Ndërlidhjet

Privatizimi: Kthimi i pronave nga jashtë


Pamje nga gjiganti metalurgjik "Trepça", i cili ka 31 prona jashtë Kosovës.
Pamje nga gjiganti metalurgjik "Trepça", i cili ka 31 prona jashtë Kosovës.
Autoritetet kosovare ka kohë që kanë njoftuar se do të kërkojnë kthimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë.

Për këtë çështje, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, thonë se kanë vizituar dhe kanë zhvilluar bisedime me përfaqësues të disa shteteve të rajonit për t’i zgjidhur problemet me asetet e Kosovës që gjenden atje.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, thotë se disa shtete kanë mirëkuptim për zgjidhjen e këtij problemi, por ka shtete që paraqesin vështirësi për të pasur qasje në ndërmarrjet kosovare që janë të vendosura në vendet e tyre.

“Probleme më të theksuara ka me Republikën e Serbisë, për arsye që dihen, dhe me Republikën e Malit të Zi. Ndërsa, një mirëkuptim dhe bashkëpunim më të afërt, Republika e Kosovës ka me Republikën e Sllovenisë, lidhur me zgjidhjen e këtyre problemeve me asetet e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që gjenden atje”, tha Kaloshi.

Ndryshe, sipas dokumenteve zyrtare, në territorin e ish-Jugosllavisë gjenden 172 prona të subjekteve ekonomike të Kosovës.

Vetëm në territorin e Serbisë gjenden 104 prona të ndërmarrjeve shoqërore, në Mal të Zi 42, 15 në Bosnje e Hercegovinë, 6 në Kroaci, 4 në Maqedoni, ndërsa në Slloveni gjendet një objekt afarist.

Kaloshi tregon se për këtë çështje, gjatë kësaj jave, drejtues të AKP-së, kanë pritur një delegacion nga Agjencia e Privatizimit të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Ai thotë se zyrtarë të dy agjencive janë pajtuar që të vënë kontaktet zyrtare për identifikimin e ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe asetet e tyre që gjenden në Kosovë.

“AKP-ja së fundi ka pritur një delegacion nga Agjencia e Privatizimit të Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe janë vënë kontaktet e para zyrtare me qëllim të definimit të mënyrës së trajtimit të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që gjenden në Bosnjë dhe Hercegovinë”, thotë Kaloshi.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike, theksojnë se pronar i vetëm i subjekteve ekonomike të Kosovës, e që gjenden jashtë territorit të vendit, është Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Mejdi Bektshi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, madje thotë se një numër i pronave kosovare që gjenden jashtë vendit, janë uzurpuar apo privatizuar nga institucionet e shteteve përkatëse.

Po ashtu, thotë ai, shtetet e rajonit kanë privatizuar asetet e ndërmarrjeve të tyre që gjenden në Kosovë.

“Kjo çështje mund të zgjidhet ose me angazhimin shtesë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ose të kërkohet nga ndërkombëtarët që në procesin e suksesionit, që besoj se duhet të bëhet së shpejti, të përfshihen dhe këto asete të Republikës së Kosovës, që gjenden në republikat tjera”, shprehet Bektashi.

Milazim Abazi thotë se shtetet e rajonit nuk duhet të paraqesin problem për këtë çështje, por nëse ndodh e kundërta, atëherë, sipas tij, problemi duhet të zgjidhet përmes arbitrazhit ndërkombëtar.

“Sikur ndërmarrjet shoqërore të ish-republikës së Jugosllavisë, që kanë pasur asetet e tyre në Kosovë, duhet t’u njihet e drejta e tyre, që ata t’i kenë në pronësi të veten ndërmarrjet e tyre në vendin tonë, po ashtu edhe Kosova i ka të drejtat e veta. Kosova ka të drejtë që të bëjë privatizimin apo shitjen e çdo aseti të Kosovës, jashtë Republikës së Kosovës. Por, nëse rastësisht dalin probleme, atëherë arbitrazhi ndërkombëtar duhet t’i zgjidhë këto çështje”, vlerëson Abazi.

Ndryshe, në bazë të dokumenteve zyrtare, vetëm ndërmarrja shoqërore “Jatex” nga Peja, ka 31 objekte afariste në republikat e ish-Jugosllavisë. Pas kësaj vjen “Trepça” me 31 prona, pastaj “Eximkos”, ndërmarrja “Marketing-Export”, e të tjera.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG