Ndërlidhjet

Reforma zgjedhore - peng i mosmarrëveshjeve


Tre liderët e tri partive nënshkruese të marrëveshjes, që nxori presidente Atifete Jahjagën.
Tre liderët e tri partive nënshkruese të marrëveshjes, që nxori presidente Atifete Jahjagën.
Reforma zgjedhore dhe ajo kushtetuese në pjesët që kanë të bëjnë me marrëveshjen politike, vazhdojnë të mbeten peng i mosmarrëveshjeve në mes PDK-së dhe LDK-së.

Kryetari i Komisionit për ndryshimet kushtetuese, Arsim Bajrami, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet se kur do të procedohen në Kuvend ndryshimet e bëra.

Është një çështje që duhet të përgatitet mirë, sepse për kalimin e këtyre amendamenteve, kërkohet mbështetja e 2/3 të shumicës dhe 2/3 e pakicës. Mendoj se ato nuk do të vendosen në një votim formal para se të ndërtohet ky konsensus. Momentalisht, kemi një ngecje të këtij procesi, për shkak të pikëpamjeve të ndryshme politike sa i takon mandatit të presidentes. Por, unë po shpresoj që reforma kushtetuese dhe zgjedhore, do të implementohet deri në fund të vitit”, tha Bajrami.

Për shtyrjen përpara të këtyre proceseve, thuhet se është i nevojshëm një konsensus i grupeve parlamentare të partive politike.



Bajrami thotë se për arritjen e këtij konsensusi nevojitet angazhimi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

“Kryetari i Kuvendit duhet ta ketë një rol kyç në këtë proces, sepse ai duhet të thirret në tryezën e grupeve parlamentare dhe të ndërtojë konsensusin që këto ta kenë shumicën e kërkuar me Kushtetutë”, u shpreh Bajrami.

Kurse, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kishte deklaruar para pak ditësh se ndryshimet kushtetuese dhe ato zgjedhore, do të procedohen, atëherë kur të jenë të gatshme.

“Kur partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, janë të gatshme për ta proceduar, ne jemi të gatshëm”, deklaroi Krasniqi.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon t’i bëjë thirrje presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, të japë dorëheqje nga posti i saj, në mënyrë që t’u hapë rrugën reformave kushtetuese e zgjedhore në vend.

LDK-ja refuzon që të votojë reformën zgjedhore nëse nuk respektohet në tërësi marrëveshja politike e arritur kohë më parë ndërmjet PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, e ndërmjetësuar nga ambasadori i atëhershëm amerikan në Kosovës, Kristofer Dell.

Nëse nuk zbatohet marrëveshja, LDK-ja, si kundërpërgjigje, nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese dhe as reformën zgjedhore, tha shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

“Asnjë ndryshim i Kushtetutës, asnjë amendament dhe asnjë reformë zgjedhore ne nuk do ta përkrahim nëse nuk respektohet marrëveshja dhe rezoluta e Kuvendit të Kosovës që i parasheh të gjitha”, tha Beqiri.

Marrëveshja Thaçi - Mustafa - Pacolli, e cila më pas u përkrah edhe nga Kuvendi, me anë të një rezolute të miratuar në prill të vitit 2011, mes tjerash parashihte ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore, si dhe zgjedhjet presidenciale në fund të vitit 2012 dhe zgjedhje parlamentare në fund të vitit 2013.

Megjithatë, gjatë korrikut të sivjetmë, Gjykata Kushtetuese e konsideroi anti-kushtetuese marrëveshjen e liderëve politikë në pikën ku përcaktohej shkurtimi i mandatit të presidentes, duke i njohur kështu Jahjagës mandatin e plotë pesëvjeçar.

Qëndrimi aktual i LDK-së, mund të ndikojë që edhe reformat zgjedhore e kushtetuese të mos kalojnë deri në arritjen e ndonjë marrëveshjeje të re politike, por e cila, mbase do të respektonte fillimisht Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Reformat zgjedhore janë një nga pesë kriteret që Komisioni Evropian ka paraparë që Kosova duhet t’i plotësojë në kuadër të studimit të fizibilitetit.
XS
SM
MD
LG