Ndërlidhjet

Kërkohet sërish kushtëzimi i bisedimeve me Serbinë


Pamje nga protesta...
Pamje nga protesta...
Derisa në javën e ardhshme pritet të vazhdojnë bisedimet me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, mbi njëqind protestues dolën të shtunën në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë për t’i kërkuar Qeverisë së vendit kushtëzimin e këtyre bisedimeve.

“Kërkim-falja nga Serbia, kthimi i të pagjeturve, drejtësia për krimet dhe dhunimet gjatë luftës dhe kompensimi për dëmet morale dhe ekonomike”, sipas protestuesve, janë kritere që duhet plotësuar para se udhëheqësit kosovarë të ulen në një tryezë me zyrtarët serbë.

Protestuesit mbanin bluza të kuqe me mbishkrimin “Drejtësi dhe Dinjitet para Negociatave”.
Protestuesit mbanin bluza të kuqe me mbishkrimin “Drejtësi dhe Dinjitet para Negociatave”.
Pjesëmarrësve të protestës me moton: “Drejtësi dhe Dinjitet para Negociatave”, iu drejtua kryetarja e Organizatës “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova, Nesrete Kumnova.

Ajo tha se dinjiteti njerëzor e shtetëror është parakusht për të biseduar me Serbinë.

“Ne, populli më i dëmtuar, duhet të ulemi në një tavolinë me ta për të negociuar; duhet humbur dinjitetin e popullit të Kosovës që, i gjymtuar nga krimet e qeverisë serbe, neve na konsiderojnë të barabartë sikurse t’i konsiderojnë të barabartë një xhelat me viktimën”, u shpreh ajo për të theksuar rëndësinë e zbardhjes së fatit të mbi 1700 personave të pagjetur të vendit.

Në listën e atyre që mbesin të pagjetur që nga paslufta në Kosovë, figuron emri i Sejdi Thaqit nga Peja.

Me foton e të vëllait në duar, Daut Thaqi, fajësoi shtetin serb për zhdukjen e Sejdiut.

“Këta kurrë s’do t’i kenë punët mirë me ne, sepse gjithmonë na kanë mashtruar”, tha Thaqi.

Takimi i dytë i bisedimeve që nisën më 19 tetor me duar-shtrëngimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, me gjasë do të zhvillohet më 7 nëntor nën ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.

Bisedimet e nivelit të lartë thuhet se kanë për synim normalizimin e raporteve ndërmjet palëve drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Por, Igballe Rogova nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, tha se drejtësia tranzicionale duhet të jetë parakusht për çfarëdo bisedimesh me qeverinë serbe.

Nesrete Kumnova(Foto nga arkivi)
Nesrete Kumnova(Foto nga arkivi)
“Dëgjuam edhe zëra nga Qeveria - ishte një burrë dhe një grua. Një burrë tha, po e citoj, ‘E kaluara nuk duhet të jetë peng e së ardhmes’ e gruaja tha: ‘Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është kusht për hyrje në BE’. Unë pyes këtë burrë dhe këtë grua ‘Nëse qenka bileta për në BE kaq e dhimbshme e kaq e hidhur, për Zotin për ne është shumë e papranueshme”, theksoi Rogova.

Kërkesa për kushtëzimin e bisedimeve me Serbinë me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur në Kosovë, është bërë disa herë deri më tani.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës patën votuar para disa muajsh në mbështetje të një mocioni për kushtëzimin e vazhdimit të bisedimeve me Serbinë me çështjen e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, duke thënë se kjo çështje është “obligim kushtetues dhe shtetëror i Kosovës”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG