Ndërlidhjet

Trashëgimia e femrës: Zbatohet ligji i pashkruar, jo ai i shkruar


Ilustrim
Ilustrim
Femrat në Kosovë, në shumicën e rasteve, nuk e gëzojnë të drejtën e trashëgimisë familjare, pasi pasuria e familjes ndahet në mënyrë të barabartë vetëm mes meshkujve të familjes.

Për rubrikën e përjavshme, VOX, të anketuarit e Radios Evropa e Lirë konsiderojnë se pasuria e prindërve në rast të ndarjes për fëmijët e tyre, duhet t’u takojë njësoj, si femrave, ashtu edhe meshkujve.



Edita Veseli, një qytetare e nga Prishtina, e cila studion për Sociologji, thotë se në familjen e saj nuk ka pasur pasuri të madhe që të ndahet si për djemtë, ashtu edhe për femrat.

“Për mua nuk ka ndodhur se nuk kemi pasur pasuri shumë të madhe për ta ndarë për katër nga ne, për motrat dhe për vëllezërit, po besoj se sikur të kishte pasur pasuri, do ta kishin ndarë njësoj pë rtë gjithë fëmijët. Unë jam rritur në aso fryme që pasuria duhet të ndahet dhe pse te ne shumë rrallë ndodh”, thotë Edita.

Kurse, Violeta Thaçi, arkitekte me profesion, thotë se ndarja e pasurisë së babait për femrat në Kosovës, është shumë e rrallë. Ajo shpreson se në të ardhmen kjo çështje duhet të rregullohet.

“Mentaliteti është i tillë që t’i (femra)shkon në një familje tjetër dhe i përket asaj familjeje, të burrit po mendoj, dhe nëse vajza kërkon pasuri te babai, do të ishin prishur raportet shumë. Shumë më mirë të mbetet kështu siç jemi, vetëm te burri. Po është edhe ana tjetër, në rast se divorcohesh me burrin, ku mbetesh ti?! Cilës familje i takon ti? Do të thotë, tash nuk je as te burri, as te baba - nuk ke të trashëguar diçka”, shprehet Violeta.

Ndërsa, Sadije Krasniqi-Çocaj, thotë:

“Konsideroj se pasuria duhet të jetë e ndarë barabartë, po mendoj si për vajzën ashtu edhe për djalin. Për mua ende nuk është ndarë pasuria, ende është e përbashkët. Babi im është ende në jetë, në momentin kur do të ndahet pasuria, nuk besoj që do të ndahet në mënyrë të barabartë, mirëpo nëse unë dëshiroj, mund të ndahet në mënyrë të barabartë”.

Mimoza Gjevori, shprehet se në shumë familje kosovare vajzave nuk u takon asgjë nga pasuria e babait, nëse ato martohen dhe, sipas saj, mosndarja e pasurisë është një diskriminim i madh:

“Mendoj se vajzat janë të diskriminuara nga familjadhe atë pikërisht nga prindërit”.

Trashëgimia familjare në Kosovë është e rregulluar me Ligjin për familje, sipas të cilit e drejta e trashëgimisë u takon të gjithë anëtarëve të familjes, njësoj, pa marrë parasysh gjininë.

Organizatat joqeveritare që mbrojnë të drejtat e grave në Kosovës, kur bëhet fjalë për tema të tilla, thonë se, moszbatimi i ligjeve, ka bërë që ligjet e pashkruara apo zakonet, të mbesin në fuqi në rregullimin e marrëdhënieve familjare.

Nga ana tjetër, disa të rinj meshkuj thonë se në asnjë mënyrë, nuk duhet që femrat të mos e gëzojë pasurisë e prindërve.

Artan Smajli, student i Fakultetit Juridik në Prishtinë, thotë se secili prind i një familjeje, pasurinë që e ka, duhet ta ndajë njësoj, si për vajzën, ashtu edhe për djalin.

“Jemi një familje e re dhe nuk kemi ardhur ende deri te ndarja e pasurisë. Unë kam biseduar edhe me prindin, ne jemi tre vëllezër dhe kemi një motër dhe motra duhet të ketë hise njësoj si ne tre vëllezërit”, tregon Artani.

Ngjashëm mendon edhe Fehmi Miftari, i cili studion për Ekonomi:

“Si motra, si vëllai, njësoj janë. Nëse do ta kisha ndonjë pronë, ose diçka tjetër do ta kisha shitur dhe ato para do t’i kisha ndarë me motrën dhe me vëlla se i dua dhe i kam njësoj”.

Si gjinia mashkullore dhe ajo femërore kanë të drejtat e barabarta, dhe prindërit për fëmijët e tyre, duhet ta kenë edhe dashurinë dhe ta ndajnë po ashtu edhe pasurinë në mënyrë të barabartë për secilin, thotë zonja Drita Rudi.

“Kur lind djali në një familje, thonë se është shtyllë e familjes. Do të thotë duhet të vetëdijesohen që nga fëmijëria edhe fëmijët se në familjen tonë vërehet fakti se kjo është e vëllait dhe ata rriten në atë frymë. Mendoj se është një diskriminim dhe nuk është e drejtë”, thotë Drita.

Ajo çka mbetet shqetësuese, sipas raporteve të disa organizatave joqeveritare, është se në shumicën e familjeve shqiptare në Kosovë, veçanërisht në zonat rurale, femra, apo motra, nuk trashëgon pronë kur vdes babai, nëse nuk ka vëlla.

Në shumicën e rasteve, në mungesë të vëllait ose djalit, prona i jepet mashkullit më të afërt pwr nga gjaku të personit të ndjerë.
XS
SM
MD
LG