Ndërlidhjet

Përfitimet nga fundi i lojës në Afganistan


Ushtria amerikane në Afganistan...
Ushtria amerikane në Afganistan...

Derisa forcat ndërkombëtare po largohen nga Afganistani, shtetet fqinje po shohin mundësinë e fitimit të shumave të mëdha të parave.

Sa shumë?

Shtetet e Bashkuara sot paguajnë 500 milionë dollarë për vit, në emër të tarifave për kalimin e materialit ushtarak përmes shteteve të Azisë Qendrore në Afganistan.

Tani, kjo shumë do të rritet, pasi që Uashingtoni do të kthejë në atdhe pajisjet e grumbulluara në Afganistan në dekadën e kaluar.

Dyzetenëntë shtetet tjera, po ashtu, kanë forcat e tyre në Afganistan dhe mijëra tonë material që duhet larguar.

Pesë shtete të Azisë Qendrore, Rusia, Gjeorgjia, Azerbajxhani dhe Pakistani, të gjitha janë të interesuara të fitojnë.

Por, kush fiton më shumë, varet si nga gjeografia, ashtu edhe nga arritja e marrëveshjes.

Neil Melvin është ekspert rajonal në Institutin Ndërkombëtar për Kërkime Paqësore të Stokholmit.

Ajo që aktualisht po shohim është një lojë e madhe, është pazar. Njerëzit e dinë situatën, e dinë që ISAF do të largohet, dhe duhet të largohet me një sasi të madhe materiali në një kohë të shkurtër dhe të gjitha këto shtete duan të negociojnë në lidhje me këtë”, thotë Melvin.

Në mesin e atyre që janë në pozicion më të mire është Uzbekistani, për shkak të rrjetit të mirë hekurudhor, përmes të cilit, mund të transportohen furnizimet nga portet baltike përmes Rusisë dhe Kazakistanit në Termez, në kufirin uzbeko-afgan.

Tani, derisa po kthehet rrjedha e ngarkesave, ka shenja që edhe Tashkenti do të kërkojë rritje të tarifave për përdorimin e rrugëve tranzitore.

Eurasia.net ka raportuar së fundi se Uzbekistani do të rrisë tarifat për kalimin e pajisjeve joushtarake që largohen nga Afganistani deri 50 për qind.

Ky pazar lë të kuptojë se do të ketë interesim për rrugë alternative.

Një nga alternativat është korridori rrugor nga kufiri taxhiko-afgan përmes Kirgizisë, Kazakistanit, përgjatë Kaspikut dhe përmes Azerbejxhanit në portin e Detit të Zi të Gjeorgjisë.

Po ashtu, përmes kësaj rruge tashmë barten furnizimet në lindje në kuadër të Rrjetit Amerikan të Shpërndarjes. Përmes kësaj rruge, thjesht mund të bëhet edhe kthimi.

Por, korridori rrugor ka probleme, meqë kalon përmes rajonit të paqëndrueshëm të Afganistanit, ndërsa rrugët e dobëta të Taxhikistanit kufizojnë kalimin e kamionëve, në veçanti dimrit.

Tashmë, pazari po zhvillohet në disa kryeqytete.

Ndërsa po vizitonte Bishkekun në muajin e kaluar, sekretari i Forcave të Armatosura të Britanisë së Madhe, Nik Harvei sugjeroi se Londra mund të tregtojë pajisjet ushtarake me tarifa më të favorshme.

"Po që se të gjitha shtetet e ISAF-it lënë gjëra të ndryshme, afganët mund të përfundojnë me grumbuj të mëdha pajisjesh konfuze. Por, ne po ashtu do të kemi diksutime me Kazakistanin, Kirgizinë dhe Taxhikistanin, për të parë nëse pajisjet mund t’iu hyjnë në punë këtyre shteteve”, tha Harvei.

Ai nuk qartësoi se për çfarë lloj materiali ushtrak e kishte fjalën. Por, ai u tha gazetarëve se “për t’u ndaluar rrjedha e narkotikëve dhe terrorizmit duhet punuar së bashku”.

Marrëveshja duket se nuk do të përfshijë municionin dhe armët. Nën marrëveshjet me të gjitha shtetet e përfshira në rrugët veriore, ngarkesa është e kufizuar vetëm për pajisjet jo-vdekjeprurëse, dhe madje edhe makinat e blinduara mund të transportohen, vetëm pasi që të jenë hequr armët nga to.

Të gjitha rrugët në të cilat ka dalje Afganistani përballen me konkurrencën nga rruga më e lirë: Pakistani.

Franca ka dhënë indikacione se rrugët veriore i duken shumë të shtrenjta dhe dëshiron rihapjen e rrugës së Pakistanit.

Të njëjtën e dëshiron edhe Uashingtoni. Kostoja mesatare e transportit të një kontenjeri nga Afganistani në Karaçi është 7 mijë e 200 dollarë, por në rrugët veriore, kushton 17 mijë e 500 dollarë.

Islamabadi i ka mbyllur kufijtë me Afganistanin për furnizimet e NATO-s që nga nëntori, pas një sulmi të NATO-së në një postbllok pakistanez, që i rriti tensionet.

Melvin parashikon se për të rihapur rrugën, Islamabadi do të kërkojë më shumë para.

E tërë kjo do të jetë e lidhur me diskutimet më të gjera politike, në lidhje me rolin e Pakistanit në Afganistanin e pas ISAF-it, rolin e talebanëve, rolin e Pakistanit brenda Afganistanit dhe do të jetë një mundësi e mirë për Pakistanin që të rrisë tarifat e kalimit të furnizimeve përmes rrugëve të tij”, tha Melvin.

E tërë kjo bën që pazari për rrugët dalëse nga Afganistani të jetë i përzier me paratë, politikat dhe interesat rajonale.

Për të pasur një masë krahasuese, Moska këtë muaj sugjeroi se NATO mund të përdorë aeroportin e Ulianovskit në rajonin e Vollgas, po që se Kirgizia e mbyll bazën ajrore Manas për aleancën.

Presioni më i madh ndaj Bishkekut për të mbyllur Manasin për NATO-n natyrisht se ka ardhur nga Moska. Dhe kjo nënkupton që Kirgizia, si shumë shtete të Azisë Qendrore, tani duhet që të balancojë në mënyrë të kujdesshme relacionet e saj me Moskën dhe Uashingtonin për të përfituar nga fundi i lojës në Afganistan.(a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG