Ndërlidhjet

Pastrimi i listës rrit numrin e shqiptarëve në Parlamentin e Maqedonisë


Parlamenti i Maqedonisë
Parlamenti i Maqedonisë
Pastrimi i mirëfilltë i listës zgjedhore do të mundësonte rritjen e numrit të deputetëve shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat, sipas të gjitha gjasave do të jetë të parakohshme bazuar në krizës e shfaqur mes partnerëve të koalicionit qeveritar lidhur me propozim-ligjin për zhdëmtimin e pjesëtarëve të forcave maqedonase të sigurimit që kanë pësuar në konfliktin e vitit 2001.

Ndryshimet në kodin zgjedhor tashmë ndodhen në procedurë parlamentare, por ato sipas partive politike të opozitës nuk kanë përfshirë të gjitha rekomandimet kryesore të OSBE-ODIHR-së, në veçanti ato që kanë të bëjnë me pastrimin e listës zgjedhore edhe pse nga qeveria thonë se grupi punues i hartuar për këtë çështje po punon për përmbushjen e të gjitha detyrimeve.

Nga drejtoria e regjistrimit amë thonë se nga kontrollet që kanë kryer në të dhënat e mbi 65 mijë personave në listën zgjedhore është konstatuar se në listë se ndodhen edhe mbi 1 mijë persona të vdekur, 1 mijë të tjerë me të dhëna jo të sakta, dhjetëra të tjerë që kanë hequr dorë nga shtetësia e kështu me radhë.

Puna për pastrimin e listës do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim, por nuk jepen të dhëna mbi numrin e votuesve që nuk duhet të figurojnë në listë.

Nga ana tjetër, Izet Zeqiri, deputet i Rilindjes Demokratike Kombëtare të opozitës thotë se të dhënat që ai posedon flasin për rreth 230 mijë votues fiktiv shifër kjo e cila sipas tij reflektohet edhe në numrin e deputetëve shqiptarë.

Mendoj se po të analizohet ky numër fiktiv prej mbi 230 mijë votuesve në komunat specifike kjo do të mundësonte që të rritet pesha e votës shqiptare ose të rritet numri i deputetëve shqiptar në korelacion me numrin e popullatës që do të thotë se nga numri i përgjithshëm i deputetëve ne do të kishim mbi 30 deputetë shqiptar në Kuvendin e Maqedonisë”, thotë deputeti Zeqiri, duke shtuar se votuesit e këtillë ndodhet kryesisht në komunat e banuara me popullatë maqedonase andaj edhe kjo reflektohet në numrin e deputetëve shqiptarë që aktualisht janë 24 në Kuvendin e Maqedonisë.

Po të analizohen listat zgjedhore, në shumë komuna kemi më shumë votues sesa numër të banorëve, kështu është në komunat ku pjesa dërmuese e popullatës është maqedonase si në komunën e Vraneshticës dhe shumë vendbanime tjera ku numri i votuesve është më i madh se ai i popullatës. Po të analizohet kjo në bazë të regjistrimit dhe natalitetit të planifikuar për çdo vit, ne kemi afër 230 mijë votues fiktiv”, thotë deputeti Zeqiri.

Por, ndryshe nga ai, Ruhi Bakiu, ekspert për çështje juridike, thotë se në rritjen e numrit të deputetëve shqiptarë nuk ndikon vetëm pastrimi i listës zgjedhore por edhe dalja e votuesve shqiptarë në zgjedhje.

Bakiu thotë se për dallim nga e kaluara, dalja e shqiptareve në votime në zgjedhjet e fundit ka qenë më e ulët se asnjëherë më parë dhe kjo automatikisht është reflektuar edhe në uljen e numrit të deputetëve nga 29 në 24.

Unë nuk pajtohem plotësisht me atë se do të rritej numri i deputetëve shqiptarë nëse do të arrihej te pastrimi i plotë i listës zgjedhore, pasi kjo nuk varet vetëm nga kjo çështje, por varet edhe dalja në zgjedhje. Përqindja e daljes në zgjedhje shkon çdo vit duke u zvogëluar si rezultat i pakënaqësisë së përgjithshme që e kanë votuesit ndaj partive politike. Pra, sa kjo do të ndikonte realisht në rritjen e numrit të deputetëve shqiptar mendoj se duhet të bëhet një analizë më e thellë për të dalë me shifra konkrete”, deklaroi Bakiu.

Ndryshimet në kodin zgjedhor pas leximit të parë në Kuvend dhe vërejtjeve që do të paraqiten nga partitë sërish do të shqyrtohen nga ana e qeverisë e cila edhe vet ka pranuar se në të nuk janë përfshirë të gjitha rekomandimeve e OSBE-ODIHR-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG