Ndërlidhjet

Deri në 35 mijë të papunë në vit


Prishtinë
Prishtinë
Numri i madh i personave që hyjnë në tregun e punës, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, konsiderohet të jetë pasojë e mosinvestimit institucional në sektorët, ku nevojitet numër më i madh i punëtorëve, siç është sektori i agrobiznesit.

Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, thotë se për të dalë nga kjo gjendje, në të cilën aktualisht është Kosova, duhet të shfrytëzohen potencialet e vendit, në mënyrë që të zbutet numri i të papunëve.

Vetëm prej agrobiznesit, brenda vitit, mund të punësohen 50-70 mijë persona. Duhet të investohet në zhvillimin e vendeve rurale, mbjelljen e grurit, të pemëve, pastaj të punohet në zhvillimin e blegtorisë si dhe në zhvillimin e elementeve biokimike etj”, thekson Tahiri.

Hafiz Leka, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë vazhdimisht po bëhen përpjekje për zbutjen e papunësisë.

“Ne jemi duke u munduar të ndërtojmë një sistem informativ të tregut të punës, një sistem unik, ku baza do të jetë në Ministri të Punës, por të gjitha ministritë tjera, Enti i Statistikave, Oda Ekonomike, do të bëjnë rimbushje me informata mbi gjendjen e tregut të punës”, thotë Leka.

Hulumtimi i fundit i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë vë në pah se për të gjetur një vend pune në institucionet publike, duhet pasur lidhje familjare dhe përkrahje të partisë, e cila udhëheq sektorin e caktuar.

Tahiri thotë se Kosova ka kapacitete për të absorbuar numër më të madh të të papunëve, porse duhet të punohet në këtë drejtim.

Sipas tij, në tregun e punës mund të absorbohen nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.

“Shifrat e Qeverisë se 40 për qind është shkalla e papunësisë, janë të pavërteta. Çdo vit në tregun e punës janë aktivë për t'u punësuar 25 – 30 mijë persona, të gjithë të gjeneratës 18 vjeç e lartë”, shprehet Tahiri.

Në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Botërore, varfëria ka shënuar ulje për 11 për qind në vitin 2009. Megjithatë, po në këtë vit, pak më shumë se një e treta e popullsisë në Kosovë jetonin nën vijën e varfërisë absolute me 1.55 euro në ditë dhe 12 për qind jetonin nën vijën e varfërisë së skajshme me 1.02 euro.

Mosha mesatare e të papunëve në Kosovë është 18 - 35 vjeç, shumica prej të cilëve konsiderohet të jenë të pakualifikuar, gjë që, sipas hulumtimeve të bëra, e vështirëson edhe më shumë mundësinë e punësimit të tyre në të ardhmen.
XS
SM
MD
LG