Ndërlidhjet

Google: Si të ruhen gjuhët në zhdukje?


Projekti "Gjuhët e rrezikuara" në Google
Projekti "Gjuhët e rrezikuara" në Google
Shtype shprehjen “gjuhët e rrezikuara” në Google dhe kliko mbi disa linka. Shpejt do të përballesh me faktet e ftohta dhe të rënda: sot në botë fliten mes 6 dhe 7 mijë gjuhë, por, pothuaj gjysma e tyre do të zhduken në vitin 2100, si pasojë e globalizimit dhe dominimit të gjuhës angleze, kineze dhe spanjolle.

Ju do të gjeni, gjithashtu, artikujt e gjuhëtarëve që janë duke luftuar me këtë dukuri. Ata përballen me një betejë të vështirë për të dokumentuar dhe ruajtur këto gjuhë që po vdesin dhe kulturën unike që përfaqësojnë, para se mbi to të vendoset heshtja.

Ky kërkim në Google, megjithatë, ka të ngjarë, që ju çon në Projektin e Gjuhëve të Rrezikuara, një iniciativë që filloi më 21 qershor nga vetë gjiganti i internetit me seli në SHBA. Kjo është një përpjekje që gjuhëtarët thonë se hedh dritë mbi një temë që merr pak vëmendje nga bota e gjerë.

“Është një moment historik. Ne jemi të vetëdijshëm se gjuhët janë duke u shuar në një shkallë alarmante dhe të paparë, por në të njëjtën kohë, teknologjia është në dispozicion të atyre që ndihmojnë luftën për të dokumentuar dhe për të forcuar gjuhët e rrezikuara në botë”, thotë menaxheri i projektit në Google, Xhejson Risman.

Qëllimi i projektit, sipas tij, është që të krijohet një zyrë qendrore në internet për materiale për mbi 3,054 gjuhët e profilizuara në Google.

Financuar nga krahu filantropik i Google-it, projekti ka nisur me ndihmën e ekspertëve nga Universiteti i Hauajit të Shteteve të Bashkuara, nga Universiteti i Miçigenit Lindor dhe dhjetëra organizatave tjera kulturore dhe të gjuhëve indigjene.
Ata i kanë klasifikuar gjuhët ose si “e panjohur”, “në rrezik”, “e rrezikuar”, ose “e rrezikuar rëndë.”

Koleksioni i larmishëm, që është mbledhur duke përdorur teknologjinë e atlaseve të Google-it, përmban gjuhët e çdo kontinenti.

Ato nisen nga shor, një gjuhë e afërme me atë tatare, që flitet nga më pak se 10 mijë njerëz në Rusi, deri te putijara, një gjuhë vendëse australiane që klasifikohet si “e rrezikuar rëndë” pasi që flitet nga vetëm katër njerëz.

Gjuhëtarët - por edhe njerëzit e zakonshëm që e flasin gjuhën, janë të inkurajuar të ngarkojnë tekstin, zërin dhe videot duke përdorur Youtube-in, dhe të krijojnë një portret të pasur multimedial për secilën gjuhë.

Google shpreson se me kalimin e kohës, projekti jo vetëm që do përkujtojë dhe promovojë ndërgjegjësimin për gjuhët, por do të ndihmojë në lidhjen e grupeve të diasporës me njëri-tjetrin.

Gjuhëtarët vlerësojnë se ky projekt do të jetë çelësi për të parë se sa larg mund të shkohet për të arritur qëllimet.

Disa baza të të dhënave digjitale të mostrave të rralla gjuhësore tashmë ekzistojnë dhe komuniteti i ekspertëve që punon në gjuhët e rrezikuara është relativisht i lidhur ngushtë me to.

Nikolas Ostler është kryesues i Fondacionit për Gjuhët e Rrezikuara në Mbretërinë e Bashkuar. Ai nuk është i përfshirë në projektin e Google-it.

“Ajo që më shqetëson mua, me të vërtetë, është distanca e madhe mes një interesi për një gjuhë si gjuhë që duhet regjistruar dhe si një karakteristikë, për të themi, mjedisin njerëzor, dhe gjuha që përdoret nga folësit e vërtetë, që e përdorin atë për qëllimet e tyre. Për të krijuar vetë material, që hedh dritë mbi një gjuhë, do të duhet një numër tejet i madh”, thotë Ostler.

Ai pranon se projekti, megjithatë, është ende në fillim dhe ka potencial rritjeje.

Disa, madje, e quajnë ironike përfshirjen e Google-it. Duke përhapur gjuhët e mëdha, veçanërisht atë angleze dhe duke vepruar si një forcë shtytëse e globalizimit, disa thonë se kompania e ka përshpejtuar margjinalizimin e gjuhëve minoritare.

Ostler thotë se t’ia bashkëngjisësh një emër si Google, luftës së tij dhe kolegëve të tij, mund vetëm të ndihmojë në tërheqjen e vëmendjes për një trend, për të cilin shumë nuk kanë dëgjuar fare.

“Ata janë një emër i madh dhe i japin besueshmëri projekteve, që përndryshe do të merrnin kohë shumë të gjatë të fillonin. Mendoj se ata sjellin përfitime pozitive”, shton Ostler.(a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG