Ndërlidhjet

Praktikë jo e mirë e mbushjes së buxhetit


Ilustrim
Ilustrim
Buxheti i Kosovës për vitin 2013 do të jetë i mbështetur nga të hyrat që grumbullohen nga Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës. Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë alternativë tjetër për mbushjen e buxhetit.

Këto dy institucione më të rëndësishme për mbushjen e buxhetit për vitin 2013, është paraparë të grumbullojnë mbi 1 miliard euro.

Sipas parashikimeve të ekzekutivit, për vitin 2013 Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë 915 milionë euro, kurse nga Administrata Tatimore e Kosovës, duhet të mblidhen 301 milionë euro.



Drejtori i Instituti për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi, thotë për Radion Evropa e Lirë se mbledhja e të hyrave nga Dogana dhe ATK-ja nuk është mundësi nga më të mirat për një buxhet të qëndrueshëm.

“Të hyrat e buxhetit të Kosovës në masë të madhe mblidhen nga Doganat. Kjo tregon se edhe në vitin 2013 Doganat do të jenë kontribuuesi më i madh i të hyrave buxhetore".

"Mirëpo, kjo tregon se edhe në vitin 2013 dhe në vitet e mëhershme deficiti tregtar është shumë i lartë dhe për atë qëllim kemi një buxhet të lartë shtetëror, por dëmet e ekonomisë nga deficiti i lartë tregtar janë shumë më të mëdha se sa po të kishim të hyra më të ulëta buxhetore, për shkak se në importojmë mbi 2 miliardë euro mallra dhe po eksportojmë një sasi të vogël”
, thotë Demi.

Mjaft kritik për mënyrën e mbledhjes së të hyrave për mbushjen e buxhetit të Kosovës, shprehet kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.

Merdar...
Merdar...
“Këto institucione, Dogana dhe ATK-ja, po shkelin rregullat e punës dhe ligjet vetëm e vetëm për të arritur synimet dhe objektivat e mbushjes së buxhetit dhe shpesh mburren që kanë tejkaluar planifikimet për buxhetin e Kosovës, por megjithatë mbeten alternativa të vetme që janë të qëndrueshme derisa nuk ka politika tjera për të mbushur buxhetin e konsoliduar të Kosovës”, thekson Shahini.

Derisa Kosova synon integrimin evropian, thotë Shahini, duhet të ndryshoj qasjen e të mbledhjes së të hyrave. Ekzekutivi, sipas Shahinit, gjatë këtij viti duhet të hartojë një plan strategjik që të lirohen një pjesë e madhe e produkteve nga doganat.

“Më e mira për Kosovën do të ishte të hiqen krejtësisht taksa doganore, qoftë për produkt për përpunim, prodhim apo produkt final nga vendet e BE-së dhe vendet tjera. Dhe, duke mos humbur konturat e të hyrave për buxhetin, duhet që të rritet TVSH-ja, të rritet efikasiteti i mbledhjes së TVSH-së, të rriten të hyrat nga pagat, të luftohet joformalitet”, shprehet Shahini.

Në anën tjetër, marrëveshjet e Qeverisë së Kosovës me disa shtete për uljen e taksave doganore, të cilat pritet të arrihen në fillim të këtij viti, sipas Agron Demit nga GAP-i, do të ndikojnë që Kosova të ketë të hyra më të ulëta krahasuar me vitet e mëhershme.

“Vetëm marrëveshja me Turqinë që parashihet të arrihet në fillim të këtij viti, do të ketë ndikim prej 17 milionë euro më pak të hyra, për shkak se parashihet një marrëveshje ku taksa doganore nga 10 për qind të ulet në 0 për qind”, bën të ditur Demi.

Buxheti i Kosovës për vitin 2013 është 1 miliard e 586 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG