Ndërlidhjet

Fati i të pagjeturve megjithatë kushtëzon dialogun me Serbinë


Fotografitë e personave të pagjetur pranë Kuvendit të Kosovës - foto nga arkivi
Fotografitë e personave të pagjetur pranë Kuvendit të Kosovës - foto nga arkivi
Partia Demokratike e Kosovës ka hequr dorë nga nisma e saj për rikthimin në votim të mocionit për kushtëzimin e vazhdimit të bisedimeve me Serbinë me çështjen e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

Në mungesë të përkrahjes së opozitës, si dhe nën presionin e familjarëve dhe të afërmeve të personave të pagjetur të luftës, të cilët edhe të martën ishin mbledhur para dyerve të Kuvendit, ku kërkonin që mocioni të mos kthehej në rivotim, PDK ka kërkuar që kjo çështje të mbyllet, në mënyrë që të mos luhet me ndjenjat e njerëzve për një çështje kaq të dhimbshme.

Në emër të PDK-së, deputeti Arsim Bajrami kërkoi nga Kuvendi që të mbyllet çështja e mocionit, por njëherësh i kërkoi udhëheqësisë së këtij institucioni që në të ardhmen të ketë kujdes se çka po vendos në votim, pasi që PDK kishte konsideruar se mocioni i votuar javën e kaluar nuk ishte definuar mirë.

Fati i të pagjeturve dhe zbardhja e tij është një detyrim shtetëror dhe kushtetues shtetëror dhe kushtetues i të gjitha institucioneve të Kosovës, dhe të gjitha institucionet duhet t’i përmbushin detyrimet kushtetuese, dhe kjo çështje është një brengë dhe detyrim permanent derisa nuk zgjidhet përfundimisht. Është krejtësisht jo korrekte dhe krejtësisht një shërbim jo i mirë për të pagjeturit në qoftë se ne përplasemi politikisht karshi kësaj plage të Kosovës. Thjeshtë angazhohem që ne të m os diskutojmë më për këtë çështje e cila mbetet një detyrim shtetëror i Republikës së Kosovës”, ka thënë Bajrami.

Javën e kaluar, PDK fillimisht kishte mbështetur kushtëzimin e vazhdimit të bisedimeve me Serbinë me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të luftës, por më pas, deputetët e saj kërkuan kthimin në votim të mocionit të miratuar me arsyetimin se Kuvendi kishte votuar dy dokumente dhe jo një mocion të vetëm.

Por, PDK hasi në kundërshtimin e opozitës dhe familjarëve e të afërmve të personave të pagjetur. Këta të fundit edhe sot ishte tubuar para dyerve të Kuvendit duke kërkuar nga deputetët që ta mbanin në fuqi mocionin dhe kushtëzimin për Serbinë.

Rrezarta Jaha nga Suhareka ishte një prej atyre që po priste në shi para dyerve të Kuvendit. Ajo ka të zhdukur vëllaun dhe dajën e saj. Bashkë me familjarët e tjerë, ajo po priste vendimin e Kuvendit nëse kushtëzimi i vazhdimit të dialogut me Serbinë me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur do të vazhdonte apo jo.

Atë ditë kemi pasur një gëzim të madh që u bë çështja e të zhdukurve primare, sepse deri atëherë nuk ishte, por prapë deputetët na i shtuan dhimbjet edhe 100 herë më shumë. Si nuk e llogaritin veten ata me e pas një person të zhdukur, e sidomos një fëmijë 13 vjeç?! Si do të ndiheshin ata ditë e natë si ndihemi ne?!”, është shprehur Rrezarta Jaha.

Ndërkohë, kryetarja e Organizatës “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova, Nysrete Kumnova, tha se Kuvendi duhet të vazhdojë me kushtëzime dhe të qëndrojë pranë familjeve që tash e më gjatë se 13 vjet nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre.

Ndërsa po priste para dyerve të Kuvendit se çka do të vendosej në lidhje me mocionin, Kumnova tha se do i gjykonte për të keq ata deputetë që do të votonin për heqjen e kushtëzimeve ndaj Serbisë.

Unë si nënë i kisha dënuar fuqishëm të gjitha duart e atyre që sot do t’i ngritin lart që ta shfuqizojnë këtë çështje. Le të kthehen vetëm për një moment e të mendojnë sikur fëmijët e tyre të mos jenë qe 13 vjet në sofrën e tyre”, ka thënë Kumnova.

Me ta kuptuar lajmin se Kuvendi mbajti në fuqi mocionin dhe kushtëzimin e vazhdimit të dialogut deri në zbardhjen e fatit të mbi 1700 personave të pagjetur, familjarët u shpërndanë të qetë dhe me optimizëm se institucionet ndoshta do të bëjnë diçka më konkrete në drejtim të shërimit të një prej plagëve më të dhimbshme të luftës e cila ka mbetur e hapur dhe e pa shëruar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG