Ndërlidhjet

Buxheti i Kosovës, në deficit


Ilustrim
Ilustrim
Buxheti i vitit 2012 sipas raportit vjetor të Ministrisë së Financave, të prezantuar të premten, do të ketë deficit buxhetor prej 2.2 për qind. Por, se ky deficit nuk do të paraqet ndonjë problem për shkak se do të arrihet të mbulohet 10 për qind, bën të ditur ministri i Financave, Bedri Hamza.

Bilanci bankar, sipas tij, do të ketë rritje në krahasim me vitin paraprak. Niveli i shpenzime dhe të hyrave, siç thekson Hamza, është rritur dhe deri në fund të vitit buxheti i Kosovës do të ketë 260 milionë euro më shumë.

“Fillimisht kemi planifikuar një deficit më të madh rreth 3 për qind, mirëpo gjithmonë deficiti është më i vogël se sa deficiti i projektuar si rezultat i nën- shpenzimeve në disa kategori ekonomike. Presim që edhe për këtë vit deficiti primar të jetë më pak se 2 për qind, por presim të dhënat përfundimtare në përmbyllje të vitit fiskal”, thotë Hamza.

Ekzekutimi i buxhetit të Kosovës për vitin 2012 , thotë Hamza, deri më tani është bërë në masën mbi 92 për qind dhe gjithsej janë shpenzuar 1 miliard 461 milionë euro.

Ndërkaq, dy institucionet më të rëndësishme për mbledhjen e të hyrave, Administrata Tatimore dhe Doganat e Kosovës, kanë arritur t’i realizojnë parashikimet e Qeverisë së Kosovës gati 100 për qind.

Këto dy institucione deri më tani kanë arritur t’i mbledhin së bashku 1 miliard e 510 milionë euro.

Sipas parashikimeve të ekzekutivit, Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë 860 milionë euro, derisa ATK-ja 285 milionë euro.

Sa i përket rritjes ekonomike dhe trendëve tjerë në aspektin ekonomik, Bedri Hamza thotë se është shënuar progres në disa fusha, por ka pasur edhe rënie siç janë eksportet.

“Rritja ekonomike për vitin 2012 do të jetë 3.9 për qind, inflacioni 2.5, eksportet e mallrave kanë shënuar rënie për 3.5 për qind. Importet ka shënuar një ngritje të lehtë për 2.1 për qind, konsumi 2 për qind, kurse për investimet në total kemi rritje 5.9 për qind dhe Kosova ka arritur që të ketë borxhin publik më të voglin në rajon dhe atë 8.59 për qind”, sqaron Hamza.

Zhvillimet ekonomike në Kosovë, në anën tjetër, kritikohen nga ekspertët e çështjeve ekonomike. Agron Demi nga Instituti për Hulumtime të Avancuara thotë për Radion Evropa e Lirë se ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2012 nuk ka shënuar ndonjë progres të dukshëm.
Ajo që është thënë se ka rritje ekonomik 3.9 për qind është bërë traditë të fryhet, pasi që rritja ekonomike në Kosovë nuk është më shumë se 3 për qind

“Në dy vitet e fundit me ndarjen e Ministrisë së Financave me atë të Ekonomisë, është vërejtur që së paku Ministria e Financave ka arritur që të bëjë një menaxhim më të mirë, por asnjëherë buxheti i Kosovës nuk ka qenë një instrument, i cili ka krijuar rritje ekonomike. Ajo që është thënë se ka rritje ekonomik 3.9 për qind është bërë traditë të fryhet, pasi që rritja ekonomike në Kosovë nuk është më shumë se 3 për qind”, vlerëson Demi.

Mbledhja e të hyrave për buxhetin e Kosovës vetëm nga Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës, thekson Demi, nuk është një praktikë e mirë pasi që, siç thotë ai, janë të hyra të paqëndrueshme dhe që ndikojnë në rritjen e deficitit të lartë tregtar.

“Grumbullimi i të hyrave vetëm nga Doganat dhe ATK-ja nuk është politikë e gabuar, pasi që ne po përqendrohemi vetëm tek importi i mallrave, të cilat eksportojnë para, importojnë mallra dhe kjo po ndikon në deficit të lartë tregtar”, thekson Demi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG