Ndërlidhjet

Pse po dëbohen investitorët e huaj?


Ilustrim
Ilustrim
Procese të gjata administrative dhe burokratike, politika të pafavorshme fiskale janë vetëm disa nga arsyet thelbësore që po pengojnë investimet direkte në Kosovë, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike.

Sipas tyre, shtetet tjera që janë në garë me Kosovën për tërheqjen e investimeve ndërkombëtare, janë duke krijuar politika shumë më të favorshme ekonomike për tërheqjen e këtyre investimeve.

Autoritetet e Kosovës, sipas ekspertëve, janë duke bërë fushatë deklarative për tërheqjen e investimeve të huaja dhe asgjë konkrete në përmirësimin e ambientit afarist.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë për Radion Evropa e Lirë se për të tërhequr investimet e huaja direkte, të cilat, siç thekson Limani, janë shumë të domosdoshme për zhvillimin ekonomik, Qeveria e Kosovës duhet të krijojë politika të favorshme fiskale.

“Këtu, në Kosovë, janë të gjitha kushtet dhe resurset për të investuar. Ka mundësi të zhvillimit për shumë lëmi. Ekziston faktori njeri, madje i kualifikuar. Por, mungojnë politikat joshëse fiskale, sistemi bankar edhe elemente tjera që do ndikojnë në mosardhjen e investitorëve”, thotë Limani.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, që nga viti 2000 deri në tremujorin e parë të vitit 2012, investimet e huaja direkte në Kosovë kapin shifrën rreth 2.4 miliardë euro.

Në tremujorin e parë të vitit 2012 investimet e huaja direkte kanë qenë 60.4 milionë euro.

Investimet e huaja, sipas profesor Limanit, do të shënojnë rënie derisa nuk bëhen reforma të theksuara. Një element që, sipas tij, do ta bënte Kosovën më atraktive për investitorët e huaj, është lirimi nga disa tatime.

Ne deri më tani nuk e kemi bërë një gjë të tillë, derisa shtetet fqinje e kanë bërë. Pra, te ne duhet të bëhen reforma rrënjësore në politikën fiskale, në politikën kreditore dhe në tregtinë e jashtme që do të ndikonin pozitivisht te bizneset vendore si dhe te investitorët e huaj”, vlerëson Limani.

Ndërkaq, eksperti i ekonomisë, Lekë Musa, thotë se për të pasur investime të huaja Kosova duhet të krijojë mundësi të barabarta me atë që kanë bërë shtetet fqinje për investitorët e huaj.

“Problemi themelor qëndron në shumë procese administrative dhe te çështjet tjera burokratike që nuk janë ende të harmonizuara me praktikat më të mirë në tërheqjen e këtyre investimeve. Shumë politika në sfera të ndryshme ende mungojnë sidomos ato politika, të cilat do t’i bënin sektorët e ndryshëm konkurrues me industritë tjera në vendet përreth”, thekson Musa.

Lekë Musa thekson se shtetet e rajonit kanë arritur të ofrojnë stimulime të ndryshme për investitorët e huaj. Sipas tij, vendet e rajonit, përveç tjerash, kanë krijuar subvencione për investimet e huaja nëpërmjet uljes së normës së tatimit. Po ashtu, Musa përmend edhe disa praktika tjera që kanë bërë vendet e rajonit karshi investitorëve të huaj.

“Për koncesionin e tokës, ose jepen pa pagesë, ose jepen në kushte të favorshme për investimet afatgjata, ndërsa në Kosovë përveç fjalëve të bukura, asgjë konkrete nuk është duke iu ofruar investitorëve”, shprehet Musa.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG