Ndërlidhjet

Pranimi i realitetit të Kosovës stabilizon rajonin


Samiti në Budvë
Samiti në Budvë
Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë ambicie që të shkelin integritetin e fqinjëve, malazezët dhe kroatët së shpejti do të njihen si pakica në Kushtetutën e Kosovës, ndërsa pranimi i Kosovës së pavarur nga ana e Serbisë, është njëri nga kushtet për stabilizimin e rajonit.

Këto janë qëndrimet që janë dëgjuar sot nga pjesëmarrësit e Samitit IV të kryetarëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, i cili ka zhvilluar punimet në Budvë të Malit të Zi.

Pos nikoqirit të tij, presidentit malazez, Filip Vujanoviq, në samit kanë marrë pjesë: presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, dhe ai i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Ata kanë shprehur keqardhje për mospraninë e presidentit serb, Tomisllav Nikolliq, i cili ka thënë se ka marrë një vendim të tillë, “i nxitur nga ai i Gjykatës së Hagës për të liruar nga akuzat për krime lufte ish-komandantin e UÇK-së, Ramush Haradinaj”. Megjithatë, të pranishmit kanë thënë se takimi dyditësh ka qenë një kontribut i madh në bashkëpunimin rajonal.

“Mosardhja e zotit Nikolliq nuk ka ndonjë ndikim të rëndësishëm në samit, por, megjithatë, do të ishte një tjetër vlerë për bashkëpunimin rajonal”, ka deklaruar presidentja Atifete Jahjaga.

Ajo ka thënë se Serbia duhet ta pranojë sa më parë realitetin e Kosovës.

“Besoj se liderët në Serbi duhet të pranojnë sa më parë realitetin se Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, me integritet të plotë territorial. Është i madh numri i shteteve të botës që kanë njohur Kosovën dhe Kosova gjithnjë e më shumë po bëhet faktor në arenën e marrëdhënieve politike ndërkombëtare”.

“Sa më parë që të pranohet ky realitet nga Serbia fqinje, aq më parë do të normalizoheshin marrëdhëniet midis dy shteteve tona. Një gjë e tillë do të ishte kontribut edhe për stabilizimin e rajonit, por edhe përparim i rëndësishëm në integrimin e rajonit në strukturat evropiane dhe euro-atlantike”, ka thënë Jahjaga.

I pyetur të komentojë deklaratat që janë dëgjuar gjatë festimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë për bashkimin e të gjithë shqiptarëve, si dhe incidentet e djegies së flamurit të Maqedonisë, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka thënë se vendi i tij nuk dëshiron të shkelë integritetin e fqinjëve, me të cilët nuk ka çështje të pazgjidhura.

“Mund t’ju garantoj se marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Maqedonisë janë të jashtëzakonshme. Incidentet e izoluara, individuale dhe provokuese janë subjekt i gjykatave dhe nuk mund t’i kërcënojnë marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi. Shqipëria nuk ka asnjë çështje të hapur me asnjë vend të rajonit. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë interes për shkeljen e integritetit të fqinjëve”.

“Shqipëria dhe shqiptarët janë të vendosur, ashtu si edhe të gjitha vendet e rajonit, që të vazhdojnë rrugën e tyre evropiane”, ka thënë Nishani.

Gazetarëve lokalë u ka interesuar po ashtu se kur do t’i shkëmbejnë ambasadorët Mali i Zi dhe Kosova dhe kur do të zgjidhet statusi i malazezëve në Kosovë.

“Shkëmbimin e ambasadorëve e shoh si çështje teknike. Malazezët në Kosovë shumë shpejt do të njihen si pakicë kombëtare. Pasi të kryhet kjo formalisht – dhe është në prag të përfundimit – ne do të kryejmë procedurën e shkëmbimit të ambasadorëve”, ka thënë presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq.

Jahjaga ka thënë se brenda disa muajve të ardhshëm, malazezët dhe kroatët në Kosovë do të njihen edhe me Kushtetutë.

“Sa i përket statusit të komunitetit malazez në Kosovë, ligji ka kaluar procedurën parlamentare. Mendoj se (njohja) është çështje e disa muajve të ardhshëm”, ka thënë Jahjaga.

Samiti dyditësh në Budvë është zhvilluar në një atmosferë të dukshme miqësore. Përveç takimit multilateral, ka pasur edhe takime dypalëshe. Samiti i ardhshëm rajonal do të mbahet në vitin 2013, në Shqipëri.
XS
SM
MD
LG