Ndërlidhjet

Vështirësohet procesi integrues i Maqedonisë


Ilustrim
Ilustrim
Kriza politike dhe incidentet e fundit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë në mënyrë plotësuese do të vështirojnë procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlanike, krahas problemit ekzistues me çështjen e emrit.

Ekspertët për çështje ndërkombëtare, thonë se Maqedonia nuk duhet të pretendojë marrjen e datës për fillimin e bisedimeve me BE-në, e as ftesë për anëtarësim në NATO, nëse kriza merr përmasat e bojkotimit të zgjedhjeve nga opozita apo vazhdimin e mbetjes së saj jashtë institucionit ligjvënës

Gjithsesi se këto zhvillime do të kenë ndikime të mëdha ndaj raportit në kuadër të planit aksional për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Bëhet fjalë për një dokument që përgatitet në bashkëpunim me ekspertët e aleancës për çështje të ndryshme dhe në pjesën politike e cila ka të bëjë me demokracinë, përveç raporteve ndëretnike, tani do të qëndrojë edhe kriza e tanishme politike”, thotë Nano Ruzhin, ish ambasador i Maqedonisë në NATO.

Ai thotë se krahas pasojave në aspekt të zvarritjes së procesit të integrimit në NATO, kriza e tanishme politike dhe paralajmërimet nga opozita për bojkotimin e mundshëm të zgjedhjeve dhe mos kthimin e saj në Kuvend, do të ndërlikojnë edhe më shumë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Së bashku me çështjen e emrit, Maqedonia do të fitojë edhe një problem që ka të bëjë me demokracinë dhe mediat. Kjo që po ndodhë nuk është aspak e mirë e në veçanti ajo që ndodhi në Kuvend dhe përgjegjësia për këtë i takon pushtetit. Ai mund të zgjidhte rrugë tjerë për të realizuar atë që dëshironin e assesi me përdorimin e dhunës ndaj deputetëve opozitar, të cilët, me forca u dëbuan nga kuvendi, kjo ka prishur imazhin e shtetit dhe demokracinë në përgjithësi dhe pa dyshim se do të kenë pasoja në veçanti ndaj procesit euro-integrues”, shprehet Nano Ruzhin.

Edhe Bekim Kadriu, profesor i së drejtës ndërkombëtare thotë se zhvillimet e këtilla do të reflektohen negativisht ndaj procesit integrues.

Ai thotë se Bashkimi Evropian nuk dëshiron në radhët e saj shtete me probleme të pazgjidhura, siç është rasti me Maqedoninë, e cila, përveç çështjes së emrit dhe raporteve të brishta ndëretnike, tani përballet me krizë të thellë politike.

Ngërçi politik dhe mospjesëmarrja e opozitës në organin ligjdhënës paraqet si pengesë në procesin e euro-integrimeve për shkak se do të thotë mosplotësim të një prej kritereve politike për anëtarësim, kjo është një arsye në aspektin formalo-juridik. Në aspektin faktik mospjesëmarrja e opozitës bllokon edhe avancimin e plotësimit të kritereve, bllokon vazhdimin e reformave që është kusht i domosdoshëm për fillim të negociatave për shkak se kemi ligje që duhet ë miratohen me një shumicë të kualifikuar, me dy të tretat e votave”, thotë Bekim Kadriu.

Ndryshe, Lidhja Socialdemokrate në opozitë në mbledhjen së kryesisë së zgjeruar që ka përfunduar mbrëmë vonë ka kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të marsit, me shkarkimin e tre ministrave në qeverinë e kryeministrit Nikolla Gruevski.

Opozita kërkon ndërrimin e ministres së punëve të brendshme, Gordana Jankullovska, të ministrit të financave, Zoran Stavrevski, dhe të drejtësisë, Blerim Bexheti.

“Vetëm nëse këto tri ministri udhëhiqen nga njerëz të besueshëm për opozitën, qeveria do të kishte kredibilitet për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në mars dhe me këtë zhbllokimin e krizës politike”, kanë deklaruar nga Lidhja Socialdemokrate.

Ajo ka parashtruar edhe kushte tjera që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Analistët thonë se kërkesat e tilla janë vetëm se alibi nga ana e opozitës për të bojkotuar zgjedhjeve pasi është e vetëdijshme se të njëjtat vështirë se do të përmbushen nga partitë në pushtet.

LSDM-ja dhe partitë e tjera maqedonase të opozitës, nga dhjetori i kaluar kanë braktisur Kuvendin pas dëbimit me forcë të deputetëve të saj nga salla për të mos penguar miratimin e buxhetit për vitin 2013.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG