Ndërlidhjet

Server: Koha për bisedime për veriun


Daniel Server
Daniel Server

Deri te zgjidhja për veriun mund të arrihet me negociata. Po vjen koha kur duhet ulur rreth tryezës dhe të hapet kjo temë, thotë për Radion Evropa e Lirë, Daniel Server, profesor në Universitetin Xhons Hopkins në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Të nisim me arrestimet që kanë ndodhur së fundmi në Serbi dhe Kosovë. Sa janë të rrezikshme incidentet e tilla?

DANIEL SERVER
Mendoj se janë shumë problematike, por nuk e di nëse do të përdorja termin “të rrezikshme”. Nëse arrestoni njerëz për faktin se bashkëkombësit tuaj janë arrestuar në shtetin tjetër, atëherë është e qartë se nuk jeni shtet, në të cilin ka sundim të ligjit.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse Serbia, pse ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, e ka bërë një gjë të tillë? Fiton pikë në fushatën parazgjedhore?

DANIEL SERVER
Një gjë të tillë e ka bërë, sepse nuk e di se çfarë është e lejueshme dhe çfarë jo në shoqërinë demokratike. Megjithatë, një gjë e tillë do t’i sjellë ca vota, nuk ka dyshim. Por, edhe nëse ato vota do të ishin motiv, si një njeri që të paktën ka njohuri elementare se çfarë është shteti ligjor, nuk do të duhej ta bënte atë. Nuk ka asnjë dyshim se ky akt është informacion për gjendjen e sundimit të ligjit në Serbi. Disa, madje, do të mund të konkludonin që të mos i jepet data e negociatave për anëtarësim (në BE) shtetit që bën gjëra të tilla.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e komentoni vendimin e Serbisë që të mos mbajë zgjedhje lokale në Kosovë?

DANIEL SERVER
Ky është vendim i mirë dhe i mençur, që do t’i ndihmojë Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
A besoni se Serbia do të organizojë ndonjëherë tjetër zgjedhje lokale në Kosovë?

DANIEL SERVER
Këtë nuk e di, por mendoj se çfarëdo që do të ndodhte në Kosovë, e që do të kishte lidhje me Serbinë, duhet të ketë marrëveshje ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Ata duhet të fillojnë të bashkëpunojnë, sidomos kur është fjala për pozicionin e komunitetit serb, para së gjithash të serbëve në veri të Kosovës.

Prishtina ka arritur rezultate relativisht të mira kur është fjala për pozitën e komunitetit serb në jug të lumit Ibër, por të tillat nuk i ka arritur në veri të Kosovës. Aty gjërat do të jenë shumë, shumë më të vështira dhe Beogradi, kuptohet, do t’i bëjë edhe më të vështira për të qenë pjesë e lojës. Mendoj se nuk është problem të jetë lojtar në këtë lojë, por me kushtin që të luajë ndershëm. Dhe, për të luajtur ndershëm, duhet të merret vesh me Prishtinën.

Pra, nëse do të ketë zgjedhje në komunat e veriut, duhet të bisedojë me Prishtinën, në mënyrë që të arrihet marrëveshje e pranueshme nga të dyja palët - e tillë që nuk do t’i dëmtonte interesat e Kosovës, por që do t’iu mundësonte votime demokratike serbëve në veri të Kosovës. Ndoshta mund të duken si të tilla, por në asnjë mënyrë nuk janë probleme të pakapërcyeshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Në kohët e fundit flitet shumë për nevojën e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me pjesëmarrjen e komunitetit ndërkombëtar, për një zgjidhje të veçantë për pjesën veriore të Kosovës. Ka plane të tilla?

DANIEL SERVER
Po, flitet shumë për këto bisedime. Nuk kam informacione se çfarë po ndodh konkretisht në këtë plan, por mendoj se po vjen koha për, nëse asgjë tjetër, diskutim gjithëpërfshirës në lidhje me atë se çfarë të bëhet me veriun e Kosovës. Pozicioni i Amerikës është se ai duhet të jetë një proces i riintegrimit gradual me pjesën tjetër të Kosovës në përputhje me Planin Ahtisari, i cili parasheh decentralizim të gjerë dhe vetëqeverisje.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Prishtina ka vullnet politik për të diskutuar për veriun?

DANIEL SERVER
Po, mendoj se ka. Edhe pse një gjë e tillë nuk vërehet në shikim të parë për shkak të pozicionit zyrtar politik, njerëzit në Prishtinë e kuptojnë shumë mirë se nuk mund ta rrëmbejnë kontrollin mbi veriun e Kosovës dhe të detyrojnë serbët lokalë të jenë besnikë ndaj Prishtinës. Kjo nuk do të ndodhë dhe e vetmja gjë që u mbetet është të fitojnë ngadalë besimin e serbëve të veriut. Kjo, natyrisht, nuk do të jetë aspak e lehtë, sidomos duke marrë parasysh faktin se shumë serbë radikalë nga e gjithë Kosova tashmë janë përqendruar në veri - përveç tyre keni edhe shumë serbë të larguar nga Kroacia, të cilët janë shumë të frustruar me fatet e tyre. Këtu bën pjesë edhe fakti se veriu i Kosovës është territorialisht pranë Serbisë.

Pra, në veriun e Kosovës nuk mund të shihni si në dy vendkalimet atje dhe secili në Kosovë që është i kuptueshëm, e di mirë një gjë të tillë. Andaj, deri te zgjidhja mund të arrihet me negociata. Po vjen koha kur duhet ulur rreth tryezës dhe të hapet kjo temë.

RADIO EVROPA E LIRË
Formula me fusnotë - marrëveshja për përfaqësimin rajonal dhe ndërkombëtar të Kosovës - ka përjetuar ca dështime që në fillim. A mund të jetojë një formulë e tillë?

DANIEL SERVER
Fusnotën, unë do ta tregoja me krenari. Pse? Në këtë fusnotë është referenca në Rezolutën 12 44 dhe në mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, çfarë, padyshim, është në anën e Prishtinës. Është me rëndësi të thuhet se Rezoluta 12 44, me të gjitha ato që janë thënë në lidhje me të, nuk e ka ruajtur sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën. E vetmja referencë e qartë për sovranitetin serb gjendet në preambulë, por preambula nuk është ligjërisht e obligueshme.

Rezoluta 12 44 thotë qartë se statusi final i Kosovës do të zgjidhet përmes procesit politik. Sipas mendimit tim, Rezoluta 12 44 paraqet konfirmim ligjor se Kosova është ndryshe në krahasim me pjesët tjera të shtetit të atëhershëm dhe se ka të drejtë në proces politik, me të cilin do të definohej statusi final i saj - çfarë është e drejtë që asnjë pjesë tjetër e Serbisë, përkatësisht e Jugosllavisë së atëhershme, nuk e ka pasur. Pra, në këtë fusnotë nuk ka asgjë që do ta vinte në pikëpyetje sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse atëherë në Prishtinë ka pasur rezistencë për t’u pranuar fusnota dhe referenca në Rezolutën 12 44?

DANIEL SERVER
Thjesht, sepse njerëzit shpesh nuk i kuptojnë finesat ligjore. Mendoj se ka qenë gabim që Prishtina ka rezistuar në pranimin e fusnotës. Ajo çfarë ka fituar me fusnotë është se ka eliminuar barrierat nga ana e vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Spanja, Rumania ose Qipro nuk mund të thonë tani se nuk e pranojnë Marrëveshjen për Stabilizim Asociim apo heqjen e regjimit të vizave për Kosovën, sepse nuk e pranojnë Kosovën. Tani, pra, ekziston formula dhe derisa Kosova ta pranojë këtë fusnotë, vendet anëtare të BE-së janë të detyruara të mos bllokojnë marrëveshjet ndërmjet BE-së dhe Prishtinës. Pra, kjo nuk është humbje, por krejt e kundërta - një avantazh i madh për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka deklaruar se statusi i kandidatit evropian për vendin e tij ka treguar se formula “Edhe Kosova, edhe BE-ja” ka qenë recetë për suksesin. A ka qenë dhe a do të vazhdojë të jetë?

DANIEL SERVER
Ai gabon. Ajo mund të jetë formulë e suksesit për skenën e brendshme politike të Serbisë, por në rrugën e Serbisë kah BE-ja ajo nuk do të jetë kartë suksesi. Në fund të fundit, shumë vende të BE-së e kanë deklaruar hapur një gjë të tillë. Madje, edhe disa anëtare pro-serbe të BE-së kanë thënë se nuk do të ketë asgjë nga anëtarësimi i Serbisë në BE, derisa të mos zgjidhet çështja e Kosovës.

Dhe, kushdo që mendon se çështja e Kosovës mund të zgjidhet me rivendosje të sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën, jeton në një realitet krejt tjetër nga pjesa tjetër e botës. Andaj, Tadiqi bën gabim të madh. Gjërat e tilla i bën për shkak të kalkulimeve parazgjedhore. (v.t.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG