Ndërlidhjet

Gjeorgji: Saakashvili akuzon, Ivanishvili mbrohet


Ilustrim
Ilustrim
Zyrtarët thonë se dalja në zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji, në orët e para të votimit, ishte masive.

Në kryeqytetin Tbilisi, ku jetojnë afro një milion prej 3.6 milionë njerëzve me të drejtë vote, në disa qendra votimi ka pasur rreshta të gjatë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se dalja në votime, në katër orët e para ishte 25%.

Zgjedhjet presidenciale pritet se do ta përcaktojnë kursin politik të këtij vendi.

Zgjedhjet e sotme, poashtu, shihen si madhore pasi sistemi politik i vendit po ndryshon për t’i dhënë më tepër autoritet parlamentit dhe kryeministrit.

Për 150 ulëse në Parlamentin e Gjeorgjisë konkurrojnë 14 parti dhe dy blloqe politike.

Partia në pushtet e presidenti aktual, Mikheil Saakashvili, Lëvizja e Bashkuar Kombëtare, ka dominuar në këtë vend prej “Revolucionit të Trëndëfiltë” në vitin 2003.

Por, tash ajo ballafaqohet me koalicionin opozitar “Ëndrra Gjeorgjiane”, që udhëhiqet nga miliarderi Bidzina Ivanishvili.

Presidenti Saakashvili sot ka votuar në Tbilisi. Ai theksoi se “po vendoset fati i shtetit të Gjeorgjisë”.

“Shumë gjëra po vendosen në këto çaste në vendin tonë, për rajonin, për zhvillimin, për të ardhmen, jo vetëm të këtij kombi, por për atë se çka po ndodhë me ëndrrën evropiane në këtë pjesë të botës, çka ndodhë me idenë e demokracisë në këtë pjesë të botës, çka ndodhë me idenë e reformave në këtë pjesë të botës”, tha Mikheil Saakashvili.

Ai e ka akuzuar rivalin e tij kryesor, Bidzina Ivanishvilin, se po u shërben interesave të Rusisë.

Por, Ivanishvili, i cili pasurinë e tij e ka krijuar në Rusi, i ka hedhur poshtë akuzat se ai do ta kthej prapa Gjeorgjinë në dominimin e Rusisë.

“Ne jemi ekipi të cilit ju mund t’i besoni. Ne jemi ekipi që do ta marrë qeverisjen në duart tona dhe për ta shfrytëzuar për të mirën e popullit. Ne do të fitojmë në zgjedhje”, tha Ivanishvili.

Pasi votoi në kryeqytetin Tbilisi, ai u tha gazetarëve se “kjo është ditë historike në historinë aktuale të Gjeorgjisë” dhe ka shfaqur shpresën se për të parën herë “në historinë e Gjeorgjisë, qeveria do të ndryshoj nëpërmjet zgjedhjeve”.

Partia në pushtet e presidenti aktual, Mikheil Saakashvili, Lëvizja e Bashkuar Kombëtare, ka dominuar në këtë vend prej “Revolucionit të Trëndëfiltë” në vitin 2003.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se këto zgjedhje në Gjeorgji, do ta përcaktojnë intensitetin e raporteve me BE-në.

“Ne e kemi bërë shumë të qartë se pritjet nga këto zgjedhje janë ekstremisht të larta dhe se ato do ta përcaktojnë formën dhe intensitetin e raporteve tona me Gjeorgjinë”, tha sot në Bruksel, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton.

Opozita e akuzon Saakashvilin për sundim autoritar dhe se e ka çuar Gjeorgjinë në luftën shkatërruese me Rusinë, në vitin 2008.

Para zgjedhjeve ka pasur protesta masive kundër brutalitetit policor dhe torturës në burgjet e Gjeorgjisë.

Vëzhguesit e OSBE-së e kanë përshkruar fushatën zgjedhore si “të ashpër dhe konfrontuese”.

Në Gjeorgji gjenden afër 400 vëzhgues ndërkombëtarë të zgjedhjeve. (f.b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG