Ndërlidhjet

Në kohë të vështira, në Evropë rritet ekonomia e zezë


Jusuf Ahmiq jeton në qytetin boshnjak të Tuzllës. Për pak më shumë se 5 dollarë për metër, ai shtron pllaka për banjë. Megjithatë, ai ka punë vetëm kur një mik i tiji i kërkon ndihmë.

Në këtë kohë të vështirë, ai nuk mund të përballojë koston e regjistrimit të një biznesi. Ideja për t’i paguar ndonjë gjë shtetit, derisa mezi ushqen familjen, e bën të rrotullojë sytë.

Ky shtet është i kotë. Ai vetëm merr dhe nuk kthen asgjë prapa. Nuk ka asnjë stimul për bizneset e vogla, andaj punoj si i paregjistruar. Nëse më kapin, çfarë mund të bëj? Unë nuk mund të ndryshoj situatën në të cilën ndodhem”, thotë Ahmiq.

Ai është vetëm njëri nga numri në rritje i njerëzve që bëjnë përpjekje të shpëtojnë nga kriza ekonomike në Evropë.

Pra, është një kohë kur njerëzit kryejnë shërbime, të cilat janë të ligjshme, porse i fshehin të ardhurat e tyre nga autoritetet tatimore.

Të dhënat e fundit tregojnë se ekonomia e zezë është rritur për 5 për qind nga viti 2007 deri më 2011. Vlera totale e ekonomisë së zezë në vitin e kaluar thuhet se ka kapur vlerën e 2.2 trilionë eurove.

Ekonomia e zezë nuk përfshin aktivitetet tipike kriminale, si droga apo vjedhjet.

Friedric Schneider, nga Universiteti Johannes Kepler në Linc të Austrisë, është njohës i ekonomisë së zezë. Ai thotë se pjesa më e madhe e kësaj dukurie zë vend në Evropën qendrore dhe lindore, ashtu si edhe në Mesdhe.

Këto janë dy grupet që kanë ekonominë më të madhe të zezë. Në Evropën lindore janë Bullgaria dhe Rumania me nivele mjaft të larta, për shkak të sistemeve të tyre të qeverisjes së keqe dhe korrupsionit të lartë, i cili po ashtu është fenomen, si për shembull në Greqi”, thotë Schneider.

Banka Botërore, në muajin shtator, ka bërë të ditur se 32 për qind e aktivitetit ekonomik në Bullgari këtë vit është zhvilluar në të zezë, ndërsa në Rumani 29 për qind. Shifrat krahasohen me vetëm 7 për qind të kësaj dukurie në Austri.

Njerëzit zhvillojnë ekonomi të zezë kur ata besojnë se nuk mund të mbijetojnë në ekonominë e ligjshme. Shpesh, ata bëjnë përpjekje t’i shmangin “taksat e larta” apo “shpenzimet rregullative” në bizneset e tyre.

Por, nëse ky veprim përkohësisht ndihmon individët që të mbijetojnë, ai paraqet sfidë të madhe për vendet e tyre, pasi privon qeveritë nga mbledhja e shumave enorme të taksave.

Në disa vende, të tilla si Italia, ekonomia e zezë është aq e lartë, saqë nëse tatohet, mund të zgjidhë më shpejt problemin e borxhit sovran.

Evazioni fiskal thuhet se i kushton Thesarit të Italisë rreth 340 miliardë dollarë në vit. Nëse mblidhet çdo vit, kjo shumë mund të paguajë borxhin e Romës, në vlerë prej 2.6 trilionë dollarësh, për më pak se tetë vjet.

Megjithatë, ky është një fat që Italia apo qeveritë e tjera evropiane nuk ka të ngjarë që ta përjetojnë. Mbledhja e të gjitha taksave që fsheh ekonomia e zezë kërkon masa drakoniane – masa që qeveritë, zakonisht, nuk mund të imponojnë.

Në vend të kësaj, qeveritë duhet të përpiqen të nxjerrin mësime nga ekonomitë e tyre të zeza.

Mësimi për një qeveri nuk është të përpiqet që të godasë në mënyrë dramatike ekonominë e zezë, por të reduktojë shpenzimet e operimit në ekonomi formale dhe t’i sjellë këto transaksione në sektorin formal”, thotë Dalibor Rohac, ekonomist pranë Institutit Legatum të Londrës.

Shumë njerëz që punojnë në sistemin joformal, do të preferonin ekonominë formale nëse do të mund t’i përballonin kostot e saj.

Kjo, sepse ekonomia e zezë ka disa dëme të dukshme.

Ajo zhvillohet jashtë shërbimeve që ofron sektori formal dhe institucionet që përshpejtojnë dhe thjeshtëzojnë bërjen e biznesit.

Rregulloret për standardet e produktit dhe sigurinë në punë po ashtu injorohen. Dhe, mosmarrëveshjet ndërmjet partnerëve të biznesit duhet të zgjidhen jashtë gjykatave, e nganjëherë edhe me dhunë.

Ahmiq, punëtori nga Tuzlla, thotë se do të donte të regjistronte biznesin e tij një ditë dhe të ndalonte së punuari ilegalisht. Por, kjo nuk ka gjasa të ndodhë së shpejti.

Më është thënë nga njerëzit që bëjnë biznesin e njëjtë se më duhen mijëra marka të Bosnjës dhe shumë dokumente, andaj nuk mund ta bëj. Për momentin, nuk arrij ta bëj. Më vonë, kur gjërat të rregullohen, ndoshta po. Kush e di?”, thotë Ahmiq.(v.t.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG