Ndërlidhjet

Pamje tjetër e Ukrainës


Qyteti Kiev gjatë Kampionatit të Futbollit "Euro 2012"
Qyteti Kiev gjatë Kampionatit të Futbollit "Euro 2012"

Kampionati evropian i futbollit Euro 2012, që u zhvillua në Ukrainë dhe Poloni, përfundon të dielën me ndeshjen finale ndërmjet Spanjës dhe Italisë.

Në fillim ekzistonte njëfarë shqetësimi për Ukrainën, meqë mediat perëndimore e kishin paraqitur si qendër të dhunës raciste, të represionit dhe infrastrukturës së shkatërruar.

Por, derisa kryeqyteti Kiev, përgatitet për ndeshjen finale Spanjë - Itali, Ukraina duket se ka dalë krejtësisht me një pamje tjetër, me ndjenja të kënaqshme të turistëve dhe pa raporte për dhunë.



Kur Marcin Pietërçuk, po kthehej me veturën e tij në Poloni, pas udhëtimit në Kiev, me ç’rast e kishte shikuar takimin Anglia - Suedia 3:2, ai thotë se sikur ndjente keqardhje derisa i afrohej kufirit të vendit të tij.

Vetura e tij ende ishte e dekoruar me flamurin e Polonisë, ashtu siç ishte gjatë gjithë udhëtimit në Ukrainë. Ai planifikonte ta vendoste edhe flamurin ukrainas, si kujtim për vizitën e tij të parë në vendin fqinj, që njëherësh ishte bashkorganizues i kampionatit të futbollit.

Në një pompë të benzinës atij iu afrua një ukrainas, i cili duket se kishte ide të njëjtë. Të dy simpatizuesit e futbollit i shkëmbyen flamujt dhe u fotografuan.

Pietërçuk, tregtar 28-vjeçar nga Krakovi i Polonisë, tha se ishte një përfundim perfekt i udhëtimit të tij në Ukrainë, ku ishte mysafir i një familjeje me dhomë të vet dhe një tavolinë, ndërsa qyteti i Kievit ishte përplot me banorë, që në çdo moment uronin mirëseardhje.

“Ne ndjenim në rrugë se njerëzit me të vërtetë na donin. Ata i përdornin sirenat e veturave të tyre dhe na buzëqeshnin. Me të vërtetë njerëz të mirë. Ndoshta kjo ka ndodhur pasi ne e kishim flamurin e Polonisë në veturë. Këtë kurrë nuk e kam parë në vendet e tjera, por në Ukrainë ishte me të vërtetë diçka e veçantë”, tha Pietërçuk.

Kjo tregon se çfarë ndryshimi i madh ka ndodhur në këto tri javë të kampionatit të futbollit.

Kur gara filloi më 8 qershor, Ukraina në mediat perëndimore pasqyrohej si vend racist pas-sovjetik dhe si një moçal i pa civilizuar, që udhëhiqet nga një regjim represiv, që nuk ia vlen të vizitohet.

Veçanërisht, shtypi britanik kërkonte nga simpatizuesit e vet që t’i shmangen Ukrainës, ndërsa një ish-futbollist i Anglisë kishte tërhequr vërejtjen se turistët “mund të përfundojnë arkivol”.

Por, derisa afrohet finalja Spanjë - Itali në Kiev, nuk është raportuar për incidente raciste ose dhunë të masës.

Kuptohet që turneu i kishte të metat e veta, me dhoma tejet të shtrenjta dhe me transport të dobët, që i kishte zhgënjyer shumë turistë potencialë, që planifikonin udhëtime në duelet në Kiev, Lvov, Donjeck e Harkov të Ukrainës.

Gazetari Shaun Voker, që raportoi për të përditshmen londineze Independent, kishte udhëtuar në tri prej katër qyteteve mikpritëse gjatë tri javëve të kampionatit.

Ai tha se Ukraina ka shënuar të arritura madhore në aspektin e atmosferës, por ende ka shumë punë në aspektin e organizimit themelor dhe infrastrukturës.

“Nga një anë, unë do të thosha se në aspektin e stadiumeve dhe përvojës së përgjithshme të Ukrainës, si destinacion për turne të futbollit, mendoj se ata kanë bërë punë fantastike. Po ashtu, mendoj se shumë njerëz kanë kaluar shumë mirë”.

“Por, mendoj se është pak për keqardhje që nuk është bërë më tepër në aspektin e informimit dhe përgatitjeve logjistike. Mendoj se nëse kjo do të kishte ndodhur, atëherë do të kishim parë tri ose katër herë më tepër njerëz që do të kishin ardhur
”, tha reporteri Shaun Voker. (f. b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG