteve që serbët dhe komunitetet tjera të kenë mundësi të forcohen dhe të jetojnë në paqe dhe siguri.

Në rezolutë thuhet po ashtu se Qeveria e Serbisë autorizohet që të vazhdojë me implementimin e marrëveshjeve të arritura me Prishtinën.

Megjithatë, disa nga agjencitë e lajmeve ndërkombëtare kanë shkruar se Serbia ka dhënë indikacione se është e gatshme që të humbë kontrollin ndaj veriut të Kosovës, duke thënë se ky edhe shënon koncesionin më të madh të Beogradit, derisa po shkon drejt bisedimeve për t’iu bashkuar Unionit Evropian.

Kurse sa i takon çështjes së platformës, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq është shprehur se platforma për bisedime politike me përfaqësuesit e Prishtinës, nuk do të dalë në publik, pasi që “nuk duhet që me platformën dhe me taktikat tona të njihen ata me të cilët duhet të bisedojmë”.

Nga ana tjetër, analisti politik, Ismail Hasani, vlerëson se dokumentet e nxjerra së fundmi nga autoritetet në Beograd, mund të jenë vetëm për konsum të brendshëm dhe nuk do të ndikojnë në bisedimet politike mes dy shteteve.

Unë, konsideroj se miratimi i njëanshëm i dokumenteve nga ana e Serbisë janë veprime të njëanshme të cilat nuk i ndihmojnë procesit absolutisht nuk kanë efekt në bisedimet të cilat do të mbahen në Bruksel. Janë më tepër shprehje e synimeve të lidershipit të Serbisë që t’iu dal borxh zgjedhësve të vet dhe detyrimit që ka ndaj qytetarëve të vet për menynë se si ata kanë marr vota”, tha Ismaili.

Hasani tha po ashtu se në asnjë mënyrë as Brukseli nuk do t’i marr parasysh ato dokumentet që t’i përdor si bazë apo platformë për bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë.

Konsideroj se kryeministri i Serbisë Daçiq heq dorë prej paralajmërimit që ka bërë për monumentin e luftëtarëve të lirisë në Preshevë mund ta acarojë situatën. Mund të shkaktojë incidente. Ndërsa, për pjesën tjetër do të thotë lëvizjet të cilat do të bëhen në Bruksel, normalisht që ato janë të dirigjuara nuk ka mundësi nuk ka kushte, nuk ka rrethana që njerëzit të shprehin agresivitetin e vet qoftë njëra qoftë tjetra palë".

"Kjo për faktin se ulja në tryezën e bisedimeve nënkupton edhe disiplinim përkatësisht vet disiplinim. Sepse as Serbia as Kosova nuk shkojnë me dëshirën e tyre në Bruksel”, vlerësoi Ismaili.

Platformën e paraqitur nga Republikës së Serbisë presidenca e Kosovës e ka konsideruar po ashtu vetëm për konsum të brendshëm dhe se ajo sipas tyre asnjëherë nuk do të paraqitet në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG