Ndërlidhjet

Oferta të përziera zgjedhore


Mbështetës të partisë VMRO në Ohër...
Mbështetës të partisë VMRO në Ohër...
Prezantimi i ofertave partiake për zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit, komentohet në forma të ndryshme nga analistët politikë në Maqedoni.


Partitë politike nuk kanë programe dhe oferta konkrete për ta joshur elektoratin që t'i votojë kandidatët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit. Kjo, sipas analistit Aljadin Demiri, në veçanti vlen për partitë politike shqiptare, të cilat, edhe kësaj radhe, dalin në zgjedhje me oferta boshe.

Përjashtim bën PDSH-ja, e cila, sipas Demirit, ka paraqitur një marrëveshje të re politike me palën maqedonase, por edhe ajo nuk është e definuar qartë.

PDSH-ja ka një lloj platforme, një marrëveshje historike, ose një marrëveshje të re në nivele politike, ekonomike dhe në nivel të funksionimit të shtetit, por edhe kjo platformë nuk është plotësisht e punuar, nuk ka oferta më të saktësuara, më reale”.

“Ndërkohë, partitë tjera kanë oferta të parullave apo të porosive të përgjithshme, të cilat, në esencë nuk e shpjegojnë as qëllimin pse ato parti politike dalin në skenë, as motivin pse ato parti politike i kërkojnë votat, e as rezultatin se çfarë do të bëjnë me fitoren eventuale”, vlerëson Demiri.

Kjo situatë, sipas Demirit, do ta bëjë fushatën elektorale më të tensionuar për dallim nga fillimi i saj i qetë.

“Në këtë drejtim, të dyja partitë pretendente, edhe BDI-ja, edhe PDSH-ja, në mungesë të ofertave politike, do të iritojnë skenën politike me akuza të ndërsjella të tipit ‘UDB-ash”, të tipit të “dosjeve”, të luftës mes tyre, e kështu me radhë ”, thekson Demiri.

Por, situata duket më ndryshe kur është fjala për partitë politike maqedonase. Vlladimir Bozhinovski, nga Instituti për Hulumtime Politike, thotë se për dallim nga e kaluara, për herë të parë ndodh që një parti politike, para se të nisë fushata zgjedhore, të prezantojë në detaje programin e saj në broshura apo forma tjera në mjetet e informimit.

“Është e pritshme që pushteti të vazhdojë rrugën e nisur në vitin 2006 me qëllim që të tregojë vazhdimësinë. Pra, programi nga zgjedhjet e kaluara është plotësuar me projekte tjera, ndërsa po jep llogari edhe për punën e bërë që qytetarët të mund të shohin se çfarë është premtuar në periudhën mes dy proceseve zgjedhore dhe çfarë është realizuar”.

“Pra, risi e këtij procesi zgjedhor është se VMRO-DPMNE publikisht në detaje ka prezantuar programin që synon ta realizojë, nëse merr mandatin nga qytetarët në zgjedhje”, thotë Bozhinovski.

Ndërsa, sa i përket opozitës, Bozhinovski thotë se edhe ajo ka paraqitur programin, por vëren se në fushatën zgjedhore theksin kryesor e ka vendosur në sulme dhe kritika ndaj pushtetit.

“Opozita, normalisht se është paraqitur me projekte të reja, edhe pse nuk më pëlqen fakti se theksin e ka vënë në kritikat ndaj pushtetit. Fushata negative mund t’i largojë votuesit, në veçanti ata të papërcaktuarit. Pra, ata që janë të dëshmuar nga pushteti, nuk do të dilnin në votime, nëse opozita vazhdon fushatë negative pa ofruar programe për zgjidhjen e pakënaqësive të tyre”, shprehet Bozhinovski.

Fushata elektorale në Maqedoni do të zgjasë 20 ditë, ndërsa për ulëse në Parlamentin prej 123 vendesh, po garojnë 30 parti politike dhe dy lista me kandidatë të pavarur.

Gara kryesore për zgjedhjet e 5 qershorit po zhvillohet ndërmjet katër partive kryesore politike maqedonase dhe shqiptare; ndërmjet partive në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BDI, si dhe dy partive në opozitë, LSDM dhe PDSH.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG