Ndërlidhjet

Barazia gjinore përçan BE-në


Vivien Reding në Belgjikë, konferencë për gratë në biznes..
Vivien Reding në Belgjikë, konferencë për gratë në biznes..
Komisioni Evropian po angazhohet në vendosjen e kuotave obliguese, që të sigurojë se kompanitë më të mëdha në Evropë të kenë më tepër femra në bordet e tyre.

Por, kjo përpjekje jo vetëm që e ka përçarë vetë Bashkimin Evropian në tërësi, por edhe ekspertët dhe biznesmenët.

Fransuaz Roels është e vetmja femër në mesin e 12 anëtarëve të bordit në kompaninë Cofinimmo. Por, kjo pritet të ndryshojë. Njëra nga kompanitë më të mëdha investuese në patundshmëri në Belgjikë, së shpejti do të ketë përbërje krejtësisht tjetër.

Vitin e kaluar Belgjika i ka paraqitur kuotat gjinore. Të gjitha kompanitë e regjistruara brenda gjashtë vjetësh duhet të kenë së paku një të tretën e femrave në bordet e tyre, ose ballafaqohen me sanksione financiare.

Fransuaz Roels ishte caktuar në bordin e kompanisë Cofinimmo para këtyre masave në Belgjikë, meqë ajo ishte zgjedhur për shkak të kualifikimeve të saj e jo, siç thotë ajo, “për shkak të asaj se është e veshur me fustan”.

Megjithatë, ajo e përshëndetë perspektivën që të ketë më tepër kolege femra në nivelet më të larta. Sipas saj, nga kjo do të përfitojnë të gjithë, edhe meshkujt, për riorganizimin e mënyrës se si zgjidhen bordet.

Ky profesionalizim i procesit, po ashtu, do të mundësoj që edhe meshkujt e tjerë të arrijnë në bord. Në të kaluarën, shpeshherë thuhej se ishte një lloj i praktikës se shefat ekzekutivë ose anëtarët e bordit kërkonin nga të njohurit e tyre në degët e tjera të kompanive, që të bëheshin anëtarë të bordeve. Tash, ju do ta profesionalizoni mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të bordit dhe do të ketë persona të ndryshëm që do të dalin në skenë”, thotë Fransuaz Roels

Belgjika është pjesë e një trendi në rritje në gjithë kontinentin.

Mbështetësit e kuotave gjinore thonë se ato janë të nevojshme për të siguruar barazi më të madhe gjinore. Por, ka edhe kundërshtarë të mëdhenj për kuotat mandatore në mesin e pjesës më të madhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Vendi i parë në Evropë që krijoi kuota ishte Norvegjia. Franca Italia, Holanda dhe Spanja, po ashtu kanë miratuar masa të njëjta, që parashohin dënime për firma, që në bordet e tyre kanë më pak se 40% të femrave.

Sipas një hulumtimi të fundit të opinionit nga Eurobaromteri, sugjerohet se 75% të të anketuarve ishin në favor të legjislacionit për balanc gjinor në bordet e kompanive.

Në Gjermani, aktualisht, afro 300 gazetarë kanë kërkuar nga kompanitë e mediave që në bordet e tyre të kenë së paku 30% të femrave.

Tash Brukseli po e përgatitë legjislacionin për gjithë Bashkimin Evropian.

Komisionarja për të drejta fundamentale, Vivien Reding, dëshiron që femrat të mbajnë 30% të pozicioneve në borde, deri në vitin 2015, ndërsa në vitin 2020, ky numër parashihet të arrijë në 40%.

Kjo dallon shumë nga gjendja e tashme, pasi një prej shtatë anëtarëve të bordit është femër, që paraqet 13.7 %.

Në këtë kuadër, Vivien Reding thotë:

Ju e dini se për veten time gjithnjë e kamë bërë shumë të qartë. Kuotat nuk janë ideal për mua, por mua shumë më pëlqen ajo që bëjnë kuotat”, tha Reding.

Kritikët theksojnë se Suedia dhe Finlanda i kanë ngritur shifrat mbi 25% të përfaqësimit femëror në bordet e kompanive, pa ndihmën e kuotave.

Ministrja e barazisë e Suedisë, Njamko Sabuni, dëshiron më tepër gra në bordet e kompanive, por është kundërshtare e fuqishme e kuotave mandatore.

Ajo i tha Radios Evropa e Lirë se kjo çështje duhet të zgjidhet në secilin vend anëtar, e jo nëpërmjet legjislacionit nga Brukseli.

Mendoj se shumica prej nesh mendojnë se kjo është çështje kombëtare. Ne kemi arritur nivele dalluese në këtë fushë. Duhet të na lejohet ta gjejmë zgjidhjen tonë të veçantë, sepse nuk mund të startojmë me legjislacion të përbashkët, kur ne jemi në nivele të tilla dalluese”, tha Njamko Sabuni. (f. b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG