Ndërlidhjet

Maqedoni: "Pak shanse" për reformimin e listave


Ilustrim
Ilustrim
Për të realizuar zgjedhje fer dhe demokratike, Maqedonia duhet të realizojë me përpikëri rekomandimet e OSBE-së dhe ODHIR-it, përfshirë këtu dhe përgatitjen e listës zgjedhore. Lista zgjedhore nga partitë politike në opozitë është apostrofuar si gjenerator i manipulimeve përmes 200 mijë votuesve fiktivë.

Për këtë qëllim, Qeveria e Maqedonisë ka formuar një grup punues që të verifikojë listën zgjedhore, në të cilën akoma vazhdojnë të gjenden mbi 140 mijë votues me dokumente të vjetra identifikimi, të pavlefshme nga shkurti i këtij viti.

Derisa opozita maqedonase ka kërkuar që këta persona të fshihen nga lista zgjedhore, ngase përmes tyre krijohet mundësia për manipulim, kryetari i Grupit punues për pastrimin e listës zgjedhore, Bedredin Ibrahimi, konsideron nuk mund t`u merret e drejta e votimit personave, të cilët për shkaqe të caktuara, për momentin, nuk janë pajisur me karta biometrike të identitetit, por të njëjtat mund t’i sigurojnë deri në ditën e zgjedhjeve.

“Bëhet fjalë për persona, të cilët nuk kanë dokumente përkatëse të identifikimit, pra kanë letërnjoftime të vjetra dhe jo biometrike siç parashihet me ligj. Pra, nuk bëhet fjalë për votues fiktivë. Këta persona janë në listën e zgjedhësve, por varësisht nëse do të pajisen me karta biometrike ose jo, do të kenë të drejtë për të votuar”, shpjegon Ibrahimi.

Por, ekspertët vlerësojnë se është pikërisht mungesa e vullnetit politik për realizimin e rekomandimeve të OSBE-së dhe ODIHIR-it në Kodin zgjedhor, siç është azhurnimi i listës zgjedhore, keqpërdorimi i funksioneve shtetërore dhe presionet e ndryshme që u bëhen votuesve.

”Nëse edhe kësaj radhe mbeten vetëm në ndryshime kozmetike të Kodit zgjedhor, pa u reformuar segmentet kyçe, nuk mund të presim përmirësime të vërteta në procesin zgjedhor”, vlerëson Trifun Kostovski, kryetar i Këshillit për Bashkëpunim Global në një tryezë të rrumbullakët të organizuar për këtë çështje.

Sipas Kostovskit, mungesa e vullnetit politik është pengesa kyçe për mospërmbushjen e obligimeve.

Edhe Albert Musliu është i mendimit se partitë politike, qofshin në opozitë ose pushtet, nuk janë të interesuara për pastrimin e mirëfilltë të listës zgjedhore, sepse pikërisht votuesit fiktivë shihen si mundësi për të siguruar fitore në zgjedhje.

“Fatkeqësisht, të gjitha partitë politike listat zgjedhore i shohin si një mundësi e ‘votave të lehta’, si mundësi e manipulimeve të ndryshme për marrjen e votave që përcaktojnë fituesin në zgjedhje. Nëse shtrohet pyetja a ka mundësi që në Maqedoni me përpikëri të azhurnohet lista? Gjithsesi se po. Pikërisht për faktin se kartat e identitetit tani janë obliguese me ligj, janë të digjitalizuara, andaj askush s’mund të na bindë se pastrimi i listave zgjedhore është i vështirë dhe se duhet kohë”, shprehet Musliu.

Ndërkohë, Bedredin Ibrahimi, duke u fokusuar vetëm në azhurnimin e listës zgjedhore sa i përket ndryshimeve të Kodit zgjedhor, si pjesë që kërkohet nga komuniteti ndërkombëtar, vlerëson se me një dinamikë të përshpejtuar deri në mars kur dhe mbahen zgjedhjet e ardhshme vendore, do të dihet saktësisht numri i qytetarëve me të drejtë vote.

“Nëse me këtë ritëm zhvillohet aktiviteti i grupit punues që e drejtoj unë dhe nëse na e vazhdon mandatin Qeveria, sepse ne varemi nga ajo që ka formuar këtë trup për të azhurnuar listën zgjedhore, ma merr mendja se do të arrijmë rezultate konkrete. Në një masë besoj se do të eliminojmë dyshimin te qytetarët, te partitë politike, lidhur me ekzistimin e votuesve fiktivë, që përflitet vitet e fundit se ata janë rreth 200 mijë ose 150 mijë”, thekson Ibrahimi.

Ndryshe, në listën aktuale zgjedhore me të drejtë vote figurojnë rreth 1 milion e 800 mijë qytetarë, ndërkohë që Maqedonia ka 2 milionë banorë - gjë që ka ngjalluar dyshime në qarqe të caktuara politike njëherësh dhe te faktori ndërkombëtar për ekzistimin e votuesve fiktivë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG